Abuzimi me vlerë 5 milionë euro/ Pranga zyrtarëve të tatimeve, në kërkim 5 të tjerë

Policia e kryeqytetit ka prangosur një zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve të Tiranës.
E arrestuara është Drejtoresha e Kontrollit Tatimor, Afërdita Hysa.
Mësohet se zyrtarja e tatimeve akuzohet për shpërdorim detyre në vlerën e 5 milionë eurove.
“Nga hetimet e kryera në kuadër të një procedimi penal të nisur ndaj saj, ka rezultuar se kjo shtetase me detyrën e Drejtoreshës së Kontrollit Tatimor, në bashkëpunim edhe me disa punonjës të tjerë të këtij institucioni, përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale, prej dy vjetësh, dyshohet se kanë kryer veprime abuzive, duke shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën prej 5 milion euro,” thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Gjithashtu, sipas policisë në pranga është vënë edhe ish-inspektori i Procedurave të Rimbursimeve, Tahir Kuka, ndërsa janë shpallur në kërkim 7 persona të tjerë, 5 prej të cilëve punonjës të tatimeve dhe 2 përfaqësues biznesesh private.
“Në datë 07.11.20134 Policia e Shtetit ka kryer arrestimin e shtetasve:
1. Afërdita Dino Hysa, e vitlindjes 1968, ish-drejtore e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;
2. Tahir Avdi Kuka, i vitlindjes 1956, ish-inspektor i Procedurave të Rimbursimeve.
Arrestimi i tyre është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më date 06.11.2013, ka caktuar masat e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes me pasoja të rënda” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 248, 134/3 dhe 287 i Kodit Penal.
Të njëjtat masa janë caktuar edhe për shtatë persona të tjerë, për të cilët është bërë shpallja e kërkimit dhe po punohet për kapjen e tyre. Ata janë:
1. Ismail Mehmet Muça, i vitlindjes 1969, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;
2. Lauren Avdi Vata, i vitlindjes 1981, ish-përgjegjës i Sektorit të Kontrollit tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;
3. Edmond Mehmet Osmani, i vitlindjes 1979, ish-inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;
4. Gramos Sali Milushi, i vitlindjes 1984, me detyrë Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;
5. Kujtim Çel Metaliaj, i vitlindjes 1960, ish-Inspektor i Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë;
6. Mirjan Lili Beneja, i vitlindjes 1980, me aktivitet në sektorin privat;
7. Gjergji Spiro Tupe, i vitlindjes 1959, me aktivitet në sektorin privat.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë bazuar në materialin kallëzues të depozituar nga Ministria e Financave, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të “Shpërdorimit te detyrës”, “Vjedhjes” me pasoja të rënda dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të parashikuar nga nenet 248, 134/3 dhe 287 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë./ep
Tema
Add new comment