Demontimi i armëve, AKIP: Qeveria të reagojë publikisht

Postuar në 03 Nëntor, 2013 09:30

Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka kërkuar sot që qeveria shqiptare të prononcohet publikisht në lidhje me shkrimet e mediave ndërkombëtare për sjelljen e lëndëve kimike të Sirisë në Shqipëri.

Gjatë një konference për mediat të mbajtur në sheshin “Frederik Shopen”, kjo aleancë ka deklaruar:“Po njihemi dita ditës se pothuaj e gjithë lista e vendeve kandidate është duke u shprehur kundër importit të këtyre helmeve, duke e lënë Shqipërinë pothuajse të vetme në listë, për arsye se qeveria jonë ende nuk ka dhënë asnjë sinjal për ndonjë qëndrim zyrtar. Kjo rrethanë bën që të forcohet natyrshëm dyshimi se Shqipëria mund ta marrë përsipër këtë operacion”, -thuhet në deklaratën e AKIP.

“Shqipëria është palë në Konventën kundër Armëve Kimike dhe ende ka dyshime se nuk është asgjësuar plotësisht arsenali i armëve kimike të trashëguara nga sistemi i diktaturës. Nga ana tjetër kuvendi, nën trysninë e shoqërisë civile, së fundi miratoi edhe ndalimin e importit të mbetjeve jo të rrezikshme, krahas ndalimit të kahershëm të importit të mbetjeve të rrezikshme”, - deklaroi AKIP.

Ata kanë deklaruar se, kuadri ynë ligjor nuk ka lënë hapësira për të marrë përsipër operacionin e importimit dhe asgjësimit të lëndëve helmuese vdekjeprurëse. Sipas tyre, shteti shqiptar nuk është ende i aftë të garantojë suksesin e proceseve teknologjike të rrezikshmërisë së lartë, duke shmangur mundësinë e çdo aksidenti teknologjik. Ata kanë shprehur shqetësimin “përballë sigurisë që japin mediat e huaja se demontimi i armëve kimike Siriane në Shqipëri do të bëhet realitet”.

“Kërkojmë nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama që të prononcohet publikisht mbi vërtetësinë e lajmit dhe në varësi të këtij fakti, të informojë qytetarët për qëndrimin zyrtar që do të mbajë Republika e Shqipërisë ndaj kësaj oferte”, -përfundon deklarata e AKIP.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.