Rusi, sërish protesta kundër Putin

Protesta të reja pritet të mbahen në Moskë dhe qytete të tjera të Rusisë, pas fitores së Vladimir Putin në zgjedhjet presidenciale të fundjavës së kaluar.
Autoritetet u kanë dhënë leje deri në 50 mijë protestuesve që të mblidhen në një nga sheshet kryesore të Moskës.
Një valë protestash shpërtheu dhjetorin e kaluar, pas zërave se zgjedhjet parlamentare ishin manipuluar.
Dyshime të ngjashme kanë përfshirë edhe zgjedhjet presidenciale, që panë kryeministrin Vladimir Putin të fitonte mandatin e tretë në krye të shtetit.
Vendet e huaja e kanë pranuar fitoren e tij. Vetë presidenti amerikan Barack Obama i ka telefonuar sot Putin për ta uruar për rizgjedhjen.
Gjithashtu, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, dy liderët kanë folur për Afganistanin, Sirinë dhe Iranin. Por vëzhguesit kanë deklaruar se proçesi është manipuluar në favor të tij.
Korrespondenti i BBC në Moskë, Richard Galpin deklaron se disa liderë të opozitës kanë planifikuar një manifestim shumë të madh për ditën e shtunë, pjesërisht sepse lëvizja e tyre nuk arriti të parandalonte marrjen e mandatit të tretë nga Putin.
Demonstratat e ditës së sotme do të jenë një test i rëndësishëm për oreksin e opozitës për vazhdimin e protestave në rrugë, nënvizon korrespondenti Galpin.
Qarkullojnë zëra se opozita duhet të ndryshojë taktikë dhe të fokusohet në ngritjen e partive të reja politike për të sfiduar partitë në pushtet.
Add new comment