Buka e thekur dhe jeta e djegur

Historia e trishtë e vajzës 17 vjeçare që në një fshat të Pukës rrezikon jetën, duke lidhur linjën e paligjshme të korentit, për të thekur bukën e shtëpisë dhe pastaj arrestohet, duhet të shërbejë si një kambanë e fortë për pasojat që reforma në energjetikë mund të na sjellë. Qeveria ka bërë mirë që ka nisur reformën e thellë në korentin që marrim, por e mësuar për të vjedhur energjinë ka qenë praktikisht e gjithë popullata.
Për ne shqiptarët, përfitimi i energjisë elektrike në shtepi apo në biznes, pa e paguar të gjithën, ose duke mos e paguar fare, ka qenë një mënyrë jetese që ka vazhduar për 24 vjet. Disa thjesht lidheshin me faturuesin, i cili ose e cila u faturonte më pak dhe për këtë i jepnin para bakshish çdo muaj ose një herë në dy-tre muaj. Të tjerë, dhe këta ishin shumica, manipulonin sahatet elektrikë(zakonisht fusnin një tel që e bënte sahatin të tregonte më pak) ose ashiqare e merrnin energjinë nga një linjë paralele, ndërsa sahatin e vinin në veprim një ose dy ditë në muaj. Kuptohet që kur vjedhja ndërpritet tek sipërmarrësit privatë, apo tek familjet me të ardhura të mesme, ajo i bën mirë shoqërisë sonë dhe realisht forcon shtetin e së drejtës.
Por kur vjedhja ndërpritet tek ata që energjinë e kanë vjedhur(dhe janë me dhjëtra mijëra), sepse ndryshe nuk kishin ta paguanin, ose e përdornin për ngrohje, sepse të blinin dru zjarri kushtonte shumë dhe nuk kishin mundësi, e drejta që qëndron në anën e qeverisë dhe dëshirës së saj për të ndërtuar shtet ligjor, nis e lëkundet. Sikur ajo vajzë 17 vjeçare e një familjeje shumë të varfër në Pukë (mos e dhëntë Zoti!) të ishte aksidentuar dhe të kishte humbur edhe jetën duke lidhur tela të zhveshur e të paligjshëm të energjisë elektrike, do të ishte viktima e parë e pafajshme e një reforme shumë të drejtë.
Dhe kjo nuk duhet kurrsesi të ndodhë! Me mijëra familjeve vërtet shumë të varfra kudo në Shqipëri, që nuk kanë ta paguajnë energjinë edhe sikur të ishte me fashën e mbrojtur me 300 kilovat-orët e para harxhim, duhet t’u jepet një mundësi për të mbijetuar dhe mos rrezikuar. Shumica janë në qytetet tona në shtëpi të papërshtatshme për banim në një kohë shumë të ftohte, ose në fshatra të thellë malorë. Përpara kemi një dimër të shkurtër dhe shumë të ftohtë.
Qeveria duhet urgjentisht të ketë listat e këtyre familjeve mirëfilli shumë të varfëra. Vetëm protesta dhe revolta e tyre do të ishte e drejtë, mes qindra mijë vjedhësve të pakënaqur nga pamundësia për të vjedhur akoma energjinë elektrike. Dhe të parëtmeritojnë të hyjnë në një program të plotë të mbrojtjes sociale. Jo vetëm që këtyre familjeve mirëfilli të varfra duhet t’u kompensohet energjia elektrike e rritur si çmim(për fashën 300 kilovat-orë) që nga 1 janari 2015, por që tani në dhjetor 2014, këtyre familjeve duhet t’u sigurohen lëndë drusore falas për zjarr, që të mund të ngrohen në dimër, si dhe atyre që nuk kanë një sobë me dru, t’u kompensohet blerja e një të tille. Vetëm këtyre familjeve shteti ynë, po të dojë të tregohet me tamam social, duhet t’u falë kamatëvonesat në faturat e papaguara të mëparshme.
Dhe t’u krijojë mundësinë që faturat e papaguara(pa kamatëvonesa) të mund t’i shlyejnë në një periudhë të gjatë kohore(3-5 vjet). Vetëm kështu mund të mbahet në këmbë shteti i së drejtës, pa favorizuar në reformën energjetike askënd që nuk e meriton, por edhe nuk do të shkelet e drejta e të varfërve shqiptarë për të mbijetuar me dinjitet. Policët e Saimir Tahirit që arrestuan, duke kryer detyrën, vajzën 17 vjeçare nga Puka për lidhjen e paligjshme të korentit që kishte vënë në shtëpi, u sollën mirë me të në Pukë dhe në Shkodër, e për këtë morën falënderimet e nënës dhe vetë vajzës, si dhe të gjithë neve, për zemrën e dhembshur dhe mirësjelljen që treguan, por punonjësit socialë të Erion Veliajt duhet të shkojnë pa humbur kohë fshat më fshat dhe në zonat më të varfra të qyteteve tona, për të rregjistruar ose verifikuar familjet mirëfilli të varfra.
Dhe përpara datës 1 janar 2015, qeveria duhet të ketë gati paketën e plotë të kompensimit për këto familje, jo vetëm paratë për të mbuluar diferencën e çmimit për 300 kilovat-orët e parë. Dhjetori mund të jetë një muaj shumë i ftohtë. Ndryshe e drejta e reformës së thellë në energjetikë, përballë këtyre mijëra familjeve, nuk do të jetë më në anën e shtetit dhe qeverisë.
Shqiptarja.com
Add new comment