Samaras: Greqia do t'i marrë paratë. Fund frikës nga dhrahmia

Postuar në 16 Tetor, 2012 03:40

Negociatat e qeverisë greke me Trojkën për paketën e masave fiskale dhe ndryshimet strukturore janë në pikën më kritike, ndërsa sot pasdite do të zhvillohet takimi i ri i kryetarëve të partive që mbështesin qeverinë. 

Kryeministri duhet të marrë miratimin e tyre për masat, të cilat duhet të jenë gati deri të enjten, që fillon Samiti i Lartë i BE-së, por Venizelos e Kuvelis kundërshtojnë ndryshimet e reja në marrëdhëniet e punës. 

Ndërkaq kryeministri grek ka shprehur besim se Greqia do ta marrë këstin e ri të ndihmës. Ai vuri në dukje se kësti i radhës do të çertifikojë se Greqia mund të qëndrojë në këmbë, do të largojë rrezikun e daljes së vendit nga euro dhe kthimit të dhrahmisë. 

Z.Samaras vlerësoi se “për herë të parë në Greqi, ekziston një konsensus i fortë popullor, që mbështet ndryshimet e mëdha dhe për herë të parë partnerët besojnë në suksesin e Greqisë”. 

Së fundi, kryeministri vuri në dukje se qeveria përballet me krizën si një sfidë për të përmirësuar konkurencën e vendit, pasi “Greqia, nuk është një vend i varfër, por i pasur, i cili nuk ka shfrytëzuar deri tani pasurinë e tij”. 

Ndërkaq komisioneri europian i BE-së, për Çështjet Ekonomike dhe Monetare, Olli Rehn, vlerësoi se diskutimet me qeverinë greke, për kushtet e disbursimit të këstit të ardhshëm, do të përfundojnë nga mesi i nëntorit. Gjithashtu tha se shqyrtohet për t’i dhënë më shumë kohë Greqisë për të zbatuar reformat e nevojshme. 

Nga ana e tij, përfaqësuesi i qeverisë gjermane, Stephen Zaimpert, deklaroi se nuk shqyrtohet një prerje e re e borxhit grek, duke vënë në dukje se vendi duhet të bëjë një seri reformash të vështira ekonomike. 

Ku janë përqëndruar negociatat me Trojkën
Qeveria në takimin e ri me krerët e Trojkës do të përpiqet të parandalojë zvogëlimin e dëmshpërblimeve të punonjësve të dëbuar nga puna dhe shfuqizimin e ligjit në lidhje me vjetërsinë në punë. Qeveria do të propozojë: Sigurimin e dëmshpërblimit për ata të cilët kanë plotësuar 16 vjet me të njëjtin punëdhënës, duke hequr vetëm pagën e 13-të (dhuratën) nga llogaritja, zëvendësimin e vjetërsisë (tre-trevjeçare) me një kompensim të vjetërsisë në punë apo ulje në normën e llogaritjes së vjetërsisë (tre- trevjeçare) në vend të largimit të punonjësve nga puna. 

Gjithashtu, kërkesa e Trojkës që të shfuqizohen vjetërsia në punë dhe kompensimi i martesës gradualisht deri në vitin 2015, tkurr pagën mujore rreth 58 euro në muaj për një të martuar pa vjetërsi në punë, nga 58-116 euro në muaj për këdo që ka 3-6 vjet me të njëjtin punëdhënës, nga 117-176 euro për këdo që ka nëntë vjet punë dhe 176-234 euro për këdo që ka punuar edhe më shumë. 

Në negociatat me përfaqësuesit e Trojkës kanë dalë pengesa në lidhje me disponueshmërinë e personelit në sektorin publik. 
Trojka kërkon të largohen menjëherë 15 000 nënpunës civilë deri në fund të vitit 2012, ndërsa ministria e Reformës Administrative propozon largimin e nënpunësve të papërshtatshëm dhe nxjerrjen në disponueshmëri të 5000 nënpunësve të shtetit. 

Ministri i Reformës Administrative Andoni Manitakis me një shkresë drejtuar Parlamentit përsërit se objektivi për 150 000 nëpunës të shtetit më pak deri në vitin 2015 arrihet me daljen e shumë nënpunësve në pension. Burime nga kjo ministri argumentojnë se Troika pranon numrat, por konsideron të imponuara shkurtimet e nënpunësve, në mënyrë që të jepet një mesazh i qartë politik se Greqia përmbush angazhimet e saj. 

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.