Situata hidrike, qeveria autorizon KESH të marrë kredi 4.5 mld lekë

Qeveria autorizon KESH të marrë kredi në vlerë 4.5 miliardë lekë për të përballuar situatën energjitike në vend për shkak të reshjeve. Vendimi u publikua sot në faqen zyrtare së Këshillit të Ministrave.
Marrja e këtij vendimi u kushtëzua nga situata jo e favorshme energjitike dhe në përputhje me qendrimin e qeverisë, e cila ka si prioritet sigurimin e furnizimit me energji elektrike.
“Këshilli i Ministrave miratoi sot aktinnormativ që autorizon Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare për të marrë një kredi në shumën 4.5 miliardë lekë, për të përballuar situatën energjetike në vend, për shkak të mungesës së reshjeve. Ky vendim merret pas një situate jo të favorshme hidrike të shkaktuar nga mungesa e nivelit të domosdoshëm të reshjeve dhe në përputhje të plotë me qëndrimin e qeverisë, e cila e ka prioritet absolut të saj sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji”,- citohet në vendimin e qeverisë.
Qeveria miratoi edhe vendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës Milot-Morinë. Autoriteti kontraktues sipas njoftimit zyrtar të kryeministrisë do të jetë ministria e Punëve Publike.
Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka miratuar sot edhe disa shtesa në vendimin për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike.
Ballkanweb.com
Add new comment