E keqja e “heronjve” të gjallë

Postuar në 07 Prill, 2014 07:24
Marenglen Rexhaj

Shumë ngjarje më bëjnë të mendoj që shqiptarët kanë mësuar shumë mirë të jenë viktima dhe duket sikur ka filluar t’u pëlqejë ky rol, ndoshta kanë dëgjuar se rruga për të qenë një hero shpesh kalon nga të qenit viktimë.

Vetëm roli i fajtorit është i lirë dhe si duket do të mbetet i lirë përgjithmonë.

Përveç se shqiptarëve iu pëlqen disi roli i viktimës iu pëlqen gjithashtu që të qeverisen nga heronjtë dhe kështu janë pak a shumë ata që na qeverisen Shqipërinë për vite me radhë, ata që po qeverisin Kosovën dhe Maqedoninë ende sot. Populli shqiptar pavarësisht ku voton, pëlqen të votojë njerëzit që kanë bërë heroizma dhe kanë hyrë në skenën politike si produkte të ngjarjeve të veçanta të historisë së tyre. Pothuajse kështu ka qenë gjithmonë në historinë tonë që nga Skënderbeu e deri më sot.

Kishim Sali Berishën që drejtoi Shqipërinë duke qenë kryesisht i votuar si njeriu që shembi një sistem totalitar, i larguar nga pushteti për disa vite kur u bë i dyshimtë heroizmi i tij. Dhe i rikthyer përsëri në pushtet, si për t’i thënë na fal që dyshuam te ti, “o heroi ynë”.

Kemi Kosovën të drejtuar nga Hashim Thaçi, një ish drejtues i luftës çlirimtare, i cili erdhi në pushtet dhe vazhdon të rrije aty kryesisht për shkak të asaj “lufte që bëri”. Gjithashtu kemi Ali Ahmetin që erdhi në pushtet si një hero, si një drejtues legjendar i “luftës” së 2001-shit në Maqedoni dhe vazhdon të rrijë aty duke pasur edhe ekskluzivitetin e patriotizmit e heroizmit.

Të drejtohesh nga heronjtë e tu duket një gjë shumë normale dhe mbase edhe ideale, por heronjtë e gjallë kanë edhe të metat e veta. Këta udhëheqës “prodhim lufte” mund të bëhen të rrezikshëm në pushtet, ata e kanë të lehtë të luajnë me ndjenjat e atyre të cilëve ua kanë fituar zemrën dhe kthehen në donzhuanë politikë që të marrin në qafë.

Ata kanë rrezikun të jenë të votuar për shumë kohë nga njerëz që votojnë me zemër dhe të drejtuar nga emocionet dhe jo nga një mendje e ftohtë dhe e arsyeshme.

Duke ditur se nga kush janë votuar dhe pse janë votuar, politikanët e këtij lloji e kanë të lehtë të punojnë vetëm në atë pikë ku votuesit e tyre preken, ata kujdesen që atë arsye për të cilën janë votuar ta mbajnë të gjallë. Këta lloj votuesish janë shumë të sinqertë, por për fat të keq preken me gjera të vogla, gëzimi i tyre është i lidhur më shumë me realitetin nga i cili kanë shpëtuar se sa me realitetin e dëshiruar për të ardhmen e tyre, kështu politikanëve të tillë nuk iu duhet shumë punë që t’i prekin përsëri në zemër.

Dhe ne e vëmë re lehtësisht me çfarë ka luajtur Berisha sa herë i është dashur apo sa herë nuk kishte mundësi të bënte ndonjë gjë më shumë, ai gjithnjë ua kujtonte votuesve të tij se kush ishte ai, duke kujtuar se sa shumë e urren komunizmin dhe këtë mundohet ta bëjë me sa më pak shpenzime. (Përveç rasteve ku i duhet të shembë ndonjë vepër “komuniste”, siç është piramida).

Gjithashtu Hashim Thaçi bën të njëjtën gjë sa herë që nuk ka çfarë të tregojë, i kthehet historisë së suksesit dhe kohës së luftës, ua kujton shqiptarëve të Kosovës se çfarë bëri ai në vitet e tij të lavdishme.

E akoma më keq lideri shqiptar në Maqedoni, ai i bie akoma edhe me më pak shpenzime, nuk lodhet fare, atij nuk i duhet të bëjë asgjë më shumë për t’i mbajtur zemrat e shqiptarëve të vet të ndezura dhe të flakta pas tij.

Ka ndërtuar një Skënderbe të vogël në Shkup dhe i sillet rreth për vite me radhë, një herë i mbjell lule një herë i shtron gurët, pastaj ia heq për t’i hedhur betonin e kështu me radhë, gjithmonë gjen arsye për ta përmendur në fushatat e tij. (Me një fjalë, ia ka parë hajrin Skënderbeut më shumë se çdo shqiptar tjetër.)

Ky është një realitet i vështirë.

Nga ky realitet i mbushur me politikanë të prodhuar nga ngjarje të jashtëzakonshme do ta kemi të vështirë të ecim dhe zhvillohemi në gjendje normale dhe të zakonshme. Me politikanë të tillë të shpallur heronj me kauza të vërteta apo jo, ka një rrezik shumë të madh, ata sapo ta shohin që populli ka harruar që ata janë heronjtë e tij, ata do të duan situata të reja ku tregohet heroizmi dhe nëse iu duhen do të kenë gjithmonë mundësinë t’i krijojnë.

Prandaj pothuajse çdo pranvere Shkupi përjeton akte të tmerrshme dhune mes shqiptarëve dhe maqedonasve, akte të cilat ua krijojnë mundësinë e mirë politikanëve të prodhuar nga “lufta” të tregojnë edhe një herë që ata janë akoma heronj. Pas një akti të tillë ata e kanë shumë të lehtë të nxjerrin në pah patriotizmin e tyre pa bërë ndonjë shpenzim, (përveç çmimit që paguajnë shqiptarët e rrahur) mjafton të shpallin fajtor atë që për “fatin e keq” nuk ishte në “luftën” e tyre të dikurshme.

Kështu këta politikanë të dalë nga ngjarje të jashtëzakonshme pëlqejnë shumë që të ketë situata të tilla, mund të kenë nostalgji për kohen e zbulimit të dellit të tyre politik, ose i përdorin për të arritur atë numër votash që do të arrinin me shumë shpenzime në një mënyrë tjetër.

Realiteti shqiptar në Kosove dhe Maqedoni do ta ketë shumë të vështirë të ndryshoje për mirë për aq kohe sa udhëhiqet nga të tillë politikanë. Nevoja më e madhe e shqiptarëve kudo që janë, është që të qeverisen nga politikanë të lindur e zhvilluar në kushte normale, që nuk shquhen për heronj të mëdhenj përpara se të votohen, por që iu duhet të punojnë për t’u bërë të tillë. Dhe populli shqiptar duhet të mësojë ta largojë nga skena politike këdo që i është mbushur mendja se është hero, sepse këtu fillon rreziku i madh i një heroi të gjallë.

Theksova pak më shumë liderin e shqiptarëve të Maqedonisë, sepse aty është edhe më e dukshme që luhet karta e heroizmit për të fituar pikë politike. Luhet deri në atë pikë sa po të ishte Skënderbeu një imazh i gjallë, do të ishte bërë milioner nga paret që kjo parti do të duhej t’i paguante, të paktën deri para një viti që ishte dhe i vetmi imazh, sepse tani e kanë edhe Hasan Prishtinën, një vegël e re e kësaj partie “heronjsh” të gjallë.

 

Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.