Presidencialet, një garë për tu shpikur

Postuar në 04 Maj, 2012 03:00

Mbrëmë në Francë kandidatët e turit të dytë, Sarkozi dhe Hollande, u përballën për rreth dy orë e gjysëm në debatin e madh televiziv në prag të votimeve të së dielës. Debate të tilla janë një festë e demokracisë. Kandidatët “zhvishen” para publikut me duart e tyre dhe të njëri-tjetrit. Zgjedhësit e dinë se beteja bëhet për të fituar zemrat dhe mendjet e tyre. Kjo i bën ndihen sovranë dhe të gjykojnë më mirë se kush duhet t’i përfaqësojë. Shqipëria është e privuar nga kjo mrekulli. Shqipëria e zgjedh presidentin pa garë, pa presidenciale. Arsyet aktuale janë dy: kufizimet e sistemit dhe kufizimet e zakoneve. Te ne Presidentin e zgjedh Kuvendi. Shansi numër një i kandidatëve për t’u zgjedhur është të merren vesh me Berishën dhe Ramën, pra të bëjnë “fushatë” për dy njerëz. Kuptohet se kjo nuk mund të jetë fushatë, por një bisedë e vështirë, një bisedë në fije të perit. Me termat që kandidati do të përdorë për ta rregulluar me Ramën, mund ta prishë me Berishën dhe anasjelltas. Ky i fundit ka gjithnjë një kusht-shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, përshembull- që shpartallon që në nisje mëvetësinë dhe dinjitetin e kandidatit për President. Në këto rrethana kandidati nuk rivalizon,- rivalët nuk ekzistojnë në këtë skemë-por thjesht përshtatet e pwrshtatet, sa në një krah në tjetrin, duke renoncuar nga vetvetja. Zgjedhja eventuale me këtë skemë prodhon një President pehlivan, të dobët po se po, që s’do të jetë kurrë dhe s’do ta ndjejë për detyrë të jetë në lartësinë e detyrës, sipas përcaktimit në kushtetutë. Sepse ai nuk ka fituar, por e ka rregulluar. Ose ka dalë rastësisht si zgjidhje e minutës së fundit nga kombinimi i rrethanave. E gjithë kjo zbulon në fund të fundit diçka përverse në vetë mekanizmin dhe funksionimin e sistemit tonë të Republikës parlamentare. Sistemi që kemi e kufizon garën presidenciale, kjo është e qartë. Si të mos mjaftonin kufizimet e sistemit, kemi edhe kufizimet e zakoneve. Përballja e rivalëve në debate të hapura është bërë prej vitesh një mollë e ndaluar për publikun shqiptar. Kandidatët e forcave të mëdha politike llogarisin të fitojnë me zgjidhje dhe marifete anësore, “pa betejë” të drejpërdrejtë dhe pa gjykim të drejtpërdrejtë nga zgjedhësit. Ata i bëjnë bisht përballjes për programet, nuk fitojnë, por e hedhin edhe njëherë lumin, ndryshe garojnë dhe ndryshe qeverisin. Në këtë aspekt marrëdhënia e politikës me publikun ka arritur pikën më të ulët të denatyrimit dhe degradimit. Nuk e teprojmë po të themi se për të ashtuquajturën elitë politike publiku nuk ekziston si zot i botës së tyre. Në fakt nuk ekziston. Po të ekzistonte nuk do të shpërfillej në këtë mënyrë.
Çfarë mund të bëhet? Pyetja ngërthen një çwshtje madhore të kulturës demokratike. Gara për presidentin, pavarësisht vështirësive që paraqet, mbetet për t’u shpikur. Askush dhe asgjë nuk i pengon kandidatët e vetwkandiduar apo të kandiduar nga ndonjë parti politike t’i japin një përmasë më publike garës së tyre, duke paraqitur miniprograme apo programe për drejtësinë, për liritë dhe të drejtat njerëzore në konteksin shqiptar, për marrëdhëniet me ekzekutivin dhe institucionet e tjera të pavarura, për politikën e jashtme, e tjerë. Asgjë nuk i pengon të organizojnë takime me shtresa të caktuara apo të kërkojnë të dëgjohen në grupet parlamentare. Nuk ka dyshim se këto forma rrisin piacën e garës, normalisht edhe presionin pozitiv ndaj atyre që e kanë në dorë zgjedhjen e Presidentit. Të humburit në një fushatë të tillë i bëjnë një shërbim vendit në fakt sepse, ndër të tjera, bëjnë të dalë në pah meskiniteti i krerëve kur të nxjerrin nga mënga asin e tyre mediokër.
Një element tjëtër me rëndësi i kësaj gare është shpalosja e vizioneve që kanë dy partitë më të votuara dhe krerët e tyre për postin e Presidentit të Republikës. Çfarë presidenti duan ata? A mund t’ja thonë hapur publikut? Berisha e ka të vështirë të jetë trasparent dhe i besueshëm. Ka provuar, pa sukses nga këndvështrimi tij, qoftë me konsensualin Alfred Moisiu, qoftë me politikun Bamir Topi. Rama nga ana e tij i ka të gjitha mundësitë të jetë më i hapur në këtë pikë. Rama dhe Berisha mund të kenë mendime të ndryshme për profilin dhe rolin e Presidentit, por përderisa askush nuk e fiton këtë betejë në fushë të hapur, me votë popullore, është mirë të vendoset prej tyre me një marrëveshje gjentelmenesh që Presidenti të jetë një politikan, një ish politikan apo një figurë e shquar mbi të gjashtëdhjetat, më mirë akoma rreth të shtatëdhjetave. Berisha dhe Rama mund të mendojnë e të shprehen edhe për zgjedhjen e Presidentit nga populli. A ia vlen? Përgjgija do të ishte “jo”, nëse populli do të kishte në dorë të zgjidhte vetë deputetët. Por sa kohë që deputetët zgjidhen si në autobus dhe kryeministri del nga kombinacionet e aleancave dhe tryezave, është e domsodoshme që një prej pushteve në Shqipëri të mbulohet me votë popullore. Në të kundërtën, publiku duhet të kuptojë se oligarkia poltike ka prirjen ta kanalizojë në drejtimin që i interson atë që quhet vullnet i popullit, pra ta shvlerësojë. Askush nuk e ka thënë deri tani se ligji spanjoll i zgjedhjeve që ka përshtatur Shqipëria, pertej retorikës mashtruese, u përzgjodh për një arsye shumë praktike: për t’i siguruar oligarkisë së partive të mëdha hyrjen në parlament pa garë në popull, me një garë servilizmi ku duhet të fitojnë simpatinë e kryetarit të partisë për t’u vendosur në krye të listës.
Kjo është t’ia hedhësh publikut. Por publiku, ai i liri, nuk duhet të qahet apo të llastohet sikur atij vetëm ia fusin dhe s’ka faj i shkreti. Publiku duhet të jetë i ndërgjegjshëm se kur voton për shumicën qeverisëse, voton edhe për Presidentin. Kjo është logjika e sistemit të republikës parlamentare, logjikë e cila, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, është sanksionuar edhe në Kushtetutë. Kur e rrethon elita e vet politike, publiku i ka të gjitha mundësitë të çajë rrethimin me votë. Vota e lirë nuk mund të rrethohet. Vetëm po të ngjallej Enver Hoxha dhe të hiqej dhoma e fshehtë, gjë që nuk mund të ndodhë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.