Afroj dhe ofroj

Shumëkush prej nesh mund të thotë këto ditë se po afrohet stina e verës, por kurrsesi se kjo e fundit po ofrohet apo edhe më keq po vetëofrohet. Ashtu sikurse mund të themi se ofrojmë një marrëveshje, një vend pune, një pritje të ngrohtë etj., por s’mund ta zëvendësojmë dot foljen në këtë kontekst me ‘afrojmë’.
Ndodh shpesh që në të folmen e përditshme, për shkak të ngjashmërisë fonematike, kuptimet e foljeve ‘afroj’ dhe ‘ofroj’ të ngatërrohen nga individë të ndryshëm përgjithësisht me arsim të ulët apo të mesëm dhe të përdoren gabimisht në vend të njëra-tjetrës. Sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme folja afroj do të thotë: çoj më afër dikujt apo diçkaje, sjell pranë njëri-tjetrit; shkurtoj kohën, e shpie një punë afër përfundimit; e tërheq dikë për t’u miqësuar, e bëj për vete, e bëj të afërt, e fut më rrethin e ngushtë. Kjo folje ka gjithashtu edhe kuptimet e saj figurative. Ndërsa folja ofroj, me rrënjë latine, nuk gjendet në Fjalorin e Shqipes së Sotme, dhe në shqipe përdoret me kuptimin: jap, dhuroj, gostit, qeras; propozoj; paraqes; nxjerr, shes, prodhoj. Pra, siç mund të shihet qartë, nuk kanë asgjë të përbashkët nga ana kuptimore e megjithatë ngatërrohen. Më ndryshe qëndron puna me fjalët e prejardhura prej tyre. Nga folja ‘afroj’ rrjedhin ‘afrim’ dhe ‘afrues’, ndërsa nga folja ‘ofroj’ rrjedhin ‘ofertë’ dhe ‘ofertues’, sa për të përmendur nga dy fjalë të prejardhura për secilën, që janë të dallueshme më qartë dhe që përdoren në kuptimin e tyre të vërtetë. Mund ta afrojmë një ofertë me një kërkesë të caktuar dhe të ofrojmë p.sh. çmime të arsyeshme.
Po sjell këtu nja dy shembuj të thjeshtë për të ilustruar kuptimin dhe përdorimin e këtyre dy foljeve pë rata që i përdorim gabim: ne mund t’i ofrojmë një miku një gotë birrë, pra ta qerasim, dhe t’ia afrojmë shokut të tryezës gotën e birrës, pra t’ia çojmë më pranë. Ose: në mbarë botën partitë politike u ofrojnë popujve të tyre miqëqenie, pse jo një jetë përrallore, por në realitet nuk bëjnë pothuajse asgjë për t’i afruar popujt drejt këtij objektivi.
Me këtë rast do të doja të theksoja se studimi i gjuhës shqipe do të duhej të shtrihej gjatë gjithë viteve të shkollës së mesme që sot në Shqipëri është e detyrueshme. Do të doja të theksoja gjithashtu se shtrimi i problemeve që paraqet sot gjuha shqipe, zgjidhja e tyre, njësimi i normës letrare nuk mund të bëhen me nisma individuale kaçakësh që shtien nga frëngjitë apo kaçubat ku kanë zënë pusi në varësi të kryeministrit të radhës. Ndryshimet që hasen në shqipe në kontekstin e sotëm social-kulturor mund të diskutohen dhe të marrin rrugën e standardizimit vetëm në një Kongres të posaçëm të thirrur nga gjuhëtarët dhe studiuesit e kësaj fushe të të gjitha trojeve shqiptare. Vetëm në një kongres të tillë mund të arrihet kodi i gjithëpranuar mbarëkombëtar.
Add new comment