Në Kuvend me biçikletë, Peza: Kështu shpëtoj dhe nga gjobat e Tahirit

Deputeti i Partisë Socialiste, Dashamir Peza nuk ka parkuar në oborrin e Parlamentit, si zakonisht, makinën por një biçikletë. Pak e çuditshme për mënyrën si i kemi parë të lëvizin deputetët me makinë, shpenzimet e naftës të së cilës paguhen nga shteti.Të gjithë do të mendojnë se është efekt i tkurrjes së shpenzimeve të buxhetit me Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit 2013, që po diskutohet në Kuvend. Një pyetje të tillë deputetit socialist ia bëri edhe gazetarja e "A1 Report", por për Pezën nuk ka lidhje kjo gjë.
“S’ka lidhje me buxhetin por me të ndjerit mirë fizikisht”, tha Peza. Duke nisur të përdorë biçikletën Peza ka kuptuar dhe sa e vështirë është të lëvizësh me mjetin me dy rrota nëpër rrugët e Tiranës, por pse jo dhe kursen shpenzimet e naftës.
“Kam disa muaj që lëviz me biçikletë. Por kam vënë re se nuk është aspak e lehtë të ecësh me biçikletë në Tiranë, ndonëse vij më shpejt sesa me makinë. Biçikleta të ndihmon fizikun, pse jo edhe kursen para”, thotë Peza, duke kujtuar dhe një të mirë tjetër që ka përdorimi i biçikletës: Nuk merr gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit me makinë.
“Tani që Tahiri ka shtrënguar policinë shmang dhe ndonjë gjobë”, thotë Dashamir Peza, duke kërkuar dhe shtrëngimin e masave që të respektohen njerëzit që ecin me biçikletë dhe në këmbë.
Shekulli
Add new comment