Greqi, arrihet marrëveshja e plotë për masat financiare

Përfundoi pas mesnate, me marrëveshje jo të plotë, takimi i liderëve politikë me kryeministrin Lukas Papadhimos, takim që zgjati pothuajse 8 orë, por marrëveshja u plotësua sot gjatë ditës.
Siç u bë e ditur pas takimit, u ra dakord për të gjitha pikat e programit me përjashtim të kërkesës për ulje të pensioneve suplementare, çështje e cila u diskutua sot dhe u gjet një zgjidhje për të siguruar 300 mln Euro kursime.
Liderët politikë miratuan ndryshime dramatike në tregun e punës, masa që do t’ua vështirësojnë mjaft jetën qytetarëve grekë, por ekziston shqetësimi, se nëse këto masa nuk funksionojnë, Trojka do kërkojë ndërhyrje edhe më të dhimbshme deri në fund të vitit.
Ndërkohë, është rënë dakort për pjesën tjetër të kursimeve, që do të sigurohen nga ulja e pagave minimale në masën 22%, nga reduktimi i pagave deri në 32 %, shfuqizimi i të gjitha përjashtimeve nga taksat, nga ulja e pensioneve bazë, nga privatizimet e disa kompanive shtetërore dhe mbyllja e disa të tjerave, shkurtimi i 15 000 punonjësve gjatë këtij viti, ulja e kostove në shëndetësi me 1,1 miliardë euro, reduktimi i 400 milionë euro në shpenzimet buxhetore kryesisht në sektorin e mbrojtjes, reduktimi i 400 milionë euro në investimet publike, përftimi i 120 milionë euro nga uljet në kompensimet, si dhe ulja e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Në masat e Memorandumit përfshihen gjithashtu edhe rikapitalizimi i bankave, ndryshimet në sistemin e taksave, ndryshimi i marrëveshjeve kolektive të punës etj.
Të dy marrëveshjet pritet të shkojnë nesër në parlament, për t’u votuar deri ditën e diel, me procedurën e emergjencës, që Greqia të përfitojë ndihmën prej 130 miliardë euro.
Nga programi i ndihmës për Greqinë, varet mbijetesa financiare e vendit dhe perspektiva e tij.
Eurogrup dhe kreditorët privatë mblidhen sot për Greqinë
Një maratonë bisedimesh është duke u zhvilluar edhe jashtë Greqisë, me qëllim "finishin" dhe ratifikimin e marrëveshjes për reduktimin e borxhit dhe kredinë e re.
Sot në mëngjes ministri i Financave Venizelos u nis në Bruksel ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Eurogrup, në mbrëmje në ora 19:00. Venizelos u shpreh para largimit, se shkon në Bruksel “me shpresën që Eurogrup do të marrë një vendim pozitiv për Greqinë”. Në takimin e ministrave të Financave të Eurozonës do të jetë e pranishme edhe drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde.
Në Paris do të mblidhet komisioni i kreditorëve privatë të Greqisë, për të shqyrtuar përmbajtjen e bisedimeve të ditëve të fundit dhe përcaktuar hapat e mëtejshëm, siç bëri të ditur një zëdhënës i Institutit Financiar Ndërkombëtar (IIF).
Reagimet e sindikatave
Masat e miratuara mbrëmë janë pritur mjaft keq nga opinioni grek. Lëvizja PAME ka njoftuar sot një protestë kundër tyre, ndërkohë që sindikatat e sektorit publik dhe privat njoftuan zhvillimin e një greve 48 orëshe, të premten dhe të shtunën dhe demonstrata proteste.
Deklaratat e liderëve politikë
Udhëheqësi i PASOK-ut, Jorgos Papandreu, ka theksuar gjatë takimit se nuk pranojnë asnjë diskutim dhe janë gati ndërpresin çdo diskutim në rast se do të influencohen sadopak pensionet.
Kreu i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, theksoi se negociatat vazhdojnë, teksa ekziston një ngërç për çështjen e pensioneve. Ai shtoi se gjërat janë të vështira dhe se po përpiqemi që populli të vuajë më pak.
Kryetari i LAOS, Jorgos Karaxhaferis që u largua i pari nga takimi, deklaroi se vendi po shkon drejt një sprove pa precedent dhe se nuk ka për të nënshkruar një marrëveshje me të cilën nuk pajtohet.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment