Buxhet universiteteve jashtë Tirane, që zhvillojnë rajonin

Drafti, klimë të përshtatshme për institucionet private
Lorina Mixha
Universitetet në vend, të cilat do të përfshihen nga rregulla të reja tetorin e ardhshëm, do të kenë diferencime në shpërndarjen e fondeve. Sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, drafti i strategjisë për 7 vitet e ardhshme ka vendosur kritere dhe metoda të reja për shpërndarjen e fondeve, por edhe mënyra alternative për përthithje të parave shtesë.
Sipas këtij drafti, i cili u ofron një klimë të favorshme universiteteve private, të cilat deri më tani nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, një pjesë e mirë e parave do t’u shkojë atyre institucioneve që zhvillojnë rajonin, universiteteve që do të hapin programe të reja në varësi të kërkesave të tregut të punës, por sidomos atyre fakulteteve që do të hapin programe dyvjeçare dhe do të japin diploma profesionale dyvjeçare universitare.
“Për programet e diplomave të dyfishta double major, do të vendoset fond i disponueshëm sipas nevojës që t’i ndihmojë ata që të zhvillojnë programe të reja, të cilat përfshijnë dy mbase tri lëndë, nga degë të ndryshme, programet mund të marrin formën e diplomave të dyfishta ose një diplomë major dhe dy minor”, thuhet në draft.
Po ashtu, sipas projektit 7-vjeçar, do të ketë fond të disponueshëm sipas nevojës për të gjitha universitetet për zhvillimin e diplomave të reja profesionale dyvjeçare, në fusha të përshtatshme për rajonin e universiteteve. Fondi mund të përbëjë bazën për thithjen e të ardhurave për universitetet jashtë Tirane.
Institucionet e arsimit të lartë do të nxiten të diferencojnë programet e studimit dhe të krijojnë profile të veçanta në sistem në përputhje me zhvillimin e sektorëve ekonomikë dhe kërkesat e tregut të punës. Duke qenë se sistemi i tanishëm i universiteteve publike është shumë homogjen, qeveria synon që universitetet jashtë Tiranës publike dhe private të zhvillojnë një mision që të përqendrohet më shumë në nevojat e qarta të rajonit të tyre.
Universitetet jashtë Tiranës duhet për këtë të përqendrohen kryesisht në arsimin profesional (si për shembull për mësuesit e shkollave, infermierët, kontabilistët) me programe të ciklit të parë ose diploma të reja profesionale, dyvjeçare. Veprimtaritë e kërkimit dhe të zhvillimit të universiteteve jashtë Tirane do të jenë më shumë në pjesën e zhvillimit sesa në atë të kërkimit shkencor me një fokus më të përqendruar në nevojat e rajonit të tyre.
“Institucionet e arsimit të lartë synojnë që të zhvillojnë struktura si qendra të zhvillimit rajonal për të ndihmuar në kërkesat e rajonit të tyre për shembull organizimin e kurseve për drejtim për ndërmarrjet lokale. Çdo universitetet duhet të ketë një mekanizëm, që në mënyrë aktive inkurajon të tilla veprimtari nëpërmjet bashkëpunimit si brenda universitetit ashtu edhe me komunitetin jashtë tij. Gjithashtu, disa nga aktivitetet e kërkimit shkencor të universiteteve në Tiranë duhet edhe të ndihmojnë në zhvillimin rajonal”, thuhet në strategjinë e arsimit deri në vitin 2020.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të ndërtojë një fond për zhvillimin strategjik për të financuar projekte nga universitetet për t’i ndihmuar ato për të zhvilluar këtë pjesë të misionit të tyre. Universitetet që plotësojnë standardet për t’u cilësuar si universitete kërkimore dhe rezultojnë të suksesshme në integrimin e kërkimit shkencor me mësimdhënien, do të nxiten të konkurrojnë për të siguruar fonde kërkimi nga agjencia e kërkimit të teknologjisë dhe inovacionit, sipas shtatë fushave kryesore të vendosura si prioritete kombëtare për kërkimin.
Som
Universitetet jashtë Tiranës duhet për këtë të përqendrohen kryesisht në arsimin profesional
Profilet
Institucionet e arsimit të lartë do të nxiten të diferencojnë programet e studimit dhe të krijojnë profile të veçanta
Kuotat dhe fushat e studimit
Qeveria do të përcaktojë numrin e kuotave për çdo fushë studimi për çdo universitet publik, duke u bazuar në dy faktorë kryesorë, nevojat e zhvillimit dhe kapacitetet e universiteteve. Nevoja kombëtare për forcë pune të kualifikuar, të reflektuar në zhvillimet e tregut të punës të studiuara nëpërmjet anketimeve kombëtare periodike të bizneseve dhe të diplomuarve, si dhe të reflektuara në strategjinë e zhvillimit kombëtar e rajonal, do të konsiderohet në përcaktimin e kuotave të studimit për fusha dhe cikle studimi.
Profesorët dhe akademikët
Zgjerimi i arsimit të lartë ka sjellë rritjen e numrit të profesorëve dhe akademikëve, zgjerimin e hapësirave të mësimdhënies, laboratorëve, bibliotekave apo ambienteve shtesë. Sfidat e rritjes së cilësisë dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, si dhe zhvillimi i një aktiviteti kërkimor cilësor kanë shtuar trysninë për rritjen dhe diversifikimin financimit të arsimit të lartë. Rishikimi i modeleve të financimit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor është në fakt një pritje europiane dhe pjesë e procesit të modernizimit të sistemit.
SHQIP
Add new comment