Kriza globale godet të rinjtë

Kriza ekonomike që mbërtheu botën që nga viti 2008 ka goditur më fort të rinjtë.
Të dhënat e fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës tregojnë se gjatë vitit 2011 numëroheshin rreth 75 milionë të rinj të papunë që i përkasin moshës 15 deri në 24 vjeç. Ekspertët kanë treguar se mbi bazën e kërkesave të tregut të punës në nivel ndërkombëtar të rinjtë rrezikojnë të kenë tre herë më pak shanse për tu punësuar në kompani të ndryshme në krahasim me të rriturit.
Edhe gjatë këtij viti, numri i të rinjve të papunë po shënon rritje. Analistët e Ilos mendojnë se kjo tendencë do të sjellë gjatë viteve të ardhshme probleme të mëdha sociale, por edhe ulje të pagave për të rinjtë. Mungesa e vendeve të punës për të rinjtë mund të sjellë në të ardhmen uljen e potencialeve në treg dhe mosbesim nga ana e të rinjve në strategjitë politike edhe ekonomike.
Statistikat tregojnë qartë se kriza ekonomike që përfshiu botën nga viti 2008 e deri më tani ka goditur më rëndë të rinjtë. Numri i të papunëve është rritur dhe në 2011 rezulton se 12.7% e të rinjve janë të papunë. Në gjithë botën në 2011 numëroheshin 74.7 milonë të rinj të papunë, nga të cilët 6.4 milionë rezultojnë se janë në listat e të papunëve prej një kohe të gjatë dhe kanë hequr çdo shpresë se një ditë do të gjejnë një mundësi për të punuar.
Të rinjtë që kanë një mundësi punësimi gjejnë punë me kohë të pjesshme ose me kohë të plotë, por për një afat të shkurtër. Viti 2012 do të jetë i vështirë për një pjesë të madhe të njerëzve në të gjithë botën pasi një në tre persona sipas të dhënave zyrtare të Ilos rezulton të jetë i papunë ose i varfër.
Nga statistikat e organizatës ndërkombëtare të punës del se 3.3 miliardë njerëz në botë punojnë, 200 milionë janë të papunë dhe 900 milionë jetojnë me familjet e tyre, ku të ardhurat për frymë janë më pak se 2 dollarë në ditë.
top-channel.tv
Add new comment