Kreu i INSTAT-it me M. Nanon: Unë do t’ju bëj të besoni tek INSTAT-i

Postuar në 12 Dhjetor, 2014 12:21

M.N.: Njatjeta!

Gj.F.: Përshëndetje!

M.N.: Isha mbrëmë i ftuar në Top Story, ku folëm për politikën gjatë vitit 2014. U fol një copë herë edhe për INSTAT-in. E ndoqët?

Gj.F.: E ndoqa pjesërisht

M.N.: Atje u tha se mungon besimi te disa institucione që janë qeveritare, por që duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur, siç është edhe INSTAT-i. E kuptoni këtë mosbesim?

Gj.F.: E kuptoj, por nuk e justifikoj në rastin e INSTAT-it. Nocioni i pavarësisë institucionale është ende në zhvillim e sipër në shoqërinë shqiptare. Për sa i takon këndvështrimit nga brenda INSTAT-it, dhe më konkretisht nga unë personalisht, besimi i shqiptarëve ndaj INSTAT-it është në rreshtat më të larta të prioriteteve që kemi. Statistikat janë një e mirë publike. INSTAT-i është parashikuar të jetë ligjërisht i pavarur pikërisht për këtë arsye. Gjithashtu sa kohë që edhe qeveria e ka pjesë të programit të saj synimin për ta integruar Shqipërinë në BE, detyra që na është vënë është të operojmë me të njëjtat standarde si homologët tanë kudo në Europë. Për këtë arsye shumë shpejt publiku shqiptar do të mësojë edhe emrin e Binjakut të INSTAT-it nga ana e një Instituti Statistikash nga më prestigjozët e BE-së.  Vetë fakti i konkretizimit të këtij binjakëzimi me kredencialet më të larta të besueshmërisë nga Binjaku i ardhshëm, mund të shërbejë si garanci për publikun ndaj dedikimit tonë profesional. Ndërkohë preferoj që garancia më e madhe të jetë besimi që unë dhe kolegët e mi ofrojmë nëpërmjet profesionalizmit dhe komunikimit gjithnjë e më të hapur me mediat, botën akademike, qytetarët dhe grupet e interesit. Siç e keni vënë re, unë jam personalisht i pakursyer për çfarëdo sqarimi.

M.N.: Pse nuk e thoni se cili është ky institucion binjak?

Gj.F.: Bërja publike do të bëhet përmes një akti ceremonial, gjatëfillim vitit të ardhshëm. Ndërkohë përzgjedhja e institucionit binjak është bërë dhe po procedon nën sugjerimet dhe udhëzimet e Eurostat-it, Zyrës së Statistikave të të gjithë Bashkimit Europian.

M.N.: Po pse mendoni se nuk do ishte udhës që ta jepnit emrin konkret të institucionit binjak? Çfarë nuk do ishte korrekte nëse do ta thoshit qysh tani?

Gj.F.: Jemi në një proces i cili ende nuk është formalizuar në mënyrë finale dhe partneriteti i shëndetshëm më obligon që të rezervohem deri në dhënien formale përmes nënshkrimit.

M.N.:  Ok, kthehemi aty ku ishim: Ju bezdis kjo klimë mosbesimi që ekziston? Jua vështirëson punën? Mbrëmë, fjala vjen, njëri prej kolegëve të mi iu referua shifrave të publikuara këto ditë prej INSTAT-it, por i shoqëroi, si pa të keq, me përfundimin: “Këto janë shifra të INSTAT-it, e prandaj nuk janë të besueshme”.

Gj.F.: Mosbesimi që ekziston përgjithësisht në realitetin shqiptar, patjetër që më bezdis. Sa i takon kësaj frazës së kolegut tuaj, fillimisht më duhet të them që është "i izoluar", parë nga këndvështrimi im. Ky nuk është aspak fenomen në rastin e INSTAT-it. Ne jemi përditë në kontakte me mediat lokale dhe të huaja, me institucionet ndërkombëtare dhe nuk e ndjejmë këtë si një shqetësim të përgjithshëm. Ndërkohë, nëse më lejohet, a nuk do ishte më e saktë, që përpara etiketimit të kontaktohej INSTAT-i? Nuk më rezulton të kemi pasur ndonjë kërkesë për informacion apo shpjegim nga asnjë prej kolegëve të nderuar të panelit tuaj mbrëmë.

Nuk më duket gjithashtu e logjikshme, që ndërsa nuk i besojmë INSTAT-it, sipas citimit të mësipërm, si ka mundësi që ende diskutojmë shifrat e prodhuara nga ky institucion në vijim të arsyetimit? INSTAT-i është burim i besueshëm, këtë e konfirmon në vetvete fakti që diskutohen publikisht produktet e punës sonë. A ka mundësi që të punojmë për të përmirësuar punën e INSTAT-it? Padyshim. Ne këtu, me këtë shqetësim gdhihemi e ngrysemi. Citimet e FMN-së, Eurostat-it, Bankës Botërore etj., i referohen vetëm INSTAT-it. A i ka pyetur ndonjëherë kolegu i respektuar këto institucione nëse kanë apo jo besim tek INSTAT-i?

M.N.: Këto institucione ndërkombëtare,  për të cilat ju flisni, i janë referuar INSTAT-it edhe në kohët e mëparshme, kur INSTAT-i ka pasur realisht probleme besueshmërie. Prandaj ngjan e vështirë ta marrësh si provë këtë marrëdhënie tuajën me të huajt. Apo jo?

Gj.F.:  Ndaj pyeta nëse janë pyetur këto institucione. Janë ata të cilët duhet të japin një përgjigje. Ndërkohë ka disa ndryshime në periudhën e shkurtër të eksperiencës sime në INSTAT. Produktet statistikore po prodhohen në kohë, me cilësi të shtuar dhe me të dhëna të shtuara. Prej një viti, kemi vendosur ONLINE të gjitha bazat e të dhënave të produkteve që prodhojmë në mënyrë që akademikët dhe ekspertët jashtë INSTAT-it të na "verifikojnë" cilësinë e punës sonë. Jemi i vetmi vend në Ballkan që të dhënat e Censusit të Popullsisë dhe Banesave i kemi vendosur online dhe janë të përdorshme nga të gjithë. Lutem konsultohuni me www.instatgis.gov.al, një faqe e re e jona e hapur në maj të këtij viti.

Këto sa i përket "markës", pra INSTAT-it. Po ka edhe një premtim personal këtu. Sa kohë që unë do të drejtoj këtë institucion, garantoj me dinjitetin tim profesional që gjithçka do të jetë e besueshme dhe drejt perfeksionit profesional të standardeve më të avancuara statistikore.

M.N.: Ju keni publikuar këto ditë disa të dhëna mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit të fundit. Në portalin respublica.al kam parë një informacion konfuz. Është lënë të nënkuptohet nga raportimet tona se ka pasur një informacion tuajin në krye të herës, më pas është përgënjeshtruar, është folur për shifra kontradiktore punësimi, madje ka pasur dhe një koment kritik nga E. Zaloshnja. Është respublica.al që e ka mbjellë këtë konfuzion, apo keni gabuar juve?

Gj.F.:  Secili është i lirë të shkruajë apo komentojë. Për rastin të cilit i referoheni, INSTAT-i as ka bërë konfuzion e as ka përgënjeshtruar ndonjë të dhënë. Publikimi ynë i të dhënave të punësimit është online prej orës 11.00 të datës 10.12.2014, madje në disa formate dhe i dërguar me email njëkohësisht tek të gjithë përdoruesit ku konfirmohen Rezultatet e Anketës së Forcave të Punës për Tremujorin e 3-të 2014. Përsa i përket një korrektimi të një qelize excel, për shkak të një mbivendosjeje teknike (pra procesi copy/paste i qelizës gjatë përditësimit të serverit online) as nuk vlen të diskutohet apo komentohet publikisht. Kushdo që ka sy e mendje, e kupton që është e pamundur që dy numra që i takojnë dy periudhave të ndryshme të punësimit, të jenë totalisht identike.

M.N.: Një pyetje: Bazuar në të dhënat që ju keni, si është ekonomia jonë sot, është më e mirë se sa para një viti, është në të njëjtën gjendje, apo është më e dobët? Pastaj, cilat janë parametrat mbi bazën e të cilave mund të bëhet një vlerësim i tillë? Unë e di që përgjigja në këtë rast, për të qenë ezauruese, do duhej të ishte e gjatë, por do t'ju lutesha për një përgjigje të shkurtër.

Gj.F.: Në fakt kjo pjesa e dytë e pyetjes përcakton përgjigjen ndaj të parës. INSTAT-i prodhon vetëm disa prej indikatorëve që i japin përgjigje pyetjes suaj të përgjithshme. Për cilin aspekt specifik të ekonomisë interesoheni?

M.N.: Mirë atëherë, po ju bëj pyetje konkrete. Sa do të jetë rritja vjetore këtë vit që po lëmë?

Gj.F.:  INSTAT-i nuk e ka pjesë të misionit të tij bërjen e parashikimeve dhe është mirë që është kështu. Zoti Nano, ne jemi "laboratori i analizave". Për parashikimet duhet pyetur "mjeku". Në rastin e pyetjes suaj konkrete, "mjekët" janë Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë. "Laboratori", pra INSTAT-i do t’i përgjigjet interesit tuaj me shifrën e parë flash, apo paraprake, diku rreth muajit maj të vitit të ardhshëm. Ama, INSTAT-i do e masë dhe jo parashikojë.

M.N.:  Ok, po fokusohem në të dhëna konkrete që ju mund e duhet t'i keni: Numri i bizneseve është rritur apo është ulur gjatë vitit të fundit?

Gj.F.: Sipas të dhënave të regjistrit statistikor të ndërmarrjeve, në vitin 2013 numri total i ndërmarrjeve është 111 083 nga 106 387 në vitin 2012 (2014-a ende nuk është mbyllur). Pra, numri total i ndërmarrjeve është rritur me 4 696 subjekte për atë periudhë të matur.

M.N.: Prodhimi bujqësor është rritur, apo është ulur? Po eksportet e këtyre prodhimeve?

Gj.F.: Prodhimi bujqësor gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2014, është rritur respektivisht me 3.1% në tremujorin e parë dhe 3.18 % në tremujorin e dytë, ndaj të njëjtëve tremujorë të vitit të mëparshëm. Sa i përket eksportit të prodhimeve bujqësore, INSTAT-i nuk i klasifikon prodhimet në bujqësore apo jo-bujqësore, për shkak të mosdiferencimit brenda kodeve të harmonizuara ndërkombëtarisht. Fjala vjen, një produkt ushqimor i përpunuar, nuk është detyrimisht 100% prodhim bujqësor, sepse bart në vetvete edhe komponente industriale. Ndërkohë INSTAT-i publikon tabelën e tregëtisë së jashtme sipas 8 grup-produkteve, njëri prej të cilëve titullohet "Ushqim, pije, duhan". Eksporti i këtij grup-produkti ka shënuar një rritje prej rreth 13% gjatë 10-mujorit të vitit 2014, krahasuar me 10-mujorin respektiv të vitit 2013.

M.N.: Ç'po ndodh me investitorët e huaj? Janë duke ardhur apo janë duke ikur? Ç'thonë të dhënat tuaja?

Gj.F.:  Investimet e huaja maten nga Banka e Shqipërisë.

M.N.: Po lidhur me remitancat keni të dhëna?

Gj.F.: Banka e Shqipërisë është gjithashtu institucioni përgjegjës për këtë indikator, në publikimin e Bilancit të Pagesave.

M.N.: Thuhet se ka shqiptarë që po kthehen nga Italia, Greqia, por edhe nga Europa në përgjithësi. Është një trend që ka filluar, kështu thuhet, prej 3-4 vitesh. Eshtë kështu?

Gj.F.:  Rezultatet e Anketës së Emigracionit të Kthimit dhe Riintegrimit në Shqipëri, tregojnë se gjatë viteve 2009-2013, numri i emigrantëve të kthyer është 133 544 dhe ritmi i kthimeve është përshpejtuar pas vitit 2011, me 1,5 herë.

M.N.: Ç'po ndodh me çmimet? Ka rritje të tyre? Shqiptarët janë duke konsumuar më shumë? Fuqia blerëse si është?

Gj.F.:  Po, indeksi i çmimeve të konsumit është një indikator i përmuajshëm që mat INSTAT-i. Publikimi ynë më i fundit i përket muajit nëntor 2014 dhe ka një rritje të indeksit të çmimeve të konsumit me 1.7% në terma vjetore.  Kjo rritje vjetore, në nëntorin e një viti më parë ka qenë 1%. Fuqia blerëse është koncept ekonomik kompleks, i cili merr në konsideratë disa indikatorë ekonomiko-socialë. Sa i përket kërkesës agregate, Banka e Shqipërisë bën publikimin e saj. Ndërkohë që INSTAT-i po zhvillon gjatë këtij viti, pra që prej 1 janarit 2014 dhe deri më 31 dhjetor 2014, Anketën e Buxhetit të Familjes. Besoj rreth mes-vitit të ardhshëm do te publikohen rezultatet e kësaj ankete, e cila mat shpenzimet e konsumit të familjeve shqiptare.

M.N.: Një nga treguesit që flet qartë për shëndetin e një ekonomie është punësimi. Ju publikuat disa të dhëna këto ditë. Mund të na thoni me një gjuhë jo fort teknike si është gjendja?

Gj.F.:  Vërehet një rritje e pjesëmarrjes në forcat e punës. Në terma vjetorë, me shkallë pjesëmarrjeje 4.8 % më të lartë se një vit më parë, tremujori i 3-te. Kjo shpjegon rritjen edhe të numrit absolut të të punësuarve me 78 844, por edhe rritjen e numrit të të papunëve me 19 728, në grupmoshën 15-64 vjeç. Gjykoj se ky përbën një lajm të mirë për shoqërinë shqiptare. Vihet re një riaktivizim i përgjithshëm i shoqërisë në kërkim dhe gjetje të një vendi pune. Gjithashtu optimist është lajmi që kjo shkallë pjesëmarrjeje për të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç është rritur me 7.6 pikë përqindje ndaj tremujorit të tretë të vitit paraardhës.

M.N.: Një ndërhyrje e fundit, që mund të shihet edhe si e natyrës kureshtare (ka shumë shqiptarë, në fakt, që nuk e dinë). Sa është GDP-ja e Shqipërisë? E kam fjalën për të dhënën e vitit 2013, pasi e vitit 2014 matet gjatë vitit të ardhshëm. Mund ta dimë nga goja e kreut të INSTAT-it se sa është?

Gj.F.:  Kjo e dhënë për vitin 2013 publikohet paraprakisht të marten e ardhshme, në datën 16 dhjetor. Ndërkohë për vitin 2012, e dhëna më e fundit që disponon INSTAT-i është 1 335 488 315 157 lekë. Nëse mbajmë të fiksuar kursin e këmbimit me monedhën euro në vlerën 140 lekë për 1 euro, atëherë kjo shifër është rreth 9.5 miliarde euro. Produkti i Brendshëm Bruto për Banor në vitin 2012 është rreth 460 mijë Lek, apo rreth 3 312 euro për Banor.

M.N.: Zoti Filipi, që lexuesit e Respublica-s të kenë një ide krahasimore, dini të na thoni se sa është GDP-ja e vendeve të tjera të varfëra në Ballkan? Apo ne jemi të fundit (duke përjashtuar Kosovën, kuptohet)?

Gj.F.:  Për vitin 2012, vendet rrotull nesh kanë pasur GDP-të si më poshtë:  Maqedonia 7,5 miliardë euro, Mali i Zi 3,1 miliardë euro, Kosova 2,6 miliardë etj.. Sa për një krahasim të mëtejshëm, Kroacia e ka GDP-në (gjithnjë për vitin 2012) 43,5 miliardë euro. Ndërsa përsa i takon GDP-së për banor kemi këto rezultate:  Maqedonia 3 700 euro, Mali i Zi 5 000, e Kroaci rreth 10 000 euro.

M.N.: Ju falënderoj për bisedën.

Gj.F.: Falemnderit Juve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.