Venizelos: Nuk ekziston rreziku i falimentimit

"Nuk ekziston rreziku i falimentimit, as i rrënimit të ekonomisë", deklaroi nënkryetari i qeverisë greke dhe ministër i financave, Evangelos Venizelos, duke nënvizuar se "disa po e braktisin përfundimisht mendimin se zgjidhja për Greqinë është falimentimi dhe dalja nga euro". Greqia lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me euron, theksoi Venizelos.
«Ka një përgjigje për spekulatorët, për të gjithë ata që investojnë shumë shpresa për përfitime të konsiderueshme në rënien e ekonomisë greke dhe daljen nga euro» theksoi ai dhe bëri të qartë se «nuk ekziston çështje e falimentimit dhe kolapsit të ekonomisë greke».
Duke folur për kanalin televiziv Mega Channel, Venizelos tha se me kredinë e re do të forcohet likuiditeti në ekonomi, qoftë nëpërmjet shlyerjes së detyrimeve të shtetit ndaj bizneseve, qoftë përmes bankave në të cilat, pas rikapitalizimit, shteti do të ketë shumicën e aksioneve, ndonëse nuk do të ushtrojë menaxhimin.
Sipas ministrit, dalja nga recesioni i viteve të fundit do të vijë me përshpejtimin e ndryshimeve strukturore, por edhe me uljen e çmimeve, sidomos ato të konsumit të gjerë.
Duke iu referuar burokracisë dhe mentaliteteve që duhet të ndryshojnë, ministri i financave vuri në dukje se mjaft investime të rëndësishme vonohen pikërisht për shkak të mënyrës së funksionimit të shtetit.
Nevojitet "mobilizim kombëtar për ta shndërruar Greqinë në një vend miqësor për investimet", theksoi Venizelos, i cili më parë kishte bërë apel për rikthimin në Greqi të depozitave të transferuara jashtë vendit.
Në mënyrë indirekte Venizelos pranoi se pikërisht ngase periudhën e mëparshme nuk u kryen gjithë ndryshimet strukturore të nevojshme, u arrit në reduktimin e pagave e të pensioneve dhe në masat e tjera të dhimbshme.
Duke iu referuar «problemit» të recesionit, z.Venizelos tha se 4 vitet e fundit kemi arritur të kemi një recesion të akumuluar prej 20%, që është «një recesion i periudhave të luftës», duke theksuar se tashmë këtë e dinë mirë partnerët tanë dhe janë shumë të kujdesshëm, sepse shumë nga parashikimet e tyre janë përgënjeshtruar.
Ministri i Financave ndër të tjera tha se për të zbatuar programin e ri kërkohet "punë, punë, punë," dhe foli për nevojën e një "fushate kombëtare" për ta kthyer vendin në një mjedis pozitiv për investime, sepse vetëm kështu sic tha, do të ndihmojmë të papunët, zhvillimin dhe të ardhurat e ulëta.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment