Lazarati si projekt pilot

Postuar në 07 Prill, 2014 07:36
Alqi Koçiko

Nuk besoj se ka mbetur njeri pa i bërë përshtypje kronika e TCH për Lazaratin këtë javë. Në kushte të tjera, mund të thuhej se “policia më në fund hyn në Lazarat”, dhe jo cilido polic, por vetë drejtori i qarkut. Por në fakt, hyrja e uniformës së rëndësishme kishte ndodhur me konsensus, sepse ai dhe kryetari i komunës do të kryenin një bashkëbisedim me nxënësit e fshatit të madh, për të bindur prindërit që këta të fundit të mos merreshin më me kultivimin e hashashit. Me fjalë të tjera, duket se shteti ka vendosur që “principata” e Lazaratit të bindet të heqë dorë nga kultivimi dhe shitja e një substance të paligjshme e të hyjë në rrugë të Perëndisë me dialog, seminare dhe work shop-e. Gati-gati më ngjau me një konferencë për dhunën kundër gruas, apo për të këqijat e duhanit ose për promovimin e ecjes me biçikletë. Thuajuni prindërve të mos hanë fast food-e se kanë kolesterol. Zaten, kjo rrugë ishte paralajmëruar me disa deklarata të mëhershme të ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që këtu e pak muaj më parë shkaktuan jo pak reagime. Kujt ndjek mediat dhe rrjetet sociale, i kujtohet se shumëkush mbeti i habitur me këtë “trajtim preferencial” ndaj fshatit rebel. Por pati dhe asi komentuesish që e mbështetën këtë këndvështrim të qeverisë, duke thënë se Lazaratit që është bërë si delja e zezë për shkak të kombinimit hashash plus votë për PD-në, po i bihet ca si shumë në qafë, sepse zona të tjera “bëjnë namin” me hashash ndërkohë që vëmendja është drejtuar nga ky fshat.

Përtej pafuqisë dhe qëndrimit si mbi gjemba e plot siklet të kryepolicit të qarkut, epiqendra e takimit në fjalë me gjimnazistët lazaratas ishte kryetari jetëgjatë i komunës, Dashamir Aliko. Thënë shkurt, thirrja e Alikos ishte kjo: Thuajuni prindërve e vëllezërve, që të heqin dorë nga hashashi dhe paratë që kanë fituar tërë këto vite, t’i investojnë në biznese të ndershme dhe produktive; boll i lanë nëpër kazino dhe makina të shtrenjta! Duhet thënë se ky qëndrim publik është origjinal vetëm si artikulim zyrtar i një pushtetari lokal. Sepse në të vërtetë, investimi i parave të drogës e trafiqeve në biznese të tjera është ajo që po ndodh në realitet prej 20 vitesh në Shqipëri, me dijeninë dhe para syve të të gjithëve. Pak a shumë, Aliko propozoi atë që dëshironte dhe nuk arriti dot të bënte Majkëll Korleone në serinë e tretë të sagës së “Kumbarit”. 

Kapitull më vete meriton pastaj, reagimi i një gjimnazisteje ndaj kësaj thirrjeje të kryekomunarit. “Gjejuni punë prindërve tanë”, tha pak a shumë vajza syshqiponjë, “po deshët që ta lënë hashashin”, duke korrur duatrokitjet e bashkëmoshatareve. Nga intonacioni dhe mimika triumfatore, kam përshtypjen se vajza në fjalë nuk e kishte fjalën për një punë dosido; por për një angazhim të ngjashëm me përfitimet që sjell bima narkotike. Përndryshe ç’punë do ishte ajo? Pra, përveç legalizimit ose në daçi, miratimit nga “ALUIZNI i narkotikëve” i parave dhe aseteve të deritanishme të hashashit, duhet që shteti të marrë masa për mundësitë e punësimit të fshatit të madh. Arsyetimi kundërpërgjigjës i Alikos se “edhe fshatra e zona të tjera vuajnë për punë dhe kanë varfëri, por s’mbjellin hashash”, nuk piu ujë.

Pas këtij evenimenti, duhet ngritur pyetja: Kjo është vërtet strategjia që shteti shqiptar ka për Lazaratin? Punë bindëse, përditë dhe me durim, që edhe ky fshat të hyjë në kooperativë? Fletëpalosje dhe postera për të këqijat e narkotikëve? Apo mos është një taktikë specifike, që parashikon luftë pa kompromis për kapjen e sasive të trafikuara duke ua asfiksuar biznesin kultivuesve, derisa këta të binden se kështu nuk ka leverdi? Fakti është që vetëm pak kilometra më në jug, në Shëndelli të Sarandës, një i dyshuar për trafik narkotikësh, shtiu mbi shefin e antitrafikut teksa ndiqej nga uniformat blu; ndërsa në zona e rajone të tjera, kudo ku pikasen parcela okulte apo njerëz të përfshirë në këtë trafik, shteti vepron me forcën e ligjit. Dhe ministri i Brendshëm nuk ka sqaruar përse pikërisht në Lazarat “çështja është delikate dhe me sfond jo thjesht policor, por edhe social”, por nuk është e tillë në fshatrat e Vlorës, Fierit, Sarandës, Malësisë së Madhe etj. Përse kryetarët e komunave të Krujës a Librazhdit, i janë dorëzuar gjyqit për moskallëzim të kultivuesve të hashashit, në vend që të organizonin simpoziume bashkë me policinë, për të bindur “kundravajtësit” që paratë e trafikut t’i legalizojnë në biznese të hajrit që paguajnë taksa? Nëse në fund të fundit, ky është qëllimi final dhe kjo e Lazaratit është një projekt pilot, atëherë aferim. Këtë bimë le ta legalizojmë dhe të lidhim kontrata me Holandën.   

 

Revista Klan nr.864

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.