Momenti i së vërtetës për myslimanët e Francës

Paris – Të premten, pas faljes në Xhaminë e Madhe këtu, besimtarët u shfaqën duke mbajtur banera ku shkruhej, me në sfond flamurin francez, “Touche pas à mon pays,” pra “Mos ma prekni vendin tim” — duke i bërë jehonë sloganit të shoqatës franceze të anti-diskriminimit SOS Racisme: “Touche pas à mon pote,” pra “Mos më prek me dorë.” Parulla të tjera theksonin se terroristët që vranë gazetarët te “Charlie Hebdo” dhe klientët e një supermarketi kosher javën e kaluar, nuk ishin myslimanë të vërtetë – sikurse nënvizoi me forcë edhe familja e Ahmed Merabet, polici mysliman që u vra teksa përpiqej të mbronte “Charlie Hebdo”.
Shumica e myslimanëve në Francë ndihen plotësisht francezë dhe duan që shumica e shoqërisë franceze t’i pranojë si të tillë. Por, pavarësisht se sa kategorikisht ata e dënojnë terrorizmin e shkaktuar në emër të Islamit, shumë qytetarë francezë vazhdojnë t’i shohin këta me dyshim, jo pa kurrfarë të drejte. Për disa dekada me radhë, islamistët kanë punuar fort nëpër burgje, nëpër parafabrikate dhe xhamitë e lagjeve, duke ndikuar në krijimin e një identiteti të fortë fetar dhe shpresë për të ardhmen për të rinjtë e zhgënjyer.
Islami është bërë më shumë sesa një fe: për shumë të rinj francezë me prindër emigrantë, ai tani garanton një kulturë që vetë Franca nuk ka mundur t’ua japë. Për disa, dëshira për jetën është zëvendësuar nga dëshira për vdekjen: vdekjen e të tjerëve, të pafeve, dhe vdekjen personale si martirë për të shkuar në parajsë. Kjo është mënyra se si i ka rekrutuar Al Kaeda dhe ISIS vullnetarët, që më pas i ka trajnuar në Irak, Jemen, Pakistan apo Libi.
Qeveria franceze nuk i ka kushtuar vëmendje serioze dhe të qëndrueshme situatës së trishtë në periferitë e saj, një zonë e braktisur ku jetojnë ose thjesht mbijetojnë të rinj të përjashtuar nga shoqëria. Rekrutuesit islamistë shënjestrojnë këtë hapësirë boshe, të lënë pas dore nga shteti. Gjuha raciste në rritje e Frontit Nacional të së djathtës dhe një rrymë diskursi intelektual që i akuzon emigrantët dhe fëmijët e tyre se po mjegullojnë kombësinë franceze, ka sjellë zemëratë ndërmjet të rinjve, franceziteti i të cilëve është gjithnjë në pikëpyetje dhe që nuk është marrë asnjëherë si i mirëqenë.
Libri i fundit i romancierit Michel Houellebecq, “Nënshtrim”, përfytyron një Francë të qeverisur nga një president mysliman më 2022-shin, i cili i rikthen gratë në shtëpi dhe legalizon poligaminë. Një polemikë e kohëve të fundit, “Vetëvrasja franceze”, nga gazetari Éric Zemmour, përshkruan rënien e Francës nën influencën e rrezikshme të kryengritjes së studentëve në maj të vitit 1986, emigracion, martesa mes të njëjtit seks dhe feminizëm: ide ultrakonservatore dhe reaksionare që e kanë bërë këtë lubër një best-seller dhe që përmbledhin ato të Frontit Nacional (edhe pse joqëllimisht, sipas z. Zemmour).
Franca është tronditur, traumatizuar, është lëkundur fort. Francezët janë trembur, ose për të qenë më të saktë, po tremben. Fronti Nacional e ka kthyer frikën në kredon e tij politike. Ajo demonizon miliona emigrantë si pushtues që vegjetojnë nga përfitimet e shtetit social, duke i lënë kështu të tjerët pa punë. Sigurisht, një arsyetim i tillë nuk qëndron. Sikurse kanë bërë me dije ekonomistët, shtetet e Perëndimit duhet të shqetësohen më tepër për popullsinë e tyre të moshuar sesa për emigrantët. Nëse të gjithë myslimanët e Francës do të ktheheshin me shkop magjik në vendet nga ku kanë ardhur, vendi do të shkatërrohej ekonomikisht.
Kështu që Franca luhatet midis një të djathte ekstreme më të fortë se kurrë (sondazhet tregojnë se udhëheqësja e Frontit Nacional, Marine Lë Pen, mund t’ia dalë mbanë – në mos në turnin e parë të votimeve, në të dytin – në zgjedhjet presidenciale të 2017-s) dhe traditave të saj liberale të azilit. E djathta kërkon të mbyllë kufijtë dhe t’i kthejë emigrantët pas, ndërsa e majta është e vendosur t’u qëndrojë besnike parimeve të saj humane.
Ndryshimi i jetës së përditshme të francezëve myslimanë lyps një vizion të ri politik, një vendosmëri të vërtetë për t’u përballur me problemet e periferive të rrezikuara, dhe një ndërgjegjësim mbi identitetin e të rinjve francezë, të cilët janë lënë në mëshirë të fatit, duke u shndërruar në viktima të racizmit çdo herë që kërkojnë punë apo që dalin mbrëmjeve për t’u zbavitur. Autoritetet duhet të ballafaqohen me aktivitetet e rekrutimit të imamëve ekstremistë dhe të monitorojnë fjalimet e tyre. Ata duhet ta përforcojnë gjithashtu punën e tyre nëpër burgje, të cilat janë shndërruar në vende ideale për indoktrinimin që prodhon ushqim për xhihadin. Dhe së fundi, një përpjekje më e madhe duhet bërë nëpër shkolla, ku tekstet duhet të rishikohen dhe të pasqyrojnë diversitetin e traditave franceze dhe të zhvillohen kurse të reja mbi racizmin dhe historinë e feve.
Por i përket gjithashtu myslimanëve të organizohen dhe të japin një edukatë të re për adoleshentët – shumë prej të cilëve lihen në hesapin e tyre dhe bëhen pre e lehtë e rrjetit të islamizmit politik dhe rekrutuesve xhihadistë. Disa imamë kanë premtuar se do ta ndërmarrin këtë operacion shpëtimi, por është detyrë e vështirë. Në disa shkolla në departamentin e Seine-Saint-Denis, për shembull, disa studentë me prindër emigrantë refuzuan që të mbanin një minutë heshtje të enjten për të nderuar viktimat e masakrës terroriste.
Gjithsesi, miliona njerëz që marshuan paqësisht nëpër qytete anembanë Francës të dielën, janë shkak për të shpresuar. Lidhja false midis Islamit dhe islamizmit vrasës është mbajtur larg. Burrat dhe gratë e shumta myslimane në këto demonstrata, që mbanin parulla ku shkruhej “Unë jam mysliman, unë jam hebre, unë jam Charlie”, ranë gjerësisht në sy.
Tragjedia e Francës pati një jehonë në të gjithë botën. A do të mundet vendi tani, të paktën, të hedhë një kamerdare shpëtimi për një brez qytetarësh të rinj francezë që ishin lënë për faqe të zezë të paushqyer dhe të paarsimuar, duke u joshur lehtësisht nga njerëz të dhunshëm që nuk janë ashtu siç duken?
Presidenti Fransua Hollande duket se ka dalë i përforcuar nga kjo ndodhi dhe është vlerësuar për fisnikërinë dhe dinjitetin e tij. Do të shohim nëse ai do të vazhdojë në trashëgiminë e së dielës për liberté, égalité, fraternité.
"Mapo"
Add new comment