Rritet çmimi i kolaudimit të makinave

-Rriten tarifat për kontrollin teknik të automjeteve. Urdhri mban firmën e Ministrit të transporteve Sokol Olldashi dhe do të hyjë në fuqi në 6 shtator. Koncesionari i huaj që ka monopolin e kolaudimit të makinave rrit në këtë mënyrë të ardhurat, ndërsa qeveria duket se po u merr një taksë të fshehtë qytetarëve. Po rritet pa paralajmërin një pagesë, që duhet të jetë pjesë kontratës së koncesionit dhe rrjedhimisht ndryshimi duhet paraqitur në Kuvend.
Tarifat e reja
Tarifat e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre kanë pësuar rritje. Kështu drejtuesit e automjeteve 4+1 vende, të cilët aktualisht paguajnë 1.800 lekë, nga 6 Shtatori duhet të paguajnë 160 lekë më shumë. Rritje të konsiderueshme ka pësuar edhe tarifa e automjeteve deri në 8+1 vende, nga 2.500 në 2.730 lekë. Po ashtu, drejtuesit e të gjitha mjeteve të rënda nga 3,5 ton deri mbi 18 ton, si dhe të autobusëve duhet të paguajnë 2.500 lekë më shumë. Rritjen më të vogël do ta kenë tarifat për kontrollin teknik të motorëve, nga 800 lekë aktualisht, në 870 lekë. Sipas vendimit mësohet se automjete me 4+1 vende do të paguajnë për kontrollin teknik të mjetit 1960 lekë, ndërsa automjete me mbi 4+1 vende deri në 8+1 vende do të paguajnë 2730 lekë. Sipas tabelës së tarifave të reja kamionë deri në 3.5 tonë do të paguajnë 2950 lekë dhe automjete me 4+1 vende Ri-Testo do të paguajnë 790 lekë. Kamionë deri në 3.5 tonë do të paguajnë 1180 lekë. në tabelën e hartuar nga Ministria e Transporteve, e cila do të zbatohet nga koncensionari që ka fituar të drejtën për kontrollin e detyrueshëm teknik të mjeteve. Aty janë pasqyruar tarifat për 200 tipe automjetesh.
Kontrolli teknik
Kontrolli teknik i automjeteve është i detyrueshëm dhe kryhet një herë në vit nga çdo drejtues mjeti për rastet kur makina përdoret jo për shërbime ndaj të tjerëve. Mjetet e transportit që nuk disponojnë certifikatën e kontrollit teknik nuk duhet të qarkullojnë në rrugë.
Koncensioni monopol
Që nga shtatori i vitit 2010 kontrolli detyrueshëm teknik i automjeteve, i njohur si kolaudimi kryhet nga një kompani private,e cila ka fituar këtë të drejtë për 20 vjet. Kompania zvicerane SGS “Société Générale de Surveillance” fitoi të drejtën për koncesionin, i cili në atë kohë u kundërshtua fort nga opozita, e cila akuzonte qeverinë, jo vetëm për dhënien e një të drejte në mënyrë klienteliste, por edhe për faturën që do të rendonte në xhepat e qytetarëve. Deri para se të privatizohej ky shërbim të ardhurat nga kolaudimi shkonin në arkën e shtetit. Që pas dhënies me koncesion të kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve, Ministria e Transporteve ka rritur dy herë tarifat për këtë shërbim.
SHEKULLI
Add new comment