Në kurbë rënëse
Armëpushimi i njoftuar nga presidenti amerikan Donald Trump në konfliktin me Iranin, po shpaloset në çdo orë si një minë që mund të detonojë krizë politike të thellë në të dyja vendet që nisën sulmet.
Së pari, nuk ka një ide të qartë se si erdhi puna në një armëpushim të ndërmjetësuar nga pakistanezët, në kushtet kur fushata nisi me premtime maksimaliste të shkatërrimit të programit bërthamor Iranian dhe ndryshimit të regjimit.
Së dyti, Irani nuk e ka respektuar armëpushimin nisur nga fakti se ai po kërkon ndalimin e sulmeve në Liban. Një vlerësim që e prezanton Teheranin si aktor shumë të interesuar për paqen dhe mbrojtjen e aleatëve të vet.
Së treti, nuk ka një analizë të besueshme për dëmet reale që i janë bërë Iranit, ndërkohë që ai kontrollon ende Ngushticën e Hormuzit dhe madje tarifon aty anijet që kalojnë me një pagesë që duhet dhënë në juanin kinez. Një politikë e tillë është hapur kundër interesit të SHBA dhe mbetet e paqartë se çfarë arrihet me këtë vendim.
Së katërti, armëpushimi u arrit pa praninë e Izraelit, një akt ky logjik nisur nga natyra e politikës izraelite në rajon dhe asgjësimi I lidershipit iranian si objektivi kryesor.
Marrë së bashku me krizën e çmimeve të naftës, armëpushimi ka dhënë kohë për të parë me qetësi se asgjë nuk u arrit. Kërkesa e bërë në SHBA për largimin e Trump, acarimi i dukshëm me Izraelin e një pjese të madhe të aktorëve politikë në SHBA dhe fakti se tashmë lufta ka hyrë në fazën e llogores dhe lojës së nervave, konfirmon se basti i madh i Netanyahut dështoi. Izraeli gjendet i ekspozuar më shumë se kurrë ndaj një mosbesimi radikal ngado, me një aleancë të dëmtuar me SHBA dhe me një inventar kriminal që nga 7 tetori. Pa një fitore dhe një triumf që do t’i jepte Trump naftën iraniane dhe Izraelit zgjerim territorial si dhe nxjerrje nga loja të një aktori si Irani.
Sigurisht që është ende herët për të thënë se Netanyahu ka dalë nga loja e pushtetit, por ai ka konsumuar fuqinë e tij kryesore duke provuar se është një takticien shumë I mirë, por një politikan që nuk arriti të bëhej dot burrë shteti për ta nxjerrë Izraelin nga faza e përjetshme kontestimit.
Do të duhet të pranohet se Irani nëse e kalon këtë fazë deri në fund, afirmohet në skenën ndërkombëtare si fuqi me sovranitet të ri politik dhe strategjik duke u rikonfiguruar si partner kyç për të gjithë ata që kanë ineresa në Gji. Më e rëndësishmja, as Izraeli dhe as SHBA nuk kanë një pikë fundore për operacionin ushtarak që nuk ka objektiva realë, ndërkohë që Teherani ka mbijetesën dhe mandej kushtëzimin strategjik të të gjithëve në një rajon ku ai është kundërshtuar që nga 1979.
s.zaimi

Comments
Ne artikull duhet korrigjuar
Ne artikull duhet korrigjuar 'jeni kinez' se mund te ngaterrohet me jenin japonez (Yen) JPY. Monella kineze eshte juan (yuan-Renminbi) CNY.
Po, falemnderit!
Po, falemnderit!
Add new comment