Që Shqipëria të mos bëhet geto e bukur

Kur lë pas brigjet joniane, kalon një natë në Gjirokastër, ha drekën tek Ujët e ftohtë në Tepelenë, merr një ditë diell te Rana e Hedhun dhe e mbyll të gjithën me një tur alpin në Valbonë, e kupton se një javë i rri shumë ngushtë shtatit të Shqipërisë, të imët fizikisht por të bukur paanë.
Ka ca gjëra të tjera që i rrinë keq këtij vendi ku na pat rënë koka; ku me sy e këmbë e masim pasionin për të, për t’i bërë më pas një vend në zemër, me shpresën se kurrë më prej andej nuk do na dalë. Në ndërkohë ajo hyn e del nga zemra, të gjitha herët nën shtysat e forta të atyre që e banojnë tokën e saj e që prej emrit të saj janë pagëzuar; shqiptarëve. Siç është, për shembull, rasti i një shqipoje që nga një kënd i digës së hidrocentralit të Komanit fluturon në liqen, ngjitur me anijen e linjës Koman-Fierzë, një qese cit me mbeturina. Një çift turistësh, ai skocez e ajo angleze, kthejnë kokën andej nga erdhi masa rrumbullake, e cila vibron për të humbur nga sytë sikur, për hatrin e atyre që u fyen prej saj, të kishte turp nga gjesti i paturpshëm i flakësit.
Dyshja e huaj që ia heq sytë shpateve që derdhem mbi Drin si presa të mëdha shkëmbore, mundohet të identifikojë përmbajtjen e qeses. “Lemons”, thotë ajo, duke u gënjyer nga ngjyra e verdhemeve e ca kokrrave të mëdha sa një vezë. Janë fiq të bardhë në fakt, por mund të kishin qenë shumëçka, dhe çfarëdo të kishin qenë aty nuk e kishin vendin. Ky nuk qe aspak një nga ato momente që do e trondisnin mikrobotën e asaj mase betoni që përbën pistën ku njerëz e mjete motorike bashkëjetojnë për pak për të ndërmarrë më pas një udhëtim drejt veriut të thellë. Madje çasti kur qesja e hedhurinave kreu pëlltumin e saj ishte fatlum në një farë mënyre. Ishte shenjë paralajmëruese e gjërave që do të vinin.
Anija, një autobus i përshtatur në kushedi ç’ofiçinë të kushedi ç’qyteze veriore, ku modifikimet shatra-patra bëheshin inovacione socialiste që çanin bllokadat, i futet përmes masës ujore. Shpejt, sapo shkëputet nga betoni i digës, amfibi i çuditshëm pushon së ekzistuari, sepse kombinimi i ujit me shpatinat, herë të pyllëzuara e herë në gri të thatë shkëmbore, pushton vëmendjen e udhëtarëve. Të huajt e kanë braktisur habinë e keqe të qeses me hedhurina dhe i janë dhënë magjepsjes së natyrës. Me siguri, edhe në qëllofshin ateistë, i janë dorëzuar dyshimit të madh: a ka dorë Zoti në gjithë këtë? Por ja ku shfaqet edhe dora e njeriut nëpër gjurmën e madhe e të mrekullueshme të Zotit. Nëpër ujë duken prej larg mjete të vogla pluskuese, që ndërsa u ofrohesh bëhen shishe plastike uji a pijesh të ëmbla. Më tej kanoçe birrash e qese. Kthehet habia e keqe e fillimit.
Nëse këto radhë duket sikur janë vënë në funksion të habisë së një apo disa të huajve në raport me mjedisin shqiptar, kjo e ka një qëllim. Sigurisht nuk ka të bëjë me ‘të jetuarit për të tjerët’, por të shmangurit e shkrirjes dhe vetëidentifikimit me mjedisin rrethues edhe kur ky është i papërballueshëm estetikisht, nën logjikën e njëjtësimit me të, ose të pranimit të tij si të patjetërsueshëm. Shumë shqiptarëve u ka ndodhur që janë tronditur nga Shqipëria vetëm kur janë kthyer nga një udhëtim jashtë saj.
Strukturave shtetërore, por edhe ojq-ve që merren me mjedisin nuk u duhet shumë që ta shmangin të kthyerit e natyrës shqiptare në një slum (geto) të ngjashëm me ato të periferive të qyteteve indiane pasqyruar në filmin Slumdog Millionaire. Të paktën në rastin e liqenit mbi Drin, i cili është edhe më i menaxhueshmi. Në shpatet e maleve mund të vendosen shenja që bëjnë thirrje për mbrojtjen e mjedisit, moshedhjen e mbeturinave dhe ndëshkimin e kundërvajtësve; masa shtrënguese mund të merren ndaj operatorëve të ndryshëm që lundrojnë nëpër këto hapësira; një task-forcë me kosto minimale mund të ngrihet për pastrimin e sipërfaqes së ndotur ujore. Pak gjëra, shumë pak, që e bukura e dheut të mos kthehet në geto e bukur.
Mapo
Add new comment