Kurbani i Pavarësisë

Postuar në 26 Nëntor, 2012 04:11

Thënia “sa më shumë njoh njerëzit aq më shumë dua kafshët” ndoshta duket cinike në një këndvështrim etik e shoqëror. Por në pendën e një mjeku si unë, që jetën ia ka kushtuar pikërisht shëndetit të gjësë së gjallë kuptimi është krejt tjetër. Madje shumë më humanist sesa kuptimi i parë i asaj shprehje. Ne mbrojmë e shërojmë frymorët me qëllimin e parë që të mbrojmë njerëzit. Në këto kushte mjekësia veterinare, dua të bëj me dije se nuk konsiston vetëm në mjekimin e kafshëve por edhe në kontrollin e produkteve me origjinë prej tyre dhe parandalimin e sëmundje të transmetushme nga kafshët tek njeriu duke patur kështu impakt edhe në buxhetin për mjekësinë. Njëkohësisht zhvillimi i blektorisë zë peshë në ekonominë familjare dhe atë kombëtare. Një shprehje mjaft e njohur thotë se “mjekësia mbron njeriun ndërsa mjekësia veterinare njerëzimin”. Por veças njerëzve të thjeshtë që mbase pak i intereson ky fakt këtë nuk mund ta themi për ata të cilët kanë detyre ligjore ta organizojnë, financojnë, dhe manaxhojnë këtë sistem mjaft të rëndësishëm.
Ajo që më ngacmoi për këtë shkrim është premtimi i veçantë për 100 Vjetorin e ngritjes së flamurit që bëri kryeministri Berisha për drekën e datës 28 Nëntor, ditë ku do duhet të therren 1000 qengja dhe 1000 deshë. Po ku vallë do të therren këto kafshë kur të gjithë e dimë se thertoret janë një problem ende i pa zgjidhur, megjithëse në 2005 u premtua se Tirana do kishte të paktën dy thertore që do mbulonin nevojat e saj? Ajo që ra në sy mbas kësaj deklarate ishte vizita e ministrit Ruli në një thertore private moderne por që duhet të theksojmë se kapaciteti saj është i kufizuar deri në 150 krerë në ditë. Nëse marim në konsideratë kapacitetin e kufizuar të kësaj thertoreje dhe ngarkesën rutinore, ku do ti therë Ministria Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit këto bagëti? Cilat janë masat që janë marë për të garantuar shëndetin e konsumatorëve gjatë festimeve për këtë festë? Në ditët e ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912, qeveria e Ismail Qemalit kishte marë nga Stambolli mjekun veterinar Alil Ylviu vetëm për të kontrolluar dhe garantuar produktet ushqimore të konsumuara ato ditë.
Referuar programit të Partisë Socialiste, pjesa e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë ndahet me këtë situatë në dy aspekte, së pari në atë konceptual dhe së dyti në hartim dhe zbatim ligji. Për asnje arsye, dhe për 100 vjetorin e Pamvarësisë, nuk mund të ndërmeren veprime të cilat që në princip kanë “risk” të lartë për shëndetin publik. Kjo e bazuar në progres raportin e këtij viti ku theksohet mungesa e rregjistrimit sistematik, raportimit dhe analizës së levizjeve të kafshëve që ende mbeten shqetësim serioz në transmetimin e sëmundjeve dhe sidomos të zoonozave.  
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, qoftë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, qoftë Bashkia e Tiranës të cilët janë të porositurit e kryeministrit për këtë kurban, nuk kanë dhënë asnjë njoftim nëse kanë nisur përgatitjet për përcaktimin e një vendi ku mund të bëhet therja masive, dhënien e fondit për blerjen e kafshëve apo grumbullimin e tyre.

Duke iu referuar progres raportit 2012, theksohet se tregëtimi i produkteve ushqimore në Shqipëri bazuar standarteve higjienike mbetet një sfidë dhe përgatitjet në këtë fushë janë në një fazë fillestare. Njëkohësisht ky raport cilëson dhe nevojën për përmirësimin e kontrollit të sëmundjeve tek kafshët. Kur niveli i kontrollit të sëmundjeve të kafshëve është problematik, a kemi të drejtë të shqetësohemi për transmetimin e sëmundjeve nga konsumi mishit të pakontrolluar?
Krahasuar  me vitin  2005, në mënyrë periodike, konstatohen ulje të indikatorëve që  matin standartin  dhe mbrojtjen e jetës. Janë shtuar në shifra alarmante sëmundjet zoonotike në njerëz, si bruçeloza, leshmanjoza, toksoinfeksionet ushqimore, etj. Është rritur numri i të prekurve nga salmoneloza në 5.6%, bruceloza 4.5%, leshmanjoza 3.8 % , antraksi 0,8%, tuberkulozi gjedhit (TBC) 2.1 % etj. Financimi nga buxheti shtetit për masat profilaktike, krahasuar  me vitin 2005, janë ulur në masën 43%, duke reduktuar në  minimum luftën kundër shumë sëmundjesh me rëndësi për shëndetin publik dhe atë të kafshëve.
Disa muaj më parë Autoriteti Kombetar i Ushqimit (AKU) në bashkëpunim me institucione të tjera formoi një Task-Force e cila ndërmori disa aksione për largimin e pikave të therjes/tregëtimit të mishit në aksin Mamurras-Laç. Në qoftë se e konsiderojmë si një pikënisje pozitive kete nismë, por në vijim puna e kësaj stukture ka ngelur në mes. Ajo që në mendje të gjithëve na shkon është një makiazh mbi këtë situatë që gjithandej vjen erë e keqe.  Veças kësaj ere dhe pamjeve makabër të therjes së kafshëve nëpër ambjente të papërshtatshme, problem i pazgjidhur bazuar progres raportit janë dhe mbetjet klinike, kafshëve të ngordhura dhe mbetjet nga kafshët të cilat janë bërë çështje serioze në drejtim të bio-sigurisë. Problemi thertoreve dhe mungesa e sigurisë është detyrim i strukturave shtetërore në zbatim te ligjit.
E nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur në progres raport theksohet se niveli i stafit, veçanërisht në nivel qendror mbeten të papërshtatshëm duke u pasqyruar në përcaktimin e funksioneve dhe përgjegjësive. Rasti tipik është drejtimi i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), ku për një periudhe dy vjeçare janë ndërruar pesë drejtorë. Dua të përmend që ky Institut i njohur deri në vitin 2005 si IKV, i formuar në vitin 1969, është drejtuar nga profesorë dhe ekspertë në fushën e mjekësisë veterinare dhe sigurisë ushqimore, ndërsa këto vite, me gjithë respektin për drejtusit, ështe drejtuar nga mësues matematike, sociologë, ekonomistë, etj. Si pasojë e problemeve në vizion dhe më pas në manaxhim vlen të theksohet se edhe laboratorët rajonalë të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë janë duke kaluar krizë e cila pasqyrohet në volumet e punës së tyre dhe mbështetjen që i japin pikërisht AKU-së.
Mungesa e një sistemi të mirëorganizuar, e fondeve dhe e vizionit për sigurinë ushqimore dhe mjekësinë veterinare, ka bërë që sot AKU-ja të drejtohet, me gjithë respektin, nga jo ekspertë të fushës. Duke marë në konsideratë progres raportin në lidhje me AKU-në theksohet se përgatitjet në fushën e përgjithshme të sigurisë ushqimore janë në fazë fillestare. Ky autoritet financohet nga Komisioni Europian me projektin CARDS 2005, dhe ka  afërsisht 4 vite që ende nuk janë përcaktuar kompetencat, përgjegjësitë dhe komunikimi me MBUMK.
Bazuar impaktit në ekonominë familjare dhe atë kombëtare, shëndetin publik, mbrojtien e mjedisit dhe kostove që të gjithë paguajmë për sistemin shëndetësor në vend, duhet krijuar një vizion i qartë i cili të rivlersojë nivelin e sigurisë ushqimore dhe hartojë strategji për arritjen e standarteve të shumë kërkuara nga Bashkimi Europian.  

*Autori është mjek veteriner. Botuar në PANORAMA
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.