8.5 mln euro “Crown Agents”

Postuar në 02 Nëntor, 2013 10:59

Qeveria shqiptare do i paguajë kompanisë britanike “Crown Agents”, 8.5 milionë euro për shërbimin dyvjeçar te asistencës që ajo do u ofrojë doganave. 

Top Channel zbardh të plotë kontratën, e cila së fundmi është shndërruar dhe në një çështje e nxehtë të debatit politik mes maxhorancës dhe opozitës. Sipas kontratës, shuma, do të lëvrohet në dy vjet, nga 4 milionë e 250 mijë euro në vit. 

Por në draft është parashikuar se kjo pagesë mund të ulet deri në 25 për qind, nëse kompania britanike nuk sjell rezultatet në rritjen e të ardhurave, për të cilat palët kanë rënë dakord. Qeveria ka vendosur gjithashtu që pagesa për “Crown Agents” të jenë neto, duke e përjashtuar kompaninë britanike nga cdo detyrim tatimor, përfshirë tatimin mbi fitimin, atë mbi dividentit, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, por edhe sigurimet shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat për ekspertët e huaj që do vijnë në Tiranë. 

Në kontratë janë përcaktuar gjithashtu edhe të drejtat dhe detyrimet e palëve. Sipas saj, “Crown Agents” do të asistojë personelin e administratës doganore në analizën e informacioneve doganore. Po kështu kompani britanike do të asistojë edhe personelin e administratës doganore që kryen funksione hetimi, kontroll dhe verifikimi. Veç kësaj kjo kompani do i raportojë Ministrisë së Financave për çdo rast abuzimi, korrupsioni apo fenomeneve të ngjashme me to, duke përfshirë edhe ato në të cilat janë të implikuar edhe punonjësit e doganave. 

Marrëveshja do të ketë një afat prej dy vitesh, me opsion rinovimi për vitin e tretë. Kontraktimi i “Crown Agents” nga Qeveria shqiptare është sulmuar ditët e fundit nga opozita, që e ka quajtur atë si një marrëveshje të dyshimtë.  
 

 

 Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.