Shpërthen Olldashi: Korça e PS-së? Nuk ka pasur gjë më të fëlliqur se fushata e 23 qershorit e PD-së

“Përpara Korçës kemi qenë në 23 qershor. Nuk ka pasur gjë më të turpshme, gjë më të fëlliqur sesa fushata e 23 qershorit. Shkonim nëpër zonat elektorale dhe u thonim zgjedhësve: “kemi bërë këto punë, kemi këtë projekt”. Dhe përgjigjia që na vinte ishte: “ky ka dhënë 20; ky ka premtuar 30; ky tjetri 50. Sa jep ti?” – ka thënë dje në fjalimin e tij në Kuvend Sokol Olldashi. Fjalimi ka shkaktuar shumë debate brenda PD-së dhe godet drejtpërdrejt edhe linjën e “daljes në rrugë” të PD-së paralajmeruar për të hënën. Korça synohet të bëhet kauza të cilën Berisha e ka kërkuar ethshëm këto 2 muaj (nëpërmjet provokimeve apo ligjit për Nëpunësin Civil) për të nisur protestat në rrugë – një linjë e kërkuar me ngulm prej tij si vijimesi e veshtiresive të krijuara nga shkatërimi total me vetëdije i financave të vendit gjatë qeverisjes kujdestare të pas 23 Qershorit.
Më poshtë, pjesë nga fjala e Olldashit:
Nga Sokol Olldashi*
Problemi është shumë më i madh sesa 20.000 lekë që iu dhanë studentëve në Korçë! Problemi është kthyer në sistem dhe, nëqoftëse ne duam të meremi seriozisht me te, duhet të kuptojmë dhe pranojme atë çka realisht po ndodh… Dua t’i drejtohem shumë deputetëve, të djathtë dhe të majtë, gjithkujt që ka një grimcë përgjegjshmërie – ka plot njerëz për të cilët kam konsiderata pozitive njerëzore, pavarësisht se nuk i besoj apo pranoj arsyetimin apo vokacionin e tyre politik – a do të merremi ne me ketë problem? Apo do të bejmë sikur nuk shikojmë?
Kjo që po ndodh është e tmerrshme! Nëse kthehemi mbrapa, në vitin 1991 dhe 1992, kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste në këtë vend, nuk është paguar askush, nuk është harxhuar asnjë qindarkë e vetme, as nga kandidatët as nga komisionerët! Askush nuk ka paguar askënd. Pse? Sepse njerëzit kishin një zemër, kishin një moral dhe kishin një shpirt. Vinin dhe e bënin gjithçka me dëshirë. Si tanët, si tuajt.
Çfarë ndodhi më vonë? Më vonë filluam të paguajme komisionerët, më pas filluam të paguajme makinat për t’i sjellë njerëzit të votojnë, më pas filluam të paguajmë grupet e margjinalizuara për t’u marë votat.
Akoma më pas, e çuam përtej. Pse të lodhemi dhe të paguajmë makina, zgjedhës që të vijnë dhe të votojnë, komisionerë?!?!?! Më mirë i biem drejt, paguajmë zgjedhës në një proces që nuk është më zgjedhor, por një treg kërkesë-ofertë për blerje votash me shumicë dhe pakicë.
Paguajmë zgjedhësit direkt dhe kjo është “demokracia direkte”! Por kjo nuk është demokracia direkte e vullnetit të njerëzve, por është “demokracia direkte” e xhepave. Por kjo, nuk është demokracia për të cilën kanë nevojë shqiptarët.
E çuam më pas më tutje, ndonëse ne të gjithë bëjmë sikur e harrojmë këtë gjë. E çuam edhe te tregtimi i deputetëve. E nisi Nano në parlamentin e 2001, e vazhduam ne, kur do zgjidhnim presidentin në 2007. Dhe bëjmë prapë sikur nuk e shikojmë dhe nuk e dimë këtë gjë. E nisi Nano, e perfeksionoi LSI-ja por, për hir të së vërtetës, jo vetëm LSI. Edhe parti të tjera, të vogla, në koalicion me ju apo në koalicion me ne. Edhe ne të PD-se bëmë sikur s’e pamë.
Dhe vijmë sot, në Korçë. Por, përpara Korçës kemi qenë në 23 qershor. Nuk ka pasur gjë më të turpshme, gjë më të fëlliqur sesa fushata e 23 qershorit. Shkonim nëpër zonat elektorale dhe u thonim zgjedhësve: “kemi bërë këto punë, kemi këtë projekt”. Dhe përgjigjia që na vinte ishte: “ky ka dhënë 20; ky ka premtuar 30; ky tjetri 50. Sa jep ti?”
Ne u detyrohemi një ndjesë dhe një përgjigje qytetareve shqiptarë.
Dhe, në qoftë se duam seriozisht të merremi me këtë problem, duhet të fillojmë të merremi që sot. Nuk mund të fusim thjesht kokën në rërë si struci dhe thjesht të themi që fajin e ka PS-ja.
Kemi vërtet vullnet dhe dëshire për t’u marë me këtë çështje?? Shpresoj që po! Por, nëse duam vërtet të merremi me këtë çështje dhe t’u japim një përgjigje shqiptarëve, duhet të ndajmë mendjen që në këtë parlament disa do të vazhdojnë të jenë deputetë, ndërsa të tjerë duhet të lenë karriget. Nuk mundet që në këtë sallë të parlamentit të bashkëjetojnë të patrazuar, deputetët dhe blerësit. Kjo sallë ka vend për një kategori; ose për deputetët, ose për blerësit. Të dyja palët këtu, bashkë, nuk mund të rrinë dot. Duhet të merremi dhe duhet të fillojmë që sot!
Dita
Add new comment