Rotacioni e ka emrin “800 mijë vota”

Postuar në 20 Shkurt, 2013 05:50
Eduard Zaloshnja

Në zgjedhjet e vitit  2009, sipas KQZ-së, totali i votave të vlefshme ishte 1.52 milion. Dy vjet më vonë, në zgjedhjet e 2011-ës, totali i votave të vlefshme arriti 1.57 milionshin. Në zgjedhjet e 2013-ës, edhe pse mund të pakësohet votimi familjar (ku babai voton për fëmijët e tij emigrantë) apo votimi puro fiktiv (ku kutitë mbushen nga komisionerë të korruptuar, si në Dajç të Lezhës, për shembull), gjasat janë të mëdha që totali i votave të vlefshme të kapë nivelin 1.6 milion.

Që të kemi rotacion - pra, që opozita të vijë në pushtet - duhet që koalicioni opozitar të marrë zyrtarisht të paktën 800 mijë vota, ose gjysmën e votave të vlefshme. Ose ndryshe, të marrë 110 mijë vota më shumë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ose më thjesht akoma, të shtojë mesatarisht nga 22 vota në çdo qendër votimi, krahasuar me ato zgjedhje.

Kjo shtesë prej 22 votash për çdo qendër votimi, në pamje të parë, mund të duket e lehtë për t’u arritur, por kërkon një impenjim kapilar në çdo centimetër të territorit. Fushata e opozitës me tryeza, debate, propozime për ulje taksash e përmirsime shërbimesh publike, etj. është e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Vajtja derë më derë e dyqan më dyqan, nga sot deri në mbrëmjen e 23 qershorit, është një armë e domosdoshme komplementare e fushatës mediatike të opozitës. Dhe përsëri, ndoshta nuk do të mjaftojë. Sepse sistemi zgjedhor i inxhinieruar nga Kastriot Islami në 2008-ën (atëherë eksponent i lartë i PS-së) kërkon një koalicion sa më të madh, për të maksimalizuar votat.

Dhe si i ka punët PS-ja me koalicionin e saj opozitar? Le të shohim numrat.

Nga koalicioni opozitar është larguar PBDNJ-ja, e cila mori 18 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare (të 2009-ës). Ndërkohë në koalicion janë futur PSV-91, PLIDR, PGJ, PTR, PMDE, PRDSH dhe PRRL, të cilat morën së bashku rreth 16 mijë vota në 2009-ën. Përveç këtyre, në koalicionin opozitar janë futur edhe nja 20 parti të tjera të vogla (të majta e të djathta), të cilat nuk ishin në garë në zgjedhjet e 2009-ës dhe që nuk u ndihet shumë zëri në opinionin publik.

Kjo panoramë e koalicionit opozitar na tregon se objektivi 800-mijë votësh nuk ka gjasa të arrihet nëpërmjet shtimit të partive që i janë bashkuar deri më sot. Ai mund të arrihet ose duke shtuar mesatarisht nga 22 vota për vetë PS-në në çdo qendër votimi, ose duke afruar në koalicion parti që kanë peshë të ndjeshme elektorale.

Ndër partitë që janë ftuar t’i bashkohen koalicionit opozitar dhe që ende nuk i janë bashkuar, AK-ja është e vetmja që nuk e ka përjashtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë përfshirjen në të. Dhe kjo është një parti që ka prezencë të përditshme në media dhe një përhapje kapilare në të gjithë territorin e vendit. Zyrat me logon e saj mund t’i shohësh jo vetëm në çdo qytet, por edhe në zona sub-urbane e rurale. Ndërkohë, sondazhet e publikuara deri më sot sugjerojnë se AK-ja ka një përkrahje të ndjeshme në elektorat.

Në media kanë qarkulluar zëra për negociata jo zyrtare mes PS-së dhe AK-së, por ndoshta ka ardhur koha që të dyja palët ta materializojnë një koalicion të përbashkët. Kuptohet, në qoftë se objektivi i tyre real është ai që deklarojnë çdo ditë – rotacioni i pushtetit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.