Vladan Gjorgjeviç, kozmopolitanizmi i një akademiku serb nga Janina

Postuar në 01 Janar, 2026 17:02
Skerdilajd Zaimi

 

Në numrin e fundit të revistës së Akademisë serbe të Shkencave, “Balcanica”, ka edhe një punim të Boris Milosavljevic për prejardhjen e Vladan Gjorgjeviçit. Ky i fundit ka hyrë në diskursin publik të Shqipërisë si mishërim i shovinizmit serbomadh siç edhe përdorej termi, përmes citimit të librit të tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”.

Mirëpo njësoj si figura të tjera të botës akademike serbe, Gjorgjeviç është shumë më tepër sesa kaq dhe inkuadrimi i tij si ankorim i armiqësisë ndaj shqiptarëve është i gjymtuar. Për analogji, të njëjtin retushim drastik i kemi bërë edhe një figure madhore të nacionalizmit intelektual shqiptar si Naim Frashëri, të cilin në përgjithësi e kemi njohur përmes ndonjë poeme me tingëllim kombëtar, instrumentalizuar në parim njësoj. 

Në letrat shqipe për origjinën e Gjorgjeviç ka një kujtesë të shkurtër në një letërkëmbim mes Mustafa Krujës dhe Martin Camajt, sjellë në revistën “Hylli i Dritës” në të cilën Camaj rrëfen se kishte patur një bisedë për këtë çështje me nipin e Gjorgjeviç, që sipas tij kishte profesionin e psikologut. Camaj e bën Gjorgjeviçin me origjinë shqiptare dhe mbiemrin e tij Furka.

Në fakt e gjithë bibliografia për akademikun serb që u bë edhe kryeministër, e konsideron atë si vllah nga “fshati i mirënjohur arumun i Furkës në Janinë”(është befasuese ngjashmëria e tij fizike me Napoleon Zervën, me origjinë nga Suli). Në punimin e vet Milosavljeviç e konfirmon një gjë të tillë, duke dhënë hollësi të tjera që janë diçka më shumë sesa një kuriozitet.

P.sh ai na thotë se mbiemri i familjes së Gjorgjeviç ishte Çuleka-Guma, kurse ai i nënës Leko, me orgjinë nga Vllahoklisura e Kosturit, mbiemër që e mbajnë edhe sot. Emri i akademikut ishte Hipokrat dhe Vladan është kalku serb i tij, ndërkohë që për mbiemrin Çuleka ka një episod me interes të theksuar prej vetë tij. Në një bisedë me mësuesin dhe mentorin e vet, Shushkaloviç, ky i fundit e pyet për kuptimin e mbimerit Çuleka që në fakt ishte një lloj mbiemri i dalluar nga patronimi Gjorgjeviç, që vinte nga një paraadhës me emrin Jorgo/Georgios.

Gjoergjeviç duke u përgjigjur se Çuleka nuk zbërthehej me greqishten, i shpjegon mësuesit se ai ka kuptimin në gjuhën shqipe pasi “ne jemi nga kufiri jugor i Arnaultllukut”.

Ah dakord atëherë, ne do ta bëjmë Çulekën në Çulekiç njësoj si Shushkal në Shushkaloviç.

Jo, shkruan Gjorgjeviç, ky imi vjen nga stërgjyshi im

Autori i punimit shton se diku nga fundit i shekullit të 18-të, Ali Pasha sulmoi fshatin Furka dhe vrau stërgjyshin e Vladanit, priftin Eftim duke sjellë mandej kujtimet e akademikut me terminologjinë e përdorur nga gjyshja e tij, Anastasia, që fliste greqisht:

Pamja e shpirtit të saj të lodhur nuk u ndal as në fushën maqedonase, por u ngjit në majat e atyre maleve, që janë në kufirin mes Epirit dhe Arbërisë(Albania) ku ndodhet fshati Furka…

Të shihet këtu sesi Gjorgjeviç e vendos Arbërinë në kufinj me Janinën!

Nga ana tjetër, familja Leko, konsiderohet si një ndër më të pasurat dhe me ndikim në mbretërinë serbe dhe në elitën serbe në Beograd që në fillim të shekullit të 19-të. Përmes martesave ata arritën deri në lidhje familjare me Karagjorgjeviçët, vetë me një originë të gjithëpranuar nga Vasojeviçët e Malit të Zi, shqiptarë të sllavizuar diku nga shekulli i 17-të, kufi me fise si Kuçi dhe Bratonozhiçi. I gjithë konteksti kulturor i tij ishte grek dhe vllah, serbizmi iu induktua nga njerka e vet Katarina Milijkoviç, ndërkohë që nga të 85 vjetët e jetës së tij, (1844-1930), 35 vjet Vladan Gjorgjeviç i kaloi jashtë Serbisë. Ai u martua me një grua austriake me të cilën pati 11 fëmijë.

Vetë autori pranon se Gjorgjeviç është

një rast i famshëm i procesit të tranferimit kulturor në Beograd në shekujt ’19-20 që nis me një orgijinë greke, vihet nën ndikimin serb, shoqëror dhe familjar, arsmim në Vjenë dhe kulturë austro-hungareze dhe më në fund pasardhësit e tij të ndikuar nga njësi të ndryshme sociale nga Stambolli në Dubrovnik

Ky kozmopolitanizëm është karakteristik për Perandorinë Osmane. Figurat e njohura osmane nga Shqipëria manifestojnë elementë të tillë dhe përputhen në një raport objektiv sa me kuadrin njerëzor dhe kulturor dhe informues të Perandorisë, aq edhe me thyerjet e shumta etno-gjuhësore nga Epiri në Dalmaci. Pronësimi i figurave të tilla në katedrat kombëtare ka sjellë interpretime të gjymtuara të kontributeve të tyre, ka kufizuar në mënyrë radikale diapazonin e veprimtarisë së tyre, duke krijuar dhe qarkulluar Gabime dhe mëkate që në të vërtetë shpjegohen më mirë me debatet e kohës sesa me një dispozitiv Anti-etnik.

P.sh edhe sot ne nuk e dimë ende sesi e ashtuquajtura “çështje shqiptare” hyri në mendimin intelektual serb, nga cilat premisa etnia jonë erdhi e u shndërrua në një problem për t’u zgjidhur; në cilin kontekst marrëdhëniet u helmuan deri në krime monstruoze dhe si u arrit që divergjencat politike të nguliten si antagonizëm i përjetshëm.

Njerëz si Gjorgjeviç kanë ndikim të shumëfishtë në jetën publike të një kohe dhe një shoqërie; hulumtimi i tyre mund të japë mundësi të reja për ta kuptuar gjenezën e marrëdhënieve politike mes kombësive që lindën nga shpërbërja e PO-së, pa mohuar asnjë të vërtetë. Por me intuitë nuk mund të mos theksojmë se origjina e tij familjare nga Epiri, në kufi me botën shqiptare dhe greke, me vetëdije vllahe shpjegon deri diku mprehjen e shqisave politike në adresimin e çështjeve nacionale, pasi një kufitar i ka në lëkurë të gjitha nuancat e keqkuptimeve sepse njeh të gjithë mozaikun.  

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Zoti Zaimi, e kam cekur edhe me pare.
Prrshtjellimet e tua, analizat dhe publikimet qe beni, jane te rralla.
Deshira ime do te ishte qe te degjoja personin tend ne debate te Mediave.
Por kallepi i intelektualit si ty nuk vlejne per Kazanin e Tiranes. Qe, eshte diare me te njejtet maskarenj ketu e 35 vite.
Gezuar Vitin 2026 nga une, ty dhe ekipit te Respublica.

Submitted by Lexues i Rregullt (not verified) on

Faleminderit per gjithe informacionin, shume interesant.
Une them ta tentosh njehere ate podkastin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.