Stafi i Xhukës vazhdon akuzat ndaj shefes: Po manipulon të dhënat

Stafi i Inspektoratit të Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka denoncuar sërish Inspektoren e Përgjithshme, Zana Xhuka për manipulimin e të dhënave dhe ndërhyrje në dokumentacionin zyrtar të personelit. Stafi I ILDKP-së, nëpërmjet një deklarate për mediat, kërkon ndërhyrjen urgjente të Kuvendit, pasi sipas tyre ndodhen në presion të vazhdueshëm që prej një jave nga persona të armatosur që hyjnë e dalin në institucion ne kundërshtim flagrant me rregulloren e brendshme.
Deklarata e plotë:
“Në vijimësi të informacionit, të përcjellë më datë 21.10.2013, ku kemi bërë me dije shkeljet e kryera nga Inspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, detyrohemi të vijojmë përsëri me denoncimin e një tjetër shkelje flagrante të kryer prej saj, e që sjell përfundimisht degradimin e një institucioni të tërë.
Në datën 24.10.2013, në faqen zyrtare të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave nga Zana Xhuka është bërë publik njoftimi se: “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, neni 29, njofton thirrjen e 2 ekspertëve të pavarur, të liçensuar, të fushave të ndryshme, për të bërë vlerësimin e deklaratave të interesave private të subjekteve deklarues. Të interesuarit mund të aplikojnë zyrtarisht ose me e-mail në adresën elektronike postare zyrtare info@hidaa.gov.al, brenda datës 30 tetor 2013.”
“Ky fakt skandaloz, për të cilin vihemi në dijeni nga njoftimi zyrtar i sipërcituar, vërteton edhe një herë shqetësimet e stafit, të bëra publike edhe më parë, për ndërhyrje në dokumentacionin zyrtar, nga persona të huaj, që në këtë rast “legjitimohen” nga titullarja e institucionit me emrin “ekspertë të liçensuar”. Ky njoftim zyrtar i Inspektores së Përgjithshme, provon shqetësimet tona për manipulim, ndërhyrje arbitrare dhe të kundraligjshme në deklaratat e interesave private apo serverin e të dhënave me qëllim zhdukjen dhe manipulimin e dokumentacionit.
Baza ligjore sipas Znj. Xhuka është neni 29 i Ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, ndërkohë që në këtë nen shprehimisht thuhet se : ” Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të thërrasë ekspertë të pavarur, të liçensuar, të fushave të ndryshme, për të bërë rivlerësimin e pasurive ose për çështje që këta çmojnë të arsyeshme”.
Pra, në këtë dispozitë, e cila keqinterpretohet në mënyrë të qëllimshme nga zonja Xhuka, përcaktohen qartësisht rastet kur Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të thërrasë ekspertë të liçensuar dhe që ka të bëjë kryesisht me vlerësimet e pasurive te paluajtshme, objekt kontrolli.
Ligji “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar ngarkon qartësisht vetëm punonjësit e Inspektoratit të Lartë, pra Inspektorët e Lartë dhe Ndihmës Inspektorët e Lartë, për të ushtruar kontrollin e drejtperdrejtë të deklaratave të interesave private .
Sipas stafit të ILDKP, ekspertët e liçensuar merren vetëm në raste të veçanta kur gjatë hetimit të kryer nga grupet e kontrollit Inspektorë të Lartë dhe Ndihmës Inspektorë të Lartë, të ngarkuar nga ligji për kryerjen e kontrolleve dhe hetimin administrative, nevojiten njohuri specifike për fushat të caktuara, te cilat janë te nevojshme për të dalë në rezultate të sakta.
Pra, eksperti i thirrur me vendimin përkatës, në rastet kur kjo shihet e nevojshme apo e arsyeshme nga grupet e kontrollit, nuk bën verifikimin e deklaratave të pasurisë të subjektit në hetim, por shprehet me akt vetëm për atë çështje konkrete për të cilën i kërkohet mendim. Akti i ekspertimit bëhet pjesë e dosjes së hetimit, por akti përfundimtar i kontrollit, i bazuar edhe në të dhënat e aktit të ekspertimit, përpilohet nga Inspektorët e Lartë.
Ndër të tjera, vlen të përmendet dhe fakti se deklaratat e interesave private, përmbajnë të dhëna sensitive konfidenciale të subjekteve deklarues, dhe një vendim i tillë për kryerjen e kontrollit dhe lënien e administrimit te deklaratave të interesave private në dorë të personave jashte institucionit, përbën gjithashtu shkelje ligjit për “Mbrojtjen e të dhënave personale” .
Me këtë veprim zonja Xhuka po rrëmben dosjet e kontrollit të punonjësve të Inspektoriatit të Lartë, duke krijuar kështu një strukturë paralele ilegale për administrimin e deklaratave të interesave private, që përveç të tjerave institucionit do ti kushtojë dhe financiarisht, pasi në paragrafin e dytë të nenit 29 përcaktohet se: “shpenzimet e ekspertëve përballohen nga buxheti i Inspektoratit të Lartë.
ILDKPKI ndodhet në presion të vazhdueshëm që prej një jave nga persona të armatosur që hyjnë e dalin në institucion ne kundërshtim flagrant me rregulloren e brendshme. Për këtë qëllim znj. Zana Xhuka ka thirrur në ndihmë të emëruarit e saj së fundmi, bashkëshortët dhe të afërmit e stafit dhe bashkëpunëtorëve të saj. Efektivë me dokumente policie nën drejtimin e Genti Mullaraj, bashkëshorti i sekretares personale së znj Zana Xhuka, Rudina Mullaraj, dhe persona të tjerë të armatosur, mbajtën gjatë gjithë javës që shkoi nën presion punonjësit e ILDKPKI.
Po zhduken nga dosjet e personelit, aktet zyrtare që vërtetojnë marrjen e statusit të nëpunësit civil të punonjësve të ILDKPKI me qëllim pushimin e tyre nga puna. Nga ora 8.00 deri në orën 16.00, cdo ditë, të gjithë qëndrojmë të mbledhur në një sallë për të shmangur incidentet që Inspektorja e Përgjithshme dhe persona të tjerë mund të inskenojnë, siç ishte rasti me kolegun tonë Shkëlqim Ganaj, ndaj të cilit shpifi në mënyrën më të ulët, edhe pse në takimin e të martës me të, ku u pretendua dhuna verbale ndaj saj, ishin prezent 20 punonjës. Për këtë po përgatisim kallëzimin penal per shpifje për shkak të detyrës ndaj Inspektores së Përgjithshme znj. Zana Xhuka.
Përsa më sipër, pavarësisht kallëzimit penal që do të depozitojmë sërish në organin e akuzës për gjithë shpërdorimet e mësipërme, kërkojmë ndërhyrjen TEPËR URGJENTE të Kuvendit të Shqipërisë, në cilësinë e organit epror, që të ndalojë veprimet e mëtejshme arbitrare dhe të kundraligjshme, deri në marrëzi, të Inspektores së Përgjithshme, znj. Zana Xhuka, të cilat po sjellin pasoja degraduese të pariparueshme për Institucionin dhe po cënojnë rëndë edhe sigurinë e tij dhe të punonjësve të ILDKPKI.
Ju lutemi, NDËRHYNI SA NUK ËSHTË VONË”, -përfundon deklarata e stafit.
Mapo
Add new comment