INTERVISTA/ Ambasadori iranian: Shqipëria nuk ka pse të varet kaq shumë nga SHBA-ja

Postuar në 14 Shkurt, 2013 07:50

 

Shqipëria nuk ka pse të varet kaq shumë nga SHBA-ja. Kosova nuk ka bërë asnjë lobim për njohjen. Vendet nuk mund të konfliktohen pafundësisht. Vetëm dialogu i zgjidh diferencat. Intervistë në prag të përvjetorit të revolucionit islamik

Nga Genc Mlloja

Me rastin e përvjetorit të 34-rt të Revolucionit Islamik në Iran, më 11 shkurt 2013, intervista e ambasadorit të Iranit në Tiranë, zotit Ali Amouei, bëhet akoma më interesante për arsyet që tashmë dihen: Zhvillimet në vendin e tij dhe ashpërsimi i përplasjeve shumëvjeçare me Perëndimin, lidhur me programin bërthamor iranian. “Është një mundësi e mirë për të këmbyer gjerësisht pikëpamjet në media, mbi interesat e dy vendeve tona. Mediat, dhe ambasadorët gjithashtu, kanë përgjegjësi para kombeve për t’i informuar ato mbi faktet. Pra jam i gatshëm për çdo pyetje që keni”, na thotë ambasadori Amouei. Ai shton se po mbush tre vjet në këtë mision shqiptar, dhe i ka pëlqyer Shqipëria dhe njerëzit. “Gjithnjë jam përpjekur të zgjeroj spektrin e marrëdhënieve tregtare dhe të ndërveprimit njerëzor mes dy vendeve. Natyrisht, gjërat nuk shkuan siç dëshiroja, sepse nëse do të kishte më shumë bashkëpunim nga ana e politikës shqiptare, mund të kisha bërë shumë më tepër”.

-Zoti Ambasador, është e qartë se në marrëdhëniet mes Iranit dhe Shqipëria ka mungesë komunikimi mes qeverive përkatëse. A mban Teherani në ndonjë mënyrë, kontakte me Tiranën zyrtare, dhe nëse po, në çfarë niveli? 

Në politikën e jashtme të Iranit, gjithnjë ka pasur shumë interes për të mbajtur kontaktet dhe marrëdhëniet më të mira të mundshme me vendet e Ballkanit, veçanërisht me Shqipërinë. Them Shqipërinë, sepse sado që vend i vogël, ka potenciale dhe avantazhe gjeografike të mëdha, të cilat mund ta shndërrojnë në pikë referimi në rajon. Kësisoj, që nga fillesat e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ne kemi shfaqur interesin tonë në mbajtjen e kontakteve të nivelit të lartë. Fatkeqësisht, për shkak të prioriteteve shqiptare në politikën e jashtme dhe për pasojë të politikave ndërkombëtare, kjo nuk ka ndodhur. Në të shkuarën, ka patur këmbime vizitash zyrtare në nivel zv.ministrash të Jashtëm dhe të Ekonomisë. Duket se në këtë drejtim, ka disa përpjekje.

-Në vijim të zhvillimeve të reja, sidomos ato të ditëve të fundit, dallohen disa sinjale mes Bashkimit Europian dhe SHBA-së, sidomos mundësia e rifillimit të bisedimeve të grupit 5 plus 1 tashmë me një sfond tjetër; kemi SHBA-në që përmes zv.presidentit Bajden ka shprehur interesin për bisedime direkte me Iranin. Në këtë këndvështrim, mendoni se edhe me Shqipërinë do të ketë një ndryshim marrëdhëniesh, meqë ne jemi anëtarë të NATO-s dhe aleatë të ngushtë të SHBA-së? 

Më lejoni që kësaj pyetjeje t’i përgjigjem duke sqaruar një prej parimeve të politikës së jashtme të Iranit. Sipas këtij parimi, ne jemi të vendosim marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjitha vendet e botës, me përjashtim të një vendi që e konsiderojmë ilegjitim. Por ky parim ka parakushtin që marrëdhëniet të bazohen në respektin reciprok. Nëse i hidhni një sy historisë, do të gjeni një seri rastesh të ndërhyrjes amerikane në punët e brendshme të Iranit, edhe përpara Revolucionit Islamik. Asnjë iranian nuk e harron grushtin e shtetit të vitit 1953, orkestruar nga shërbimet sekrete britanike e amerikane kundër qeverisë së zgjedhur demokratike të Iranit, sepse kjo qeveri shtetëzoi industrinë iraniane të naftës. Pra, ne vazhdimisht kemi deklaruar se nëse SHBA ndryshon qëndrimin ndaj kombit Iranian dhe sillet karshi nesh me respekt, padyshim që kemi vullnetin t’i zgjidhim të gjitha diferencat mes dy vendeve. Kësisoj, besoj se një ditë këto bisedime direkte SHBA-Iran do të ndodhin.

Këto dy vende nuk mund ta injorojnë pafundësisht njëra-tjetrën. Irani është një vend i pavarur dhe pavarësisht gjithë sanksioneve në 34 vjet, ka pushtuar majat e dijes shkencore dhe ka provuar se sanksionet nuk i arrijnë dot qëllimet e SHBA-së. Deklaratat e fundit nga zyrtarë amerikanë, veçanërisht ato të zotit Bajden, janë mirëpritur nga zyrtarët iranianë dhe siç tha ministri ynë i Jashtëm, ky është sinjal ndryshimi i këndvështrimit të administratës amerikane lidhur me Iranin.

Por sa i përket Shqipërisë, unë besoj se vendi juaj mund të ketë marrëdhënie shumë më të mira me Iranin, bazuar në interesin dypalësh, përtej qëndrimeve euro-atlantike, njësoj si vendet e tjera në rajon. Nuk do mend se marrëdhëniet SHBA-Iran do kenë impaktin e tyre edhe për Shqipërinë, por ama jo në përmasat që shohim sot. Nëse zyrtarët shqiptarë po presin për ditën kur çdo problem mes Iranit dhe SHBA-së të zgjidhet, atëherë besoj se do të jetë një histori krejt tjetër. Unë mendoj se në këto momente, vende si Shqipëria mund ta provojnë miqësinë e tyre me vende të tjera si Irani, dhe të hapin rrugën për marrëdhënie akoma më të gjera në të ardhmen. Shqipëria gjithashtu, mund të luante një rol pozitiv ndërmjetës mes Iranit dhe vendeve të tjera europiane, dhe këto kapacitete të saj nuk duhet t’i nënvlerësojë.

-Zoti Ambasador, jam i ndërgjegjshëm për sukseset dhe arritjet tuaja në shkencë, teknologji dhe fusha të tjera, por çfarë i pengon bizneset e të dyja vendeve të hyjnë në bashkëpunim, sepse besoj se një biznesmen shqiptar mund të gjejë shumë sektorë përfitimi në vendin tuaj, dhe anasjelltas? Si mund të mbushet ky boshllëk? 

Më e pakta që qeveria mund të bëjë, është të ofrojë më shumë lehtësira kontakti për biznesin privat të dy vendeve, sidomos sa u përket dhënies së vizave. Fjala vjen, unë lëshoj shumë viza për afaristë shqiptarë që duan të punojnë me Iranin, pa pyetur për leje nga qeveria ime. Ndërsa ne hasim probleme vizash akoma edhe për shkencëtarë të profilit të lartë që duan të vizitojnë Shqipërinë. Nëse kjo gjë do të lehtësohej, besoj se shumë investitorë iranianë të naftës, bujqësisë, petrokimisë apo minierave, do të dëshironin të punonin me Shqipërinë.

-Një pyetje që lidhet me Kosovën, pavarësinë e së cilës e kanë njohur ndër të tjera, edhe disa vende myslimane. Organizata e Konferencës Islamike i ka inkurajuar anëtarët e saj të lidhin marrëdhënie normale diplomatike me këtë vend. Çfarë e pengon Iranin të normalizojë marrëdhëniet me shtetin më të ri në Ballkan? 

Qëndrimi ynë sa i përket Kosovës, lidhet me marrjen në konsideratë të disa shqetësimeve rajonale dhe ligjit ndërkombëtar. Ky rajon duhet të gëzojë stabilitet të përhershëm, larg nga çdo tension. Çështja e Kosovës, pra, duhet zgjidhur në atë mënyrë që ndihmon stabilitetin në rajon, dhe ne besojmë se rruga më e mirë është sipas normave ndërkombëtare. Nëse Organizata për Bashkëpunimin Islamik del në konkluzionin unanim se njohja e Kosovës e ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon, unë mendoj se Irani nuk do t’i shmanget njohjes.

Por nga ana tjetër, Kosova ka dëshmuar një diplomaci shumë të dobët lidhur me Iranin dhe kërkimin e njohjes prej nesh. Kosova nuk e merr parasysh peshën e Iranit në vendet islamike; ata as nuk lobojnë, apo të vijnë të flasin me zyrtarët iranianë për çështjen e tyre. Di që zyrtarët e Kosovës kanë fluturuar disa herë drejt vendeve të Amerikës Latine, Afrikës etj, për të kërkuar njohjen e shtetit të tyre, por asnjëherë nuk kanë shkuar në Iran. Atëherë, çfarë mund të presësh!

Por gjithsesi, ne besojmë se bisedimet aktuale mes Serbisë dhe Kosovës po shkojnë drejt njohjes. Duket se integrimi europian është prioritet shumë madhor për zyrtarët serbë. Ne besojmë se zgjidhja më e mirë vjen pikërisht mes bisedimeve dhe dialogut. Nuk mund të detyrohemi për të bërë diçka, të shtyrë nga presioni ndërkombëtar.

-Në fakt, meqë e përmendët, ju keni marrëdhënie të shkëlqyera me Beogradin. A jeni ndikuar nga qëndrimi i Beogradit lidhur me këtë çështje? 

Kurrë. Ne kemi marrëdhënie të mira me Serbinë por kjo nuk ndikon në qëndrimin tonë për çështjen e Kosovës. Madje as marrëdhëniet e shkëlqyera me Rusinë dhe Kinën, nuk kanë lidhje me këtë çështje. Jemi shumë të ndërgjegjshëm për vuajtjet që përjetuar shqiptarët myslimanë në vitet ’90-të, dhe ju mund ta verifikoni ndihmën iraniane për shqiptarët gjatë konfliktit të Kosovës, qoftë si shtet, qoftë në kuadër të kryesimit të Konferencës Islamike asokohe. Ne besojmë se nëse një konflikt mes dy kombesh vazhdon, ai thellohet e hedh rrënjë në kulturën e tyre; një kulturë konflikti mes etnish dhe grupesh fetare, mbetet në mendjet e gjeneratave të tëra, për një kohë të gjatë. Vetëm kur palët ulen dhe bisedojnë, gjërat ndryshojnë në dobi të mirëkuptimit dhe të paqes e stabilitetit afatgjatë.

-Zoti Ambasador, është kënaqësi t’ju intervistojmë me rastin e Ditës suaj Kombëtare, 34 vjetori i Revolucionit Islamik. Si e gjen vendin dhe popullin tuaj ky përvjetor, duke pasur parasysh se opozita është e pakënaqur me gjendjen aktuale, sidomos në lëmë të standardeve demokratike dhe të drejtave të njeriut? 

Së pari, më lejoni disa sqarime lidhur me situatën e Iranit pas Revolucionit Islamik. Pas kësaj fitoreje dhe vendosjes së një regjimi që kërkoi që ky vend ta vendoste vetë fatin e tij, i lirë nga ndikimet e fuqive të mëdha, filloi një valë sabotimesh të çdo lloji për ta dobësuar vendin. Iranit iu imponua një luftë 8 vjeçare. Të gjitha vendet e rajonit, madje dhe Rusia, mbështetën Irakun. Por ne nuk e lëshuam veten, dhe kuptuam se duhet të fuqizoheshim e pavarësoheshim aq shumë, sa edhe një superfuqi si SHBA-ja të mos na shkatërronte dot. E dimë se të qëndrosh përballë SHBA-së është shumë e vështirë.

Sot, ju shikoni një Iran që ka teknologji hapësinore si pak vende në botë; që ka arritje shkencore e teknologjike nga më të lartat. Nuk është realiteti i Iranit, ajo që shihni në mediat ndërkombëtare. Fjala vjen, gjatë zgjedhjeve të kaluara presidenciale në vendin tonë pati mosmarrëveshje mes disa grupimeve, diçka normale kjo në të gjitha vendet demokratike. Këto konflikte përfunduan disa muaj më vonë dhe situata iu kthye normalitetit. Unë mund të nënvizoj se Irani është një ndër vendet më demokratike në botë, sepse sistemi ynë elektoral është unik. Populli zgjedh drejtpërdrejt bashkitë dhe këshillat bashkiakë në çdo nivel. Edhe udhëheqësi iranian zgjidhet direkt përmes zgjedhjeve. Shpesh, lajmet e medias ndërkombëtare për ne janë të çuditshme. Së fundi, një afarist shqiptar i kthyer nga një panair në Iran, më takoi dhe shprehu surprizën e tij për çka kishte parë aty, totalisht ndryshe nga ç’kishte dëgjuar më parë.

Siç e dini, pas pak muajsh kemi zgjedhje presidenciale, pothuaj në të njëjtën kohë me zgjedhjet shqiptare. Mund të parashikoj se presidenti i ardhshëm do të jetë një person me cilësi shumë të larta, që do të ketë akoma më shumë ndërveprim me komunitetin ndërkombëtar dhe botën; dhe populli iranian beson tek lideri i tij. Mendoj se do të kemi zgjedhje shumë demokratike.

-Por disa liderë opozitarë u vendosën në arrest shtëpie pas zgjedhjeve të kaluara. A do të marrin pjesë ata në këto zgjedhje? 

Natyrisht, ata nuk do të mund të marrin pjesë. Nuk e besoj. Ata nuk e respektuan angazhimin që morën ndaj sistemit elektoral të Iranit. As presidenti Ahmadinexhad nuk mund të kandidojë, sepse sipas ligjit presidenti mund të zgjidhet vetëm për dy mandate rresht.

-Keni tre vjet në Tiranë. Si e kaloni kohën tuaj të lirë? 

Sigurisht, detyra zyrtare dhe jeta personale më zë shumë kohë. Por gjatë fundjavave kam shijuar klimën e këndshme shqiptare, natyrën e bukur. Mund të them se i kam vizituar të gjitha rajonet e Shqipërisë, bukuritë tuaja dhe të rajonit dhe disa pjesë të Europës Perëndimore.

-Ndonjë pëlqim i veçantë, ku do dëshironit të ktheheshit sërish? 

Sarandën e kam vizituar disa herë, Pogradecin, Voskopojën, Razmën… besoj se e kam shëtitur Shqipërinë më shumë sesa ju!

   TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.