Letër demokratëve

Postuar në 19 Korrik, 2013 05:06
Besnik Gjongecaj

Është jashtë çdo dyshimi që ju, demokratë, po kaloni kohën më të vështirë politike që pas vitit ‘97. Duke përjashtuar shkakun, më 23 qershor PD-ja u trondit po aq rëndë sa në atë vit. Në vitin 2013, përmasat e humbjes së mbështetjes popullore kanë arritur pothuajse madhësinë e vitit ‘97, në të cilin, dhe kjo nuk duhet harruar, PD-ja nuk kishte komisionerë në gjysmën jugore të trupit të shtetit. Pra, megjithëse ishit në pushtet, megjithëse ishit në komandë të procesit të votimit, megjithëse ishit në krye të numërimit të votave, gjashtëmbëdhjetë vjet më pas ju, demokratë, po përjetoni të njëjtën dramë të zvogëlimit të partisë. E gjitha kjo nuk ka si të shpjegohet veçse me atë që shkaku i fshehur pas humbjes së 23 qershorit duhet të jetë më i rëndë, më sundues, më tragjik se ai shkak që prodhoi humbjen tuaj në vitin ‘97. Është një “rënie e lirë” që ka ndodhur në jetën e partisë. Është një përplasje që ndodh gjithmonë nga rrëzimi prej lart. Është një thyerje qafe. Tragjizmin e zvogëlimit dramatik të PD-së e shton akoma më shumë koha në të cilin ndodh. PD-ja humbet peshë mbas ndërtimit të rrugës së kombit, mbas hyrjes në NATO, mbas shkurtimit të distancës me BE, mbas rritjes së rrogave, madje edhe mbas ndërtimit të tunelit të Elbasanit. Jashtë çdo dyshimi, me gjithë përpjekjet e qeveritarëve për t’i shndërruar shqiptarët në turmë, kope, ata, shqiptarët, reaguan dhe askush nuk mund të thotë që inteligjenca e shqiptarëve, të paktën këtë radhë, ishte një kusht i paplotësuar për t’u futur në BE. Tani është koha juaj demokratë. Shqiptarët i kanë bërë analizat e tyre. Ata i kanë marrë vendimet. Shqiptarët presin analizën tuaj, vendimin tuaj, demokratë!

* * *

Demokratë, ajo që i jep jetë ekzistencës suaj është përgjegjësia. Liria, misioni i shenjtë i juaji, vdes, shuhet menjëherë nëse nuk vihet para përgjegjësisë ai që e shkel, e kafshon lirinë. Pa përgjegjësinë liria shndërrohet në dhunë të të fortit ndaj më të dobëtit, në pushtet të njërit për sundimin e të tjerëve. Kështu ka ndodhur shpesh në Shqipëri. Kështu ka ndodhur në PD, veçanërisht në tetë vitet e fundit. Mungesa e përgjegjësisë krijoi autoritarizmin, kultin e individit. Dhe e gjitha kjo është bërë në emrin tuaj demokratë, absolutisht. Pasi merrte votën tuaj në kuvendin e partisë (një votë që ka qenë gjithmonë nën peshën e një dyshimi të thellë), z. Berisha e shndërronte atë, votën tuaj, në një pushtet të vetin, i cili ishte absolut, sepse shndërrohej në një pushtet mbi ushtrimin e të cilit nuk jepej më llogari, sepse ushtrimi i tij zhvishej nga përgjegjësia (accountability). Tragjikisht, ju, demokratë, i jepnit aq pushtet z. Berisha sa të ishte i mjaftueshëm për të sunduar lirinë tuaj. I gjithë mekanizmi i shndërrimit të votës suaj në një sundim poshtërues mbi vetveten ndodhi sepse ju, demokratë, lejuat të transferonit pushtetin tuaj te njëshi pa i kërkuar atij llogari se si e përdorte atë. Kjo teknologji e poshtërimit nuk mund të aplikohej pa bashkëpunëtorë. Autoritarizmi nuk ushtrohet pa autoritarë. Autoritari i parë shumëfishon autoritarë të tjerë jo vetëm për të ushtruar pushtetin, por edhe për të siguruar jetëgjatësinë e tij. Prandaj nuk ka asnjë kufi midis autoritarëve, sepse nuk mund të thuash se ku mbaron një autoritar i keq për të filluar një autoritar i mirë. Sot, ata, autoritarët, bashkëpunëtorët që e ndihmuan çdo ditë z. Berisha të krijojë kultin e poshtërimit (individit) brenda PD-së, i keni para jush, nëpër salla, ndërsa iu luten për votën. Të komanduar njësoj si z. Berisha nga instinkti i marrjes së pushtetit për të sunduar lirinë tuaj, demokratë, ata janë përgjegjësit kryesorë për zvogëlimin dramatik të PD-së më 23 qershor. Por, ata nuk po dalin para jush për këtë. Nuk po dalin para jush për të shpjeguar humbjen, për të mbajtur përgjegjësi, përkundrazi, për të kërkuar pushtet. Akoma më zi. Për të ruajtur të njëjtën skemë të sundimit të PD-së. Për të ruajtur nesër kultin e z. Berisha edhe pa z. Berisha.

* * *

Në datën 22 të këtij muaji, ju demokratë do të shkoni para kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë, me idenë se jeni para dy mundësive. Unë mendoj që, të paktën këtu, e keni gabim. Në datën 22 të këtij muaji, ju demokratë, keni më shumë se dy mundësi dhe jo virtualisht, por realisht. Një mundësi është të votoni për kandidatin 1; mundësia tjetër është të votoni për kandidatin 2; dhe, ju ftoj ta lexoni me vëmendje këtë pjesë, mundësia e tretë është të mos votoni për asnjërin, ose të votoni për të dy bashkë, pra, në thelb, të bëni të pavlefshme fletën e votimit. Le të marr pak rreshta për t’u sqaruar para jush, demokratë. Votimi për kandidatin 1 nuk ndryshon në asnjë pikëpamje nga votimi për kandidatin 2. Është një nga gjërat më të thjeshta të kësaj bote të vërtetosh që nuk ka asnjë ndryshim sinjifikativ midis kandidatit 1 dhe kandidatit 2. Kushdo të fitojë prej të dyve, nesër do të punojë nga mëngjesi në darkë, njësoj si dikur, në shërbim të z. Berisha dhe të kultit të tij të individit. Ndërsa ju, demokratët e thjeshtë, do të trajtoheni njësoj si më parë: si kopje psikosociale që u shërbeni pronarëve të rinj për të përjetësuar sundimin e tyre mbi partinë. Ka edhe një argument më shumë se pse do të ndodhë kështu, ekzaktësisht. I gjithë procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të PD-së, sipas parimit një anëtar, një votë, është një proces ilegjitim për PD-në, sepse nuk ndodhet në statutin e saj. Një proces që nuk ndodhet në statut, nga ana tjetër, nuk mund të rregullohet ligjërisht, pra, mbi të nuk mund të përgatiten rregullore, modalitete. Si i tillë, i gjithë procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri është një proces që nesër mund të hidhet në erë nga një komision i thjeshtë revizionimi i PD-së, i cili mund të iniciohet nga një autoritet i partisë, nga kryesia e saj, dhe veçanërisht nga z. Berisha. Po prodhohet një kryetar jo legjitim nëpërmjet një procesi jo legjitim. Një kryetar që po nuk e komandoi me një fishkëllimë, z. Berisha e bën të paqenë me një lëvizje dore. Në majë të gjithë kësaj mund të shtohen edhe skandalet e qeverisjes, ku kanë marrë pjesë kandidati 1 dhe kandidati 2, të cilat, megjithëse shqiptarët nuk i morën vesh kurrë, nuk do të thotë që nuk janë atje, nuk do të thotë që janë fshirë nga kujtesa e z. Berisha. Në majë të gjithë kësaj, prandaj, mund të shtohet gjithçka që i mban peng. Ku përfshihen të gjallë dhe të vdekur.

* * *

Dhe le të vijmë te pjesa e fundit e letrës sime, demokratë. Nëse ju e bëni të pavlefshme fletën tuaj të votimit, atëherë edhe procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të PD-së, megjithëse nuk duhej të ishte nisur fare për shkak të ilegjitimitetit të tij, do të zhbëhet menjëherë dhe plotësisht. Ajo që do t’u mbetet të bëjnë pronarëve të PD-së është e detyrueshme dhe shumë e thjeshtë. Ose do të kërkojnë që zgjedhja e kryetarit të PD-së të bëhet sipas statutit të partisë, ose do të përpiqen ta ndryshojnë atë, statutin, për t’i dhënë legjitimitet procesit një anëtar, një votë dhe për të caktuar modalitetet. Por, të dashur demokratë, në të dyja këto raste, ata, pronarët e PD-së, do të detyrohen të bëjnë atë që nuk do të donin ta bëjnë kurrë: të thërrasin kuvendin e partisë, sepse pa të as nuk ndryshohet statuti, as nuk zgjidhet kryetari i ri sipas statutit ekzistues. Do të detyrohen, ata, pronarët e PD-së, t’ju mbledhin të gjithëve së bashku në sallën e Kuvendit. Atje ku do jeni të gjithë, jo të copëtuar nëpër Shqipëri, jo të shpërndarë, jo të dobët, pa energjinë e të qenët bashkë. Atje ku pronarët e PD-së duken të vegjël dhe nga ku ju mund të bëni të gjëmojë salla dhe t’u kërkoni, më në fund, të fillojnë nga shpjegimi i humbjes, nga përgjegjësia. Atje ku bëhet e pamundur që humbësit të bëhen liderë. Atje ku ju, demokratë, do të keni më në fund shansin të rithemeloni PD-në dhe të rrëzoni pronarët e saj të paligjshëm.

Shqip

Comments

Submitted by Aron (not verified) on

<p>&nbsp;Perendi, zoteria jetoka ne nje planet tjeter&nbsp;! Si eshte e mundor te mendohet dhe shkruhet ne kete menyre?&nbsp; Po kush ka mundur, i nderuari zoteri, te ndaloj vdekjen qofte&nbsp;edhe te nje individi te vetem ne kete bote? PD, ashtu si cdo gje ne kete jete, lindi, u rrit, u plak (shpejt apo vone kjo eshte pergjegjesi e&nbsp;atyre qe&nbsp;kujdeseshin per jetegjatesine e saj) dhe natyrisht pritet qe te vdese. Ne kete bote cdokush mund te rroj shume apo pak mbi bazen e kujdesit qe tregon ai vet dhe te afermit e tij per te. Duket, &nbsp;PD qe e thene te vdes shpejt. Dhe ju perpiqeni qe kjo te ndodhe sa me vone. Eutanazia,&nbsp;fort i ndrituri&nbsp;zoteri, eshte nje domosdoshmeri qe shpejt apo vone do ta fitoj te drejten e qytetarise. Ndaj leri perrallat dhe lere PD te ece ne rrugen e saj...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.