Reagon Doshi: Mbyllja e kazinove s'më cënon mua, por djalin e Berishës

Deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi ka reaguar lidhur me një shkrim të botuar në organin zyrtar të Partisë Demokratike, gazetën “Rilindja Demokratike”. Në shkrim, thuhet se aksioni i Policisë së Shtetit për mbylljen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit është bërë për të favorizuar Doshin, pasi ky i fundit ka futur 5500 kompjutera të lojërave të fatit në Shqipëri ditët e fundit.
“Mbyllja e lojërave të fatit cenon Zen Berishën”, shprehet Doshi. “Nuk kam dhe as kam pasur ndonjëherë lidhje me lojërat e fatit.”
Për kontrollin e “perandorisë” së kazinove është akuzuar se e ka nën kontroll, djali i ish-Kryeministrit Sali Berisha. Ndërkohë që evazioni fiskal për lojërat e fatit llogaritet të jetë 110 milionë euro, fitimi është shumë herë më i madh se kaq.
Shkrimi në gazetën “Rilindja Demokratike”
Rihapen kazinotë në Tiranë
Të gjitha lojërat e fatit dhe kazinotë që u bllokuan para pak ditësh gjatë operacionit "Fund Marrëzisë" janë rihapur në Tiranë. Mesa duket operacioni policor u krye për të ndryshuar tregun e lojërave të fatit dhe jo për t'i mbyllur ato siç e trumbetoi me bujë Edi Rama. Ky operacion u përdor më së shumti për të pasuruar një kastë të qeveritarëve të sotëm, si dhe për t'ua dhënë këtë biznes fitimprurës njerëzve të afërt të Ramës dhe Tahirit. Pak ditë pas bllokimit të kazinove dhe lojërave të fatit në Tiranë, deputeti i PS, Tom Doshi futi 5500 kompjetera kazinosh, të cilët kanë filluar aktivitetin në Tiranë dhe disa qytete të vendit. Kështu pra, "Fund Marrëzisë" u kthye në fillim i marrëzisë, pasi kazinotë jo vetëm që nuk u mbyllën, por u shtuan edhe më shumë. E gjithë Tirana gumëzhin sot nga rihapja e kazinove me pronarë të rinj.
Aksioni i Saimir Tahirit "Fund Marrëzisë" i ka hapur rrugën biznesit të deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshi, që të hedhë në tregun e lojërave të fatit 5500 kompjutera që kanë nisur të ushtrojnë këtë aktivitet në Shqipëri. Mësohet, se aksioni i Tahirit ka patur qëllim mbylljen e aktiviteteve të kompanive të veçanta, të cilat ushtronin deri më sot aktivitetin e tyre dhe hapjes së dritës jeshile për marrjen nën kontroll të këtij biznesi fitimprurës nga eksponentë socialistë. Gjithashtu mësohet, se në monopolin e lojërave të fatit do të favorizohet ish-miku i Ramës i njohur me emrin Beso i Tajvanit dhe deputeti tjetër socialist Fidel Ylli. Miku i Ramës njihet pronar i rrjetit të madh të kazinove "Regency Casino".
Po ashtu, operacioni i policisë "Fund Marrëzisë" është dekonspiruar nga vetë ministri i Rendit, Saimir Tahiri. Ky skandal u zbulua pas vrasjes së biznesmenit të lojërave të fatit, Elvis Doçi. Ky i fundit ka qenë bodigard i Tahirit, gjatë fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit, si dhe e ka sponsorizuar atë për të ardhur në pushtet. Mësohet se, ministri Tahiri e ka njoftuar biznesmenin Doçi për operacionin e gjerë policor për bllokimin e kazinove dhe Doçi një muaj para se të kryhej operacioni, i ka shituar të gjitha makinetat e lojërave të fatit. Sipas burimeve, Tahiri i kishte premtuar Doçit se do t'i jepte biznesin e karrotrecëve të policisë, prej nga vijnë fitime marramendëse. Kështu, biznesmeni Doçi, pasi shiti kazinotë, u fut në garën për tenderin e karrotrecëve të Tiranës. Të mërkurën e kaluar, Elvis Doçi mbeti i vrarë në një atentat në Tiranë.
Shekulli
Add new comment