Debati i plotë mes Ramës, Doshit e Braçes në Grupin e PS

Gazeta “Panorama” ne kryeartikullin e djeshem zbardhte debatin me dyer te mbyllura mes deputeteve te Grupit Parlamentar të PS-se.
Ne debat u perfshine depuetet Erion Brace, Tom Doshi dhe kreu i PS-se, Rama.
Ne “Panorama Online” sot mund te lexoni te plote debatin mes deputeteve te PS-se gjate pushimit te kerkuar nga kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruci.
DEBATI NË MBLEDHJEN E GRUPIT TË PS
GRAMOZ RUÇI: Çështja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese duhej shqyrtuar në mbledhjen e Grupit. Votimi sipas Rregullores është nominal për t’i dhënë mbështetjen, ndaj dhe kjo ishte arsyeja e kësaj mbledhjeje. Dakord?
BEN BLUSHI: Si do votojmë? Pro apo kundër?
BASHKIM FINO: Do të japim argumente?
ERJON BRAÇE: Për çështjen e ngjyrosjes së karburanteve, që ne si Grup Parlamentar kemi kontestuar, unë kam 4-5 muaj që merrem me këtë çështje dhe më rezultojnë dy gjëra. Në gjykatë janë ndarë para dhe ky zotëria me këtë çështje ka gënjyer dhe ka investuar karrierën nëpërmjet kësaj çështjeje. Çështja për të cilën flasim është një çështje me karakter tërësisht publik. Për çdo tre lekë për litër karburant që ngarkohet për një shërbim ngjyrosje, ose 7 lekë, ky koncesion për një litër karburant që ngarkohet, pa kthyer në asnjë shërbim pas për qytetarët e Shqipërisë, ka ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët për interesin e qytetarëve. Mua më mjafton ky rast që të vërtetoj që ky gjykatës është apo jo në shërbim të interesit të qytetarëve. Në këtë rast ky gjyqtar që ka ndikuar dhe në vendimmarrje në Gjykatën e Kushtetuese, këtë herë për këtë çështje vendimi i marrë apo që është shpallur ka qenë drejtpërdrejt në interes të një kompanie, e cila mbetet okulte dhe sot e kësaj dite dhe që përfiton nga ky koncesion të paktën 20 milionë dollarë në një vit. Kjo kompani, për shkak se ngjyros dhe karburantin që prodhohet në vend dhe nga kompani të tjera, përfitimi i kësaj kompanie është 300 milionë dollarë në vit. Unë nuk jam i gatshëm ta votoj këtë gjyqtar. Dhe për këtë arsye, dhe e përsëris, dhe për arsye të ndarjes së parave brenda asaj gjykate. Dhe për arsye se ky zotëria, për karrierën e tij në Gjykatën Kushtetuese vazhdon t’ia dijë për nder Zenit. Në qoftë se ia di për nder karrierën e tij Zenit, të shkojë të marrë votat e Zenit.
TOM DOSHI: Ne duhet me ia tregu shqiptarëve kush është dhe se do të anulojmë të gjitha koncesionet. Ne e dimë mirë kush i ka marrë koncesionet. I ka marrë Zamir Mane. Qeveria po e mbron Zamir Manen, nuk po i bie. Të gjitha këto koncesione, që nga lojërat e fatit, ngjyrosja e karburantit dhe te Lotaria Kombëtare, të gjitha, ai po i merr dhe po i gëzon sikur është në kohën e vet. Prandaj po ju them që ministrat tanë e mbështetin, deputetët tanë e mbështetin, Kryeministri e mbështet, dhe unë votën time e kam kundër.
EDI RAMA: Më fal, fole ti? Herë tjetër më mirë t’i mendosh këto gjëra. Mendoj unë. Ajo që do t’i thosha Erjonit është që, pavarësisht vendimit të Gjykatës, ne jemi zotuar, qoftë për ngjyrosjen e karburanteve apo qoftë dhe për pullat fiskale, ne do ta liberalizojmë tregun. Ne kemi thënë në fushatë çfarë do bëjmë, dhe do t’i bëjmë. Por këto nuk po bëhen për një arsye, kemi rrëzuar një pjesë të konsiderueshme të marrëveshjeve dhe të koncesioneve që janë bërë, dhe po merremi me studimin, por, nga ana tjetër, nuk mund t’i pasurojmë sepse janë shuma marramendëse që mund të ikin nga Arbitrazhi. Nuk janë të lehta për t’u rrëzuar dhe po punohet intensivisht dhe krejtësisht kundërt asaj që spekulohet dhe në mënyrë tendencioze ministrat absolutisht nuk janë të angazhuar të merren me çështjen e Lotarisë Kombëtare apo për çështjen e të drejtave të dhëna në mënyrë arbitrarisht si të drejta ekskluzive, por për të rivendosur normalitetin. Kjo është e sigurt dhe më vjen keq që ka informacion dhe ka më shumë lartësi pala tjetër. Ata e dinë mirë, prandaj bërtasin. Lidhur me votimin, ne këtu nuk po zgjedhim një gjykatës, por thjesht dhe vetëm ne po hyjmë në votim në lidhje me një zgjedhje brenda kuorumit të Gjykatës Kushtetuese. Dhe ndërkohë jeni në prag të votimeve të tjera për Gjykatën e Lartë. Se dakord po e marrim që do votojmë kundër. Ç’do të vijë? Do vijë një tjetër dhe do të krijojmë një konflikt të panevojshëm. Në mënyrë që të jemi krejtësisht të lirë, që pastaj kur të vijë puna për të vendosur për gjykatësit, të mos pranojmë asnjë kandidaturë që nuk i përmbush kërkesat. Për më tepër, mos harroni, jemi në një terren shumë të vështirë sepse jemi nën një presion që vjen duke u rritur nga BE-ja, për ndryshimet, për vendimet që merren. Kështu që me këtë votim ne japim një shembull duke i thënë që s’kemi problem të votojmë edhe kandidatura që nuk vijnë nga kampi i përgjegjshmërisë sonë. Kjo është arsyeja. Shqetësimi i ngritur nga Erjoni është shumë serioz, është real. Është e vërtetë që ka një situatë skandaloze me atë koncesion dhe ne kemi vendosur edhe strategjinë me të cilën do të merremi me të. Mos harroni dhe kini parasysh që çdo dosje, sidomos këto të hidrocentraleve, janë të blinduara paraprakisht. Aq më tepër që pas zgjedhjeve ne folëm aq shumë, sa që të gjithë kanë rendur që t’i rikopsitin dhe të bëjnë çdo gjë. Ne nuk do të tërhiqemi, por mund ta bëjmë këtë gjë me minimumin e kostos, që do të thotë se sa më shumë kujdes të kemi, aq më pak para do të paguajmë. S’ka kuptim që të godasim që sot koncesionet sepse më pas shteti do të paguajë miliona për dëmet. Këtë ne nuk dëshirojmë ta bëjmë sot me entuziazëm të madh dhe pas një viti të gjendemi rrugëve të gjykatave.
TOM DOSHI:
Drejtoritë e Doganave dhe Tatimeve janë mbushur me njerëz të PD-së. Ka edhe në Polici. Ata kanë më shumë informacion se ne.
EDI RAMA: Edhe një herë, ta them miqësisht, ta them vëllazërisht, po ta them si kryetari yt, po ta them si Kryeministri yt. Unë jam krenar për çfarë kemi bërë deri më sot. Dhe po ta përsëris ty dhe gjithë të tjerëve: çfarë jemi zotuar në raport me këto çështje, ne do t’i bëjmë. Nuk jemi zotuar t’i bëjmë për 40 ditë, nuk jemi zotuar as t’i bëjmë për 58 ditë. Ne jemi zotuar që do ta bëjmë. Kemi anuluar thuajse të gjitha marrëveshjet dhe koncesionet e dhëna mbas 23 qershorit, që i kemi gjetur gati. Një pjesë të vogël jemi duke punuar, do mbarojmë dhe me këto, dhe ndërkohë për rastin në fjalë të karburanteve, për rastin e pullave fiskale, nuk janë të thjeshta. Janë probleme që duan kohë dhe që duhen trajtuar në mënyrë komplekse. Dhe ne do t’i bëjmë. Me strategjinë që kemi vendosur do t’ia dalim t’i rrëzojmë këto monopole pa asnjë lloj dyshimi. Përsa u përket pastaj lëvizjeve, kush ka hyrë në Tatime apo e kush ka hyrë në Dogana, të më besosh që kjo nuk është detyra jote apo detyra e askujt këtu, madje as e imja, por është detyra e atyre që kanë marrë përsipër të jenë në vijën e parë të zjarrit, ministrit të Brendshëm dhe ministrit në fjalë. Le ta harrojë kushdo këtu që ta konsiderojë ministrin e Brendshëm vëlla. Unë e kam thënë dhe nuk e kuptoj çfarë ka për t’u çuditur që punësimi në Tatime dhe Dogana nuk janë vende për punësime pa rezultate. Dhe njerëzit që janë në krye të tyre do të përgjigjen në bazë të rezultateve. Dhe që t’i kërkojmë deri në fund ministrit të Brendshëm rezultate, duhet t’i japim deri në fund kompetencën dhe mbështetjen. Dhe që t’i kërkojmë deri në fund drejtorit të Doganave rezultate, duhet t’i japim deri në fund mbështetjen dhe kompetencat, e po kështu me radhë. Nuk mund të shkojnë kandidatë për doganierë njerëz me dosje penale, që kur i kërkohet pastaj dëshmia e penalitetit, tërhiqen. S’mund ta bëjmë këtë. 150 vende të reja do të ketë nesër, por ka dhe procedura. Doganat, Tatimet janë fortësia, janë ekskluzivitet për ekonominë kombëtare. E patë dje në mënyrën më të habitshme, më të çuditshme daljen me monitor dhe tregojnë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka qenë numërues. Një njeri që të jetë numërues është detyrë qytetare në këtë rast, por kjo është për të kuptuar se ata merren me çdo person, me çdo detaj, në çdo fushë, në çdo zyrë. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që nga njëra anë ta forcojmë këtë strukturë, nga ana tjetër nuk mund ta katandisim që partnerët ndërkombëtarë të na lënë pa mbështetje. Deri tani çdo gjë shkon sipas parashikimit, të paktën në aksionin që kemi nisur, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne nuk mund të bëjmë dot atë që bëjnë aleatët tanë, që janë më të vegjël, e kontrollojnë ndryshe skenën. Dhe ne nuk kemi mundësinë e tyre… Dhe çdo ministri në radhë të parë dhe ministrit të Brendshëm duhet t’i japim mbështetje nga çdonjëri këtu. Po nuk e fituam betejën tani, pastaj të gjitha të tjerat, investime e të tjera e të tjera, nuk funksionojnë.
GRAMOZ RUÇI: Përveç shqetësimeve që ka ngritur Erjoni, ishte i qenësishëm dhe angazhimi i Kryeministrit. Ishte i drejtë dhe i plotë për të gjitha çështjet që u ngritën këtu. Propozimi është që të votohet kandidatura për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Dakord?!
PANORAMA
Add new comment