Armët kimike,Bushati: Rama telefonatë me Kerry, por nuk ka vendimmarrje

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka deklaruar sot në Komisionin e Jashtëm se ka një kërkesë të SHBA-së për demontimin e armëve kimike të Sirisë, por ende nuk është marrë një vendim. Ai ka theksuar se kryeministri Edi Rama ka pasur një bisede telefonike me sekretarin amerikan John Kerry, ndërkohë që ka shtuar se nuk flitet ende për vendimmarrje dhe nuk ka nevojë për alarm. “Nuk dihet ende nëse do të shkojmë apo jo në këtë proces dhe nuk është folur për detaje teknike të tij.
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe si i tillë jemi një ndër vendet e kontaktuara nga SHBA se si mund të kontribuojmë për armët kimike të Sirisë. Kryeministri Rama dje ka pasur një bisedë të gjatë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Kerry me të cilin diskutuan për çështjen e sigurisë, për elementët për kryerjen e procesit. Ata folën si mund të shërbejnë aleatët për të hyrë në këtë proces për t’u përmbushur objektivat. Kam qenë në kontakt me partnerë amerikanë për këtë proces. Kërkoj që para se të dalim me deklarata të tregojmë sens realizmi dhe përgjegjshmërie. Nuk kemi një vendimmarrje,nuk kemi nisur asnjë proces konsultimi për armët kimike të Sirisë. Nuk na është kërkuar konsultime apo mbështetje politike”,- tha Bushati.
Sa i përket zgjedhjeve në Korçë, Bushati është shprehur se më këtë çështje do të merren institucionet përkatëse dhe duhet të pritet që drejtësia të thotë fjalën e saj.
“Për Korçën mund tu them që këtë shtet ka institucione, që ju po thoni se janë shumë solide, shumë të mira dhe ne veçse mbështesim punën e institucioneve për t’i shkuar deri në fund hetimit për këtë çështje. Ky është standardi ynë. Përgjigja më të mirë se ç’ka dhënë progres-raporti unë s’mund të jap. KE ka folur qartë për aktin normativ, që s’është bërë në mënyrë të njëanshme, pro në bashkëpunim të ngushtë me KE dhe Sigmën që nuk ndikohet nga interesa meskine të politikë shqiptare. I keni çuar këto çështje në institucionet përkatëse, drejtësia do thotë fjalën e saj”, deklaroi Bushati.
Shqip
Add new comment