Ç’është mirë e ç’është keq?

Postuar në 24 Mars, 2012 04:49

Kur njëri nga ata aventurierët evropianë që nga pak merreshin edhe me antropologji, shumë kohë më parë, diku në xhunglat e pashkelura të Afrikës, kishte zbuluar disa nga fiset afrikane, të cilët as që kishin idenë për civilizimet përtej, pyetja e parë kishte të bënte me konceptin e tyre për vlerat.

Çka është e keqja, ajo më e keqja që mund t’ju ndodhë juve?, - kishte pyetur ai.

Keq është kur ata të fisit kundërshtar, përtej malit, vijnë e na vrasin, na i dhunojnë gratë, na i djegin kasollet e na i plaçkitin bagëtitë...thoshte më i mençuri nga ta, i pari i fisit me atë hundën e shpuar, i përcjellë nga vështrimet e pjesëtarëve të fisit që e rrethonin.

E çka është e mira, ajo që ju bën të lumtur, - shtroi ai pyetjen e kundërt.

Mirë është kur ne shkojmë dhe atyre ua djegim kasollat, i vrasim, ua dhunojmë gratë dhe kthehemi me tufën e bagëtive të tyre. Kjo është bash mirë, thoshte plaku, fisi i të cilit gjithë jetën e kishte kaluar në luftë brenda konceptit të tillë për të mirën e të keqen.

Diçka e përafërt, që në fazat fillestare të civilizimeve mund të ketë qenë krejtësisht normale, duket të jetë rendimentuar edhe në mentalitetet tona ballkanike me mendësinë e fiseve dhe konceptet e përmbysura për vlerat.

Përvoja si ajo e fiseve afrikane, me gjithë ato tmerre e projekte shfarosëse gjatë shekullit të kaluar e deri te ato të fundit në Kosovë, sidomos mes shqiptarëve dhe serbëve, dy popujve më të mëdhenj, na e kanë bërë zot shtëpie një urrejtje gati patologjike. Janë mbi 100 vjet luftime e konteste mes serbëve e shqiptarëve për atë se deri ku shtrihet kufiri mes tyre.

Një armiqësi që rajoni i brishtë vështirë do të mund ta durojë. E paradoksalisht janë dy popujt me më së shumti probleme nacionale të pazgjidhura në rajon dhe si të tillë, nëse dëshirën më të madhe nuk do ta kishin që fqinjit t’i ngordhë lopa, një aleancë mes tyre do të ishte e natyrshme, aleancë që do të paqësonte jo vetëm dy popujt.

Fakti se temës tabu të kufijve iu hoq velloja, mund të lexohet si shenjë e pjekurisë për t’u marrë me problemet. Edhe pse, si vetë djallit i jemi shmangur t’ia përmendim qoftë edhe emrin, disa ngjarje të fundit, plumbat në Gostivar, rrahjet dhe gurët e mistershëm mbi autobusët e nxënësve shqiptarë në Shkup, Kumanovë... si dhe disa zhvillime në pjesën mbi Ibër, mundësinë e kërkimit të ndonjë ndryshimi funksional e bën reale.

„Nëse vjen puna që të hapet çështja e kufijve në Ballkan, shqiptarët më së miri do të jetonin të bashkuar në një shtet të vetëm“, ishte deklarata e kryeministrit Thaçi që la pa frymë ata që kishin menduar se ai nuk di të luajë edhe në terrenin e Vetëvendosjes e të Kuqezinjve. Përgjigjja e Beogradit erdhi shpejt, duke rikujtuar se nëse ndodh kjo, atëherë edhe serbët do të mund të merren me zgjidhjen e statusit të tyre në rajon, në rend të parë në Republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.

Këto dhe deklaratat gjithnjë e më të shpeshta në kërkim të një zgjidhjeje për veriun, si dhe nevoja për gjetjen e një zgjidhjeje që Maqedoninë do ta bënte funksionale, duke faktorizuar shqiptarët si një nga dy shtyllat bartëse, por edhe futja “përkohësisht” nën tepih e çështjes së Luginës, mund të jenë në të ardhmen e afërt drejt paqësimit të rajonit.

Më në fund, se zgjidhja për Kosovën si projekt i përbashkët nuk do të thotë domosdo se vërtet është projekti i fundit, pas të cilit ndryshime të tjera nuk ka dhe nuk do të ketë, është vështirë e besueshme. Kreatorët e projektit mund të kenë evoluar e mund të jemi ne ndër ata të rrallët që ende besojnë në të.

Dhe nuk ka asgjë të keqe. Pse të mos hapen edhe tema të tilla. Shqiptarët nuk janë më ajo turma e defaktorizuar në bisht të Perandorisë Osmane, që shkonte zvarrë duke lënë prapa copat e shkëputura gjithandej gadishullit të përgjakur.

E kapaciteti për të shtruar në tavolinë dhe për t’u marrë edhe me tema të tilla dëshmon vetëm pjekurinë dhe kapacitetet e dy popujve, që megjithatë nuk duhet të kenë nxjerrë mësimin e duhur nga përvoja e vet.

Më në fund, edhe ai plaku i fisit në xhunglën e Afrikës, pas aq vjetësh e përvojash, mund të ketë ndërruar mendjen. Dhe ta ketë kuptuar se e keqja dhe e mira nuk janë bash ashtu siç kishte menduar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.