Prokuroria mes sprovash të pavarësimit

Postuar në 12 Gusht, 2014 03:39
Ilir Dhima

Pas plasjes së skandalit të vjedhjes së një shume të konsiderueshme parash nga arkat e Thesarit të Shtetit, vëmendja e publikut shqiptar, madje edhe e një pjesë të atij jashtë vendit tonë, më së shumti është përqendruar te veprimtaria e Prokurorisë për zbardhjen e së vërtetës së këtij akti dhe për shkaqet e lidhura me përgjegjësi konkrete të drejtuesve, që  krijuan teren të mjaftueshëm drejt një grabitjeje të pashembullt në asnjë bankë qendrore të botës.

Nga veprimet hetimore të deritanishme, por edhe nga indiciet e shprehura nën surdinën e një trompe buçitëse, çdo ditë e më shumë shtrohen një sërë pyetjesh: A është shuma e deklaruar deri tani prej 7.13 miljonë lekësh kufiri i fundit i vjedhjes në Departamentin e Emisionit (alias, Sektori X) të Bankës së Shqipërisë? Prej sa kohësh rresht “futeshin duart” në Thesarin e Shtetit? Po boshllëqet në nxjerrjen e akteve nënligjore të vërejtura deri tani a janë krijuar me apo pa dashje nga drejtuesit ekzekutivë dhe Këshilli Mbikqyrës i këtij institucioni kushtetues? Çfarë mbikqyrje efektive apo kompromentuese ka zhvilluar Banka Qendrore mbi bankat e nivelit të dytë?

     Le ta ndërpresim këtu tiradën e pyetjeve me këtë temë, sepse edhe këtyre që përmendëm do të duhej t’u përgjigjeshin në një të ardhme të afërt kryesisht rezultatet e bashkëpunimit me auditin e një kompanie financiare ndërkombëtare të pavarur, e cila pritet të mbërrijë në Shqipëri dhe të instalohet këtu së shpejti. Me një harmonizim të tillë veprimesh, Prokurorisë nuk i zbehet roli. Përkundrazi, dosja mbi skrivanitë e veta do të shtohej e shumëfishohej, çka do të thotë që zbardhja e saj në një rast të tillë figurash komplekse të disa veprave penale do të kërkonte ekspertiza me spektër të gjerë dhe hetime me kualifikim juridik të plotë.

Njëherazi, duke u njohur me reagimin e Qeverisë, e cila “çmon me rëndësi po aq të madhe qoftë nevojën e një ndëshkimi shembullor nga drejtësia për fajtorët, qoftë nevojën e një qëndrimi shembullor të saj në respekt të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë”, Prokuroria tani ka shanse që të përballet me një sprovë të mirëfilltë dhe serioze të integritetit të veprimtarisë së saj.

     E theksojmë këtë, sepse që në fillim të viteve ’90, ndër  institucionet kushtetuese dhe ato të pavaruara të goditura në mënyrë ballore dhe me ashpërsi të veçantë ka qenë Prokuroria, duke u tentuar në vazhdimësi që ajo të vihej së paku politikisht në varësi të qeverive dhe mazhorancave parlamentare që krijonin ato, reminiçencë kjo e praktikave të regjimit të kaluar monist. Ndonëse për të shmangur këtë rrezik Kushtetuta në fuqi parashikonte qysh në tekstin origjinal të saj që prokurorët të organizohen dhe të funksionojnë pranë sistemit të drejtësisë, si edhe t’u binden vetëm Kushtetutës dhe ligjeve, prirja për t’i vënë ata nën sqetull të Ekzekutivit ka qenë një tipar i politikës shqiptare.

Ky tipar është bërë më i dukshëm me shkarkimet e njëpasnjëshme të të gjithë juristëve që janë zgjedhur për të ushtruar funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, vetëm pasi ata (në ndonjë rast) kanë guxuar të shpërfillin urdhërat dhe porosit e jashtëligjshme të segmenteve politike me pushtet.

     Kjo klimë tensioni është një nga shkaqet kryesore që shpesh herë Prokuroria ka qenë indiferente ndaj kryerjes së veprave penale prej përfaqësuesve të mazhorancave qeverisëse dhe personave të afërt me ‘to, apo edhe kur ka nisur procedimet përkatëse nuk ka kaluar shumë kohë t’i mbyllë ato “për mungesë provash”. Madje, edhe në raste logaritmesh të një kallëzimi, në vend që të kërkohej baza e përbashkët e provave dhe të vërtetoheshin ato, më së shumti është zgjatur pa mbarim procesi i verifikimit paraprak (si në rastin e fundit të kallëzimeve ndaj Ish ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami rreth blerjes me shuma të mëdha të disa aparaturave dhe vënien e tyre në dispozicion të ShIU, mbi përgjimin e opozitës dhe ambasadave të shteteve aleate), për të cilin ligji parashikon një afat kohor të caktuar dhe të ngushtë, përndryshe ekziston rreziku i zhdukjes së provave, deformimi i shpjegimeve të dëshmitarëve etj.

Për t’i konkretizuar me çështje të veçanta këto prirje të zakonshme në punën e organit që kushtetutshmërisht duhet të ushtrojë ndjekjen penale dhe të përfaqësojë akuzën në gjyq në emër të shtetit (jo të pushtetit!), në të vërtetë nuk do të dilte vendi as për fashikuj të tërë, jo më për formatin e një shkrimi gazetaresk. Sidoqoftë, në këto rradhë mund ta hedhim vështrimin tangencialisht te ndonjë dosje tepër e zhurmshme, që nga organi i akuzës nuk ka qenë e hapur as për shqyrtim, apo te ndonjë tjetër që ka zënë shumë pluhur me kalimin e kohës.

     Rreth dy muaj më parë, kur Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Aleancës për Shqipërinë Evropiane u pyet gjatë një konference shtypi, për hetimet e Paktit me Greqinë fqinje rreth delimitimit të kufijve tanë detarë, ai e adresoi përgjigjen te Prokuroria, që – sipas tij - i kishte të gjitha dokumentet e nevojshme. Ndërsa vetëm javën e shkuar, nga Prokuroria e Tiranës u mësua se më së fundmi nisi regjistrimi penal rreth kësaj çështjeje. Mirë, por përveç faktit që në këtë rast ky organ nuk e ushtroi ndjekjen penale kryesisht, pra me nismën e prokurorit (sipas përcaktimit të nenit 24/3 të Kodit të Procedurës Penale), vëmendjen nuk mund të mos të ta tërheqë edhe koha e gjatë që ka kaluar, deri sa ky organ i “thirri” kujtesës së vet.

Kurse në komentin e sotëm, për t’i “thirrur” paksa kujtesës së lexuesit, le shpjegohemi me përmendjen e disa detajeve të domosdoshme të çështjes. Më së pari, në zbatim të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, e hapur për nënshkrim më 1982 në Montego Bay (Xhamajkë), në Shqipëri u ngrit një grup ekspertësh vendas, që do të negocionin me autoritetet greke për të ripërcaktuar kufirin nga të dy Shtetet në Detin Jon, kryesisht në Ngushticën e Korfuzit.

Pas hartimit të tekstit të Marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, 4 vjet e 8 muaj më parë Kryeministri i asokohe, Sali Berisha mblodhi me urgjencë Qeverinë një të premte në orën 1400 (kur anëtarëve të saj do t’u duhej t’ia mbathnin për pushimet e asaj fundjave) që të njoftonte se pas tri ditësh, të hënën e ardhshme, më 26 janar 2010, Tiranën do ta vizitonte Kryeministri i atëhershëm i Greqisë, Karamanlis, për të asistuar gjatë nënshkrimit të asaj Marrëveshje nga Ministrat e Punëve të Jashtëm të dyja qeverive, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis.

Kështu pra, me një ngritje të rrufeshme duarsh, Berisha nuk u lodh aspak të firmoste “Vendimin” përkatës të Këshillit të Ministrave, që u pasua me nënshkrimin e Paktit nën shoqërimin e buzëqeshjeve të ngrohta. Dhe më pas, ndërsa Bakojanis mburrej në Parlamentin e vendit të vet me arritjen e këtij suksesi përfitimesh të mëdha për Greqinë, atmosfera politike, shkencore dhe shoqërore në Shqipëri u përfshi prej debateve të zjarrta dhe akuzave të forta ndaj atyre që urdhëruan, negociuan dhe nënshkruan këtë (citoj) “tradhëti kombëtare”, këtë “dhurim të një pjese të deteve tona”, këtë “cenim të sovranitetit territorial”, këtë “shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare” etj. Por, ata që formuluan këto akuza, Berisha i quajti publikisht ‘pseudo’ dhe të ndikuar nga Partia Socialiste, që atëhere qendronte në opozitë. A ishte i përshtatshëm ky epitet apo nofkë?

     Me këtë force politike kryesore të opozitës në Legjislaturën e kaluar u bashkuan edhe pesë parti të tjera që gjithashtu bënë ankim në Gjykatën Kushtetuese, e cila nga ana e vet u shpreh pa vonesë me vendimin unanim të 9 anëtarëve të saj, nr. 15, datë 15.04.2010, duke e deklaruar Marrëveshjen në fjalë si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës. Konkretisht, Gjykata çmoi: a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Marrëveshjes; b) Mangësitë serioze në përmbajtjen e Marrëveshjes; c) Moszbatimin e të drejtës bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e kufijve; ç) Mosmarrjen parasysh të ishujve, si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

Ky vendim, që përmban 113 paragrafe të rradhitura në plot 78 faqe të një vëllimi për jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese gjatë vitit 2010, vërtet që “ia preu gjuhën” qeverisë së kaluar, të rrëzuar në mënyrë spektakolare në zgjedhjet periodike parlamentare më të afërta, por sidoqoftë nuk mundi “të zgjonte nga gjumi” Prokurorinë, që duke studiuar aktin e organit të rishikimit kushtetues me fuqi erga omnes nuk do të kishte nevojë as ta shtynte kohën me ndonjë proces verifikimesh, duke marrë në pyetje vetëm anëtarët e ekipit negociator dhe duke përjashtuar nga ky proces urdhëruesin e asaj Marrëveshjeje famëkeqe apo edhe nënshkruesin e saj.

     Për analogji të vonesave të tilla, mund të “nxjerrim” nga sirtarët e organit të akuzës edhe një çështje tjetër të mbi 2 viteve më herët se sa ajo që treguam më lart. E pra, çfarëdo shënimi që mund t’i jetë vënë apo t’i vihet dosjes së shpërthimit në Gërdec, ajo ende nuk mund ta ketë vendin nëpër arkiva. Nuk mund të strehohet atje, përderisa edhe sot e kësaj dite nuk u janë nështruar gjykimit personat përgjegjës, të cilët lejuan në mënyrë antiligjore të zgjidhej ai sheshi ku u bë përsheshi. Dhe ja sepse! Ndonëse pragut të vjeshtës së 2009 – ës, pasi çështja ishte për gjykim në Gjykatën e Lartë, trupa e kësaj të fundit i kërkoi Prokurores së Përgjithshme që të përsëriste kërkesën për heqjen e imunitetit të ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që ishte zgjedhur n’atë kohë deputet në Kuvendin e Shqipërisë edhe për Legjislaturën e kaluar, Ina Rama nuk e kreu këtë obligim ligjor dhe kjo çështje u la në harresë.

As Kryeprokurori pasardhës, Adriatik Llalla, megjithëse në urimin që i bëri për detyrën e re Ambasada amerikane në Tiranë nuk mbetej pa i kujtuar zbardhjen e plotë, gjithëpërfshirëse të çështjeve të Gërdecit dhe 21 Janarit, atij asnjëherë s’i bënë këmmbët drejt Kuvendit për Mediun. Madje, as pasi u kufizua ndjeshëm edhe kushtetutshmërisht imuniteti për deputetët dhe ministrat.

Tani që pushtetarët e mëparshëm janë në opozitë, Llalla mbase edhe mund të trimërohet paksa. Megjithatë, hetimi dhe gjykimi i çështjeve penale apo edhe e atyre me natyrë civile, tregtare etj, në vend që të verifikojnë pavarësimin e aktivitetit të organit të akuzës shtyten thjesht prej rotacionit të pushtetit Legjislativ dhe Ekzekutiv, do të ishte thjesht një farsë. Një farsë, që s’ka përbashkësi me thelbin e shtetit të së drejtës, nëpërmjet të cilit sistemi i vlerave demokratike depërton te mekanizmat juridikë.

Dhe këta mekanizma nuk mund të vihen në lëvizje varësisht rezultateve të zgjedhjeve periodike apo dhe diskurseve selektive. Sikurse as me zemërgjerësinë e përftuar nga mirënjohja ndaj atyre që të kanë emëruar e lançuar në maja të piramidës së sistemit gjyqësor, dhe as me dëshirën vetjake për të fituar kredenciale te pushtetarët e rinj. Këto lloj tendencash, të njohura në Shqipëri prej vitesh, nuk mund të vlerësohen veçse si pjesë të së njëjtës monedhë të vjetëruar, që së shpejti mund të dalë nga qarkullimi, dhe që dallgët e mëdha të një reforme të thellë në drejtësi ta nxjerrin e ta lëshojnë në brigje të vetmuara ranore apo shkëmbore.

 

Shqiptarja.com

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.