Administrata, vetëm 14 ankesa zyrtare në Komisionin Civil

Ulet numri i ankesave në Komisionin e Shërbimit Civil, nëpunësit e hequr apo të emëruar në tjera detyra preferojnë t’i shprehin pakënaqësitë në portalin e ankesave te PD. Por, ka edhe një vakum ligjor që ka sjellë anomali në funksionimin e komisionit, si pasojë e krijimit së shpejti të Gjykatës Administrative. Prej 1 tetorit KSHC vetëm ka pranuar marrjen në dorëzim të kërkesave të qytetarëve, ndërkohë që nuk i shqyrton ato. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur për gazetën “Shekulli” se prej datës 1 tetor ky komision nuk mund të kryejë më detyrën që ka pasur me ligjin e vjetër, pasi tashmë e drejta e shqyrtimit të ankimimeve i takon Gjykatës Administrative e cila nuk ka filluar ende punën.
Ankesat
Mësohet se numri i kërkesave të regjistruara në këtë institucion nga shtatori e gjer më tani arrin në 14, një numër tepër i vogël. Por, edhe pse nuk ka kompetencë për të shqyrtuar dosjet, KSHC-ja i ka pranuar kërkesat që të regjistrohen, ndërsa hapi i fundit për të gjetur zgjidhje, ashtu si për çdo lloj mosmarrëveshje, mbetet gjykata. Edhe akti i ri normativ për shërbimin civil, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, nuk i ka dhënë zgjidhje problemit, më konkretisht pikës 3 të nenit 71 të ligjit, që përcakton se ky institucion mund të pranojë ankesa deri në 1 tetor 2013, ndonëse është shtyrë aktiviteti i KSHC-së me 6 muaj. “Gjithsesi, për ankesat e paraqitura, por të pashqyrtuara nga Komisioni i Shërbimit Civil, ankuesi ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatën kompetente për mosmarrëveshjet administrative brenda 60 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit”, shpjegon një zyrtar i këtij komisioni
Komisioni
Me miratimin nga Kuvendi të ligjit “Për organizimin e drejtësisë administrative”, i njohur ndryshe si ligji për Gjykatën Administrative, iu dha fund ekzistencës së detyrës kryesore të Komisionit të Shërbimit Civil që ky institucion luante deri më tani, pra trajtimin e ankesave të individëve që gëzonin Statusin e Nëpunësit Civil. Tashmë këtë rol do ta luajë pikërisht kjo gjykatë e re që pritet të funksionojë qysh prej datës 4 nëntor. Gjithashtu, me miratimin e ligjit të ri, KSHC-ja, nga një komision shërbimi civil, kolegjial dhe administrativ, kalon në një institucion monokratik, i cili do të njihet si Komisioneri për Shërbimin Civil, që do të drejtohet nga një person që do të zgjidhet po ashtu nga Kuvendi. Komisioneri për Shërbimin Civil, ndryshe nga sa ka vepruar më parë Komisioni i Shërbimit Civil, propozohet që të ketë për kompetencë vetëm mbikëqyrjen dhe menaxhimin e shërbimit civil në të gjitha institucionet që hyjnë në fushën e veprimit të ligjit të statusit të nëpunësit civil.
Kur konstaton parregullsi, Komisioneri paralajmëron institucionin përkatës, duke i dhënë dy muaj kohë për të rregulluar ligjshmërinë dhe në mbarim të këtij afati, çon çështjen në Gjykatë.
Komisioneri në fushën e zbatimit të funksioneve të tij ka dhe ankesat për zhvillimin dhe rezultatin e konkurrimit, të cilat parashikohen të paraqiten para tij brenda 30 ditëve nga botimi i rezultateve të konkurrimit në dy gazetat me qarkullimin më të madh. Nëse një ankesë rezulton e drejtë, ankuesi do t’i propozohet institucioneve për vendin më të parë të lirë të së njëjtës kategori dhe nivel që ai ka aplikuar. Akti normativ Mes shumë debateve.
Kuvendi miratoi me 84 vota pro dhe katër kundër, Aktin Normativ “Për nëpunësin civil” që shtyn efektet e tij edhe për 6 muaj. Sipas relacionit të hartuar nga qeveria për aktin normativ, Neni 69, i ligjit të ri, i jep kompetencën Këshillit të Ministrave që të miratojë aktet nënligjore brenda 3 muajve dhe këto akte maksimalisht duhet që të hyjnë në fuqi brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Rezulton se në këtë rast krijohet një situatë bllokuese për 3-6 muaj për shkak të natyrës së përgjithshme të ligjit nr. 152/2013, kohë gjatë së cilës asnjë ministri, institucion në varësi, si dhe institucionet e tjera te pavarura apo të qeverisjes vendore, pjesë e fushës së zbatimit të ligjit, nuk kanë një bazë ligjore të shërbimit civil të zbatueshme për rregullimin e marrëdhënies së punës të nëpunësve civilë. Në këtë situatë, bazuar në ligjin nr. 152/2013, nuk mund që të përdoret as ligji i vitit 1999, "Statusi i nëpunësit civil" dhe aktet nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij, pasi sipas nenit 70, të ligjit të ri, ligji i vjetër shfuqizohet mbas datës 1 tetor 2013 dhe, për rrjedhojë, edhe aktet nënligjore konsiderohen të rëna nga fuqia. Për më tepër, ligji nr. 152/2013 në krahasim me ligjin e vjetër ka ndryshime thelbësore që në çdo rast do ta bëjnë të pamundur zbatimin e akteve nënligjore.
Në portalin e PD-së drejtohen 200 nëpunës
Janë mbi 200 ankimime në portalin e Partisë Demokratike për të denoncuar largimet apo lëvizjet nga pozicionet në administratë. Por, ajo që bie më shumë në sy është shpërfillja që nëpunësit civil i bëjnë institucionit shtetëror dhe orientimi tek organet partiake ku kërkojnë mbështetje për të gjetur një mënyrë për t’u rregulluar në punë. Pjesa më e madhe e kërkesave janë për uljen në detyrë apo për transferime në pozicione jo shumë të këndshme.
Ndërsa janë më të pakta ankesat për largime nga puna. Burime nga PD bëjnë të ditur se janë pesë juristë të kësaj force që po merren me denoncimet që vijnë nga qytetarët, duke i drejtuar ata drejt rrugëve ligjore që duhet të ndjekin. Por, edhe pse ankimimi në Shërbimin Civil është rruga që duhet të ndjekë një nëpunës i administratës publike, janë tepër të pakët ata që i drejtohen këtij institucioni, duke ngritur dyshime se pjesa më e madhe e tyre janë punonjës me kontratë. Fillimisht demokratët iu gëzuan hyrjes në fuqi të ligjit të ri për “Nëpunësin Civil” që do i mbronte nga shkarkimet nga puna, por me shtyrjen me 6 muaj të efekteve të këtij ligji, PD zgjodhi strategjinë e denoncimit të rasteve duke hapur një portal në internet për denoncimet.
“Revanshi politik i mazhorancës së re, presioni dhe largimi i nëpunësve të shtetit me metodën e vjetër të luftës së klasave po mbizotëron në çdo zyrë të administratës shtetërore. E gjithë administrata është nën presion, ankth dhe pasiguri për vendin e punës dhe vazhdimin e karrierës në respekt të meritës. Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të ndalë presionin mbi administratën dhe revanshin për spastrimin e saj. Partia Demokratike fton çdo nëpunës që të denoncojë rastet e presionit apo largimit dhe i garanton ata se do ndërmarrë të gjitha masat për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që përdorin pushtetin për të dhunuar të drejtat e nëpunësve”, thuhej në deklaratën e PD-së.
Andi Bala Këshilltar Ligjor Asnjë ankesë te Avokati i Popullit Asnjë kërkesë nuk ka mbërritur tek institucioni i Avokatit të Popullit për largimet nga puna nga shtatori e këtej. Në një prononcim për “Shekullin”, këshilltari ligjor i këtij institucioni, Andi Bala, sqaron se problem mbetet zbatimi i vendimeve gjyqësore nga institucionet. “Vetëm gjatë dy viteve të fundit, 2012 dhe 2013, janë depozituar pranë institucionit të Avokatit të Popullit mbi 300 raste në të cilat subjekte të ndryshëm fizikë dhe juridik janë ankuar për shkeljen e parimit për zhvillim të procesit të rregullt ligjor, si rrjedhojë e mosekzekutimit në një afat të arsyeshëm të vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga ana e organ-eve të ngarkuar me ligj për ekzekutimin e tyre.
Shqetësuese paraqitet kjo situate në rastin e mospërmbushjes së detyrimeve në të holla apo kryerjen e një veprimi nga ana e organeve të Administratës Publike, në nivel qendror dhe vendor, megjithëse vendimet gjyqësore të pranuara për ekzekutim kanë marrë formë të prerë prej shumë vitesh. Mosekzekutimi i vendimeve të formës së prerë të gjykatave, përbën një ndër shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut si dhe është një shenjë shumë e rëndë e mosfunksionimit të shteti ligjor. Ftojmë qeverinë e re që të kthejë në prioritet edhe zgjidhjen e kësaj problematike që vijon prej shumë kohësh”, thekson Andi Bala.
Shekulli
Add new comment