Blerja e helikopterëve, ministrja Kodheli kërkon shpjegime për tenderin

Blerja e helikopterëve, ministrja Kodheli kërkon shpjegime për tenderin
20 Tetor 2013 | : Kryesoret,Politikë | Autor: Bledar Hoti
Skandali me fluturimin e Berishës në Maqedoni, u nis me një nga pilotët pa përvojë
Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, përdori helikopterin VIP për të shkuar në Maqedoni, me qëllim marrjen pjesë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë
Gazeta “Shqip” ka mësuar se një ndër problemet kryesore për helikopterët e kontraktuar janë mossigurimi i tyre apo moskryerja e zhdoganimit të tyre
BLEDAR HOTI
Skandali i tenderit të blerjes së helikopterëve “Cougar” nga firma “Eurocopter” ka vënë në lëvizje drejtuesit e rinj të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas burimeve të gazetës “Shqip”, ministrja Mimi Kodheli, që me mbërritjen e saj në këtë detyrë ka kërkuar t’i vihet në dispozicion praktika e ndjekur për tenderimin e helikopterëve të prokuruar me firmën franceze “Eurocopter”. Kodheli mësohet se është vënë në dijeni për të gjitha kontratat e realizuara deri më tani, si dhe për helikopterin “Cougar”, tipi Kitin Medivac AS 532 me numër anësor 632 dhe SN 2816, për të cilën këto ditë në median e shkruar u publikua se i mungojnë 758 mijë euro pajisje mjekësore. Mësohet se ministrja është njohur me një raport për këto blerje, porse letra e drejtuar nga major Agim Manaj ka bërë që të kërkohet më tepër hollësi për kontratat dhe pagesat. Sipas sitit Investigimi.al, “pajisjet që i mungojnë helikopterit janë ndërkohë një kërkesë e Agjencisë së Standardizimit në NATO, e cila u referohet atyre me përshkrimin “Pajisje mjekësore të rekomanduara për evakuimet aeromjekësore”. Në këtë dokument përcaktohen një sërë mjetesh dhe aparaturash, të cilat duhet të jenë pjesë e çdo mjeti fluturues, që ka si funksion evakuimin aeromjekësor. Duke qenë se Shqipëria është pjesë e Atlantikut të Veriut që prej vitit 2008, helikopteri i blerë për qëllime mjekësore duhet të kishte pjesë të tijën: respiratorin, ventilatorin manual, burimin e oksigjenit, sistemin e shpërndarjes së oksigjenit, pajisje për injeksione, si dhe një sërë pajisjesh, aparaturash dhe medikamentesh që duhet të ishin pjesë e kompletit mjekësor me vlerë mbi 758 mijë euro. Ndër to, pajisjet më të rëndësishme janë: defribrilator-kardioskop, monitor shumëparametërsh (ECG, okzimetër, presioni i gjakut jo invaziv, rrahjet e zemrës, temperature), si dhe respiratori pneumatik ose elektrik. Të gjitha këto pajisje mungojnë dhe figuron se janë vetëm barelat si mjete ndihmëse.
Berisha në Maqedoni
Gazeta “Shqip” ka zbuluar një tjetër skandal që ka ndodhur më 26 nëntor të vitit 2012, me fluturimin e helikopterit VIP, çka nënkupton lëvizjet e Kryeministrit. Një shkresë e zbuluar, e nisur nga komanda e Farkës ku ndodhet edhe baza ajrore, drejtuar komandantit të Forcës Ajrore, gjeneralbrigade Dhori Spirollari, bëhet e ditur se “në datën 26.11.2012 është kryer fluturim transporti VIP me kryetarin e Këshillit të Ministrave në kundërshtim të rëndë me rregulloren e zhvillimit të fluturimeve të Forcës Ajrore nga kolonel F.Beltoja, duke futur në ekuipazh major N.Llusku, i cili nuk është pilot në helikopter EC-145, si dhe duke pasur një shkëputje shumë të gjatë nga fluturimi, ka krijuar kështu premisa për cenimin e sigurisë së fluturimit”. Në këtë shkresë, drejtuar nga komandanti i Bazës Ajrore Farkë, kërkohej marrja e masave për këtë shkelje të rëndë të rregullores së fluturimeve të Forcës Ajrore, në mënyrë që këto incidente të mos ndodhin në të ardhmen. Gjithsej, sipas shkresës, janë kryer pesë fluturime për 3 orë e 15 minuta. Itinerari ka qenë fillimisht Farkë-Podgoricë (fikje) – Shkup (fikje, aeroportuale). Fluturimi në kthim u krye më 25 nëntor, me itinerarin Shkup-Podgoricë. “Me datën 26 nëntor 2012 u krye fluturimi i transferimit të PLSH (Kryeministri i Shqipërisë) nga Pogradeci në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Më tej u krye kthimi në Bazën Ajrore në Farkë. Fluturimi u krye me ekuipazh të koordinuar Beltoja-Llusku-Buzi. Gjithsej janë kryer pesë misione fluturimi me kohën 3 orë e 15 minuta. U koordinua puna me QKR dhe me Bazën Ajrore Farkë dhe u krye furnizimi me karburant i helikopterit EC 145 në Pogradec”, thuhet në shkresën tjetër të firmosur nga komandant Llusku. Kryeministri i asaj kohe, Berisha, udhëtoi drejt Maqedonisë, me qëllim marrjen pjesë për festimet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Pa doganë
Gazeta “Shqip” ka mësuar se një ndër problemet kryesore për helikopterët e kontraktuar janë mossigurimi i tyre apo moskryerja e pagesës së zhdoganimit të tyre. Vetëm taksa prej 2% në bankë mësohet se është kryer deri më tani për helikopterin VIP. Për një fakt të tillë mësohet se është vënë në dijeni edhe vetë Kryeministri i asaj kohe, Berisha. Vetë drejtuesit e Bazës Ajrore në Farkë ia kishin shprehur Berishës shqetësimin se helikopteri EC 145 ka probleme me mospagimin e doganës, por Kryeministri i asaj kohe është drejtuar me fjalët: “Ju kryeni fluturimet dhe detyrën, të tjerat lërini në dorën time”. Pra këto fluturime janë kryer me një aeroplan “kontrabandë”, pasi shteti nuk ka kryer detyrimet e veta financiare për zhdoganim.
Në dokumentin e zbuluar nga gazeta “Shqip”, rezulton se vihet në dijeni komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralbrigade Dhori Spirollari për këtë shkelje
Kodheli
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, mësohet se i ka kërkuar stafit të saj dhe drejtorisë së modernizimit njohjen mbi kontratat e realizuara për blerjen e helikopterëve “Cougar”
Denoncimi
Mediat zbuluan një letër që ministrja Kodheli ka marrë, ku bëhet e ditur shkelja e rëndë e rreth 750 mijë eurove për helikopterin “Medivac”, i cili është dorëzuar pa materialet dhe aparaturat mjekësore
Faksimile
Shkresa e parë konstaton në shkeljen për fluturimin e kryer me helikopterin EC 145 në Maqedoni
Shkresa e dytë jep raportin për kryerjen e fluturimeve të Kryeministrit Berisha në Podgoricë (Mali i Zi) dhe Shkup (Maqedoni)
Shqip
Add new comment