Sajmir Mani: Kujdes nenin 67! Legalizon më 1 tetor emërimet fiktive

Me ligjin e ri, reforma në administratë ka kosto. Nga 7 mijë, ato me status shumëfishohen
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Pothuajse janë ligjëruar konkurrimet për vende të “zëna” dhe jo “të lira” siç përcakton ligji
Me këtë nen, që është një “shtojcë politikë”, shembet i gjithë sistemi i ndërtuar nga vetë ky ligj
ARD KOLA
Ligji “Për nëpunësin civil”, që u miratua ditën e fundit të Parlamentit, mes të tjerash përfshin edhe një nen, që mbron të gjitha emërimet e realizuara brenda periudhës 1-vjeçare.
Bëhet fjalë për nenin 67, te pjesa e dispozitës tranzitore, brenda të cilit janë vendosur dy paragrafë (pika 3 dhe 4), të kombinuar me lojë fjalësh, por që nuk i ka shpëtuar syrit të ekspertëve.
Sajmir Mani, me përvojë disavjeçare në Komisionin e Shërbimit Civil, tregon për gazetën “Shqip” hilet që përmban ligji i ri, që pritet të hyjë në fuqi më 1 tetor. Intervista realizohet në një kohë, kur kryeministri i zgjedhur është angazhuar seriozisht në realizimin e një reforme në administrë, por nga sa mësohet, me ligjin e ri, do ta ketë të vështirë, pasi nga 7 mijë punonjës me status nëpunësi, pra të mbrojtur nga ligji, numri arrin gati në 40 mijë. Pavarësisht se si janë rekrutuar, se si i kanë fituar vendet e punës, me ligjin e ri, tashmë askush nuk preket! Ka vetëm një zgjidhje: amendimin e nenit, që mund të kërkojë 84 vota.
Pas më shumë se dy vitesh punë, Kuvendi miratoi ligjin e ri “Për nëpunësin civil”. Çfarë sjellin këto ndryshime?
Në seancën e fundit, Kuvendi miratoi edhe ligjin e ri “Për nëpunësin civil”, Nr.152/2013, i cili hyn në fuqi më 1 tetor 2013. Deri tani, shërbimi civil rregullohej me ligjin Nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.
Në thelbin e tij, edhe ligji i ri është vazhdimësi, pasi ruan parimet bazë të ligjit të mëparshëm, duke mbajtur si qëllim krijimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike.
Në veçanti, do të vlerësoja rregullimet me këtë ligj të procesit të rekrutimit në shërbimin civil dhe kushtet e përcaktuara për t’u emëruar në pozicionet drejtuese. Këto rregullime kanë qenë të domosdoshme për t’i mbyllur rrugën keqinterpretimit, subjektivizmit dhe abuzimeve me ligjin, fenomen ky i vërtetuar nga praktika 13-vjeçare e zbatimit të tij në shërbimin civil.
Gjithashtu, është për t’u theksuar se ky ligj zgjeron ndjeshëm fushën e veprimit të tij, pra tashmë në shërbimin civil përfshihen një pjesë e konsiderueshme e administratës publike, ose nga rreth 7 mijë që ishte numri i nëpunësve civilë, tani ky numër shumëfishohet, duke shtrirë efektet deri në nivelin e komunave.
Duke e vlerësuar në tërësinë e tij këtë ligj, pa dashur të futem në detaje për të cilat kam tjetër mendim, dua të theksoj anën tjetër të këtij ligji, aty ku ndërhyrja e politikës është “hileqare” dhe e komprometon që në fillimet e tij zbatimin e tij.
Pa qëllim për të politizuar problemin, por vetëm mbi bazën e përvojës të punës time rreth 8-vjeçare në fushën e zbatimit të ligjit për shërbimin civil, do të argumentoj me fakte mendimin tim.
Më konkretisht, ku qëndrojnë problemet?
Fillimisht është e nevojshme një analizë e gjendjes në raport me zbatimin e ligjit për shërbimin civil.
Ne nuk ishim pa ligj të shërbimit civil. E theksova që në fillim që edhe ligji i ri është përgjithësisht i njëjti model, pra është vazhdimësi parimesh e qëllimi, por ajo që ka dëmtuar rëndë shërbimin civil, është mbi të gjitha moszbatimi i ligjit. Pasojat janë të dukshme, për këtë ka kohë që flasin raportet e monitorimit të misioneve të huaja në Shqipëri, veçanërisht raportet periodike të BE-së, të cilat në thelb theksojnë domosdoshmërinë e kryerjes të reformave në administratën publike. Edhe ligji i ri për shërbimin civil është kërkuar si pjesë e rëndësishme e kësaj reforme.
Në vlerësimin tim, kjo gjendje ku ndodhet administrata publike shpjegohet me faktin se ligji për shërbimin civil u mbajt më tepër si fasadë për plotësim kushtesh nga BE, se sa i shërbeu realisht ndërtimit të një administrate publike të aftë për të përballuar sfidat e integrimit.
Mungoi së pari vullneti politik, duke e trajtuar administratën publike sikur të jetë pronë e partive politike, duke mbushur radhët e saj mbi frymë militantizmi e nepotizmi, në shkelje të hapur me parimet e përcaktimet e ligjit për shërbimin civil. Veçanërisht “reformat” përfshinë pozicionet e niveleve drejtuese. Punonjësit e shërbimit civil ishin me status, i mbronte ligji “Statusi i nëpunësit civil” për largime të padrejta nga puna, por kjo mbrojtje mbeti në letra, duke u shpërfillur jo vetëm vendimet e KSHC-së, por edhe të Gjykatave, duke i mohuar kështu të drejtën e fituar me vendime gjyqësore për kthimin në punë. Janë me qindra vendime të pazbatuara vetëm në ministritë dhe institucionet e tjera qendrore.
Pra, ligjin për të pasur një administratë profesionale e kishim, por kemi vuajtur nga zbatimi i ri?
Politizimi i procesit për vendet e punës në shërbimin civil thuajse ka ligjëruar qeverisjen me dy administrata.
Ky është koncepti që ka krijuar vetë politika dhe natyrshëm “ethet” e rotacionit politik kanë përfshirë tani gjithë punonjësit e administratës.
Kjo është një e vërtetë e pamohueshme dhe më shumë se gjithkush e dinë më mirë, ata mijëra punonjës të administratës që e kanë “shijuar” për mirë apo për keq këtë. Sjellja politike me administratën publike ka krijuar modelin e përkohshmërisë në marrëdhëniet e punës me shtetin, duke ulur kështu ndjeshëm jo vetëm nivelin përfaqësues të administratës, por ka ushqyer padyshim edhe korrupsionin. Të jesh në punë me shtetin përkohësisht, do të thotë se i ke të numëruara “ditët me pushtet”.
Ndërtimi i shtetit ligjor nuk mund të kuptohet pa ndërtimin e një administrate publike të bazuar në sistemin e vërtetë të vlerave individuale. Ka ardhur koha të marrin fund procedurat abuzive të rekrutimit në shërbimin civil, ku pothuajse janë ligjëruar konkurrimet për vende të “zëna” dhe jo “të lira” siç përcakton ligji. Modelet e sajuara të rekrutimeve fiktive duke shkelur hapur ligjin në thelbin e tij, angazhuan edhe institucionet përgjegjëse zbatuese të ligjit, e në veçanti Departamentin e Administratës Publike (DAP). Kjo strukturë e ngarkuar me detyra të rëndësishme për administrimin e ligjit të shërbimit civil, në fakt degradoi në një vegël që i shërbeu urdhrave politike.
Konkurrimi u kalua në një formalitet për të plotësuar dosjet “sipas ligjit”, me konkurrues fiktivë, pasi vendi i punës i shpallur “i lirë” për konkurrim, në fakt ishte i zënë prej kohësh me kontratë. Po kështu ka edhe shumë të tjerë, të cilët nuk kanë kryer akoma procesin e “konkurrimit” dhe vazhdojnë të jenë me kontratë.
Përfundimisht, procesi i rekrutimit të nëpunësve civilë rezulton i dështuar dhe kjo jo për mungesë të ligjit, por nga moszbatimi dhe abuzimi me ligjin. Pasojat janë të dukshme dhe korrigjimet të domosdoshme. Në fund të fundit, thelbi i ligjit të shërbimit civil ishte dhe është, krijimi i një administrate efektive që vjen nga përzgjedhja e kandidaturave më të mira, nëpërmjet një procesi konkurrimi që bazohet në vlerësimin e aftësive profesionale.
Por situata e deritashme me problemet e analizuara nga ju a merr zgjidhje me ligjin e ri?
Jo, për fat të keq. Në ligjin e ri, vetëm me një nen i vihet kapaku “tenxheres me presion”. Pa u ngatërruar në lodra fjalësh dhe terminologjinë e përdorur, duhet kuptuar qartë se: Neni 67, pika 3, i konsideron të ligjshme të gjitha emërimet e bëra deri më tani, edhe pse janë në shkelje të ligjit të mëparshëm të shërbimit civil. Mjafton që punonjësi të ketë bërë një vit punë, dhe këta janë, për shkak të ligjit, nëpunës civilë. Pra ligji “legalizon” vendin e punës të pushtuar. Nuk besoj se ka dëshmi më të qartë për të vërtetuar falsitetin e ligjit të shërbimit civil, qëndrimin e politikës në raport me këtë ligj, duke konfirmuar kështu sjelljen e gjithë këtyre viteve për krijimin e një administrate publike të motivuar mbi bazën e interesave të pushtetit dhe jo ndërtimit të shtetit.
Ligji i ri për shërbimin civil u kërkua si pjesë e rëndësishme e reformës në administratën publike, por kur lexoj nenin 67, më lind e drejta të pyes; “Ligji i ri për shërbimin civil, e mbështet apo pengon reformën?”. Të paktën, deri tani, është e provuar se formalisht kemi pasur një ligj të shërbimit civil, por në zbatimin e tij deformimet kanë qenë të shumta deri në dështimin e procesit. Për më tepër, edhe me ligjin e ri, duket qartë se politika e vjetër nuk ka pasur për qëllim reformën në shërbimin civil, por ruajtjen e vazhdimësisë të modelit të ndërtuar.
Për këtë mjafton t’i referohesh dispozitave kalimtare, pikave 3 dhe 4 të nenit 67 “Statusi i punonjësve dhe nëpunësve aktualë”. Vetëm me këtë nen, që është dukshëm një “shtojcë politikë”, shembet i gjithë sistemi i ndërtuar nga vetë ky ligj. Ky nen, me fuqi ligjore prapavepruse, padrejtësisht ligjëron të gjithë paligjshmërinë e emërimeve të kryera deri më 1 tetor 2013, edhe pse procedurat e rekrutimit bazohen në sistemin e konkurrimit, si me ligjin e ri ashtu edhe me ligjin e mëparshëm. Po kështu, me këtë nen, ligjërohen me statusin e nëpunësit civil, edhe të gjithë punonjësit e tjerë ekzistues të administratës publike, (mbi një vit pune), që pas 1 tetorit do të përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit të ri, ndërkohë që vetë ligji përcakton qartë procedura dhe etapa deri në konfirmimin si nëpunës civil.
Natyrshëm lind pyetja. “Kur dhe për cilët është parashikuar të vihet në zbatim realisht ky ligj?”. Me nenin 67, de fakto janë pajisur me “certifikatën e statusit” të gjithë punonjësit aktualë që marrëdhëniet e tyre të punës rregullohen me ligjin e ri të shërbimit civil. Por, statusi i nëpunësit civil nuk mund të “dhurohet” as nga partia, as nga miqësia, por fitohet sipas procedurës të caktuar nga ligji.
E theksova përmbajtjen antiligjore dhe pasojat e këtij neni, sepse e vlerësoj si domosdoshmëri ndryshimin e tij. Tashmë dihen rrethanat politike dhe emergjenca e miratimit të këtij ligji. Asnjë palë politike nuk duhet të fitojë të drejtën e pronësisë mbi administratën publike. Ajo është një pasuri kombëtare dhe duhet të administrohet si e tillë, brenda kuadrit të ligjit dhe shtetit ligjor. E parë në këtë vështrim, duhet të bëhet edhe amendimi i këtij neni. Ndërkohë, mendoj se duhet rishikuar edhe pozicioni i DAP-it në ligjin e ri. Kalimi i DAP-it nga varësia e Këshillit Ministrave në varësi të Ministrisë të Brendshme, rezultoi i dështuar.
Ka ardhur koha që administrata publike duhet të shkëputet përfundimisht nga zgjedha politike. Edhe vetë ligji i shërbimit civil e përcakton qartë këtë. Sikurse e theksova edhe më sipër, çelësi i suksesit është zbatimi korrekt i ligjit për shërbimin civil. Nëse ligji do të ishte zbatuar, nuk do të kishim këtë situatë që kemi sot në administratën publike. Nëse do të ishin zbatuar vendimet e Gjykatave, do të ishin frenuar edhe largimet e paligjshme nga puna, edhe rekrutimet abuzive, edhe buxheti nuk do rëndohej me miliona për të paguar dy nëpunës për një vend pune, etj.
Ligji i shërbimit civil përcakton qartë edhe procedurën e ankimimit të nëpunësit civil, kur atij i shkelen të drejtat sipas këtij ligji. Pra e drejta e ankimimit është zgjidhur nëpërmjet gjykatës për mosmarrëveshjet administrative dhe nuk ka nevojë për shtojcat mbrojtëse të nenit 67. Nëpunësin civil e mbron ligji për shërbimin civil dhe jo partia. E rëndësishme është që vendimet e gjykatës të ekzekutohen dhe jo si deri më sot, ku asnjë drejtues nuk është vënë para përgjegjësisë deri penale sikurse parashikon ligji.
Përmbajtja
Pika 3 - Nëpunësit civilë ekzistues, punonjësit ekzistues, që janë të punësuar në pozicione të shërbimit civil, sipas këtij ligji dhe që janë rekrutuar sipas një procedure pranimi konkurruese, të ngjashme me atë të përcaktuar nga ligji nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, apo që janë të punësuar në të njëjtin vend pune për një periudhë jo më të vogël se 1 vit, janë, për shkak të ligjit, nëpunës civilë.
Pika 4 - Nëpunësit ekzistues, që janë të punësuar në pozicione, pjesë të shërbimit civil, sipas këtij ligji dhe që nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në pikën 3 të këtij neni, janë nëpunës civilë në periudhë prove dhe për ta zbatohen dispozitat e nenit 24 të këtij ligji. Periudha e provës nis nga fillimi i shtrirjes
së efekteve të këtij ligji.
Shqip
Add new comment