ODIHR jep rekomandime për zgjedhjet e ardhshme

Postuar në 19 Nëntor, 2013 03:25

Misioni i ODIHR-it i e nisi sot axhendën e takimeve me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Misioni kryesohet nga Conny McCormack, kryetare e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe Steven Martin, këshilltar zgjedhor pranë ODIHR.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, zonja Conny McCormack theksoi se ndodhet në Shqipëri për një vizitë të shkurtër, për të rishikuar me përfaqësues të partive dhe grupeve të interesit, rekomandimet e raportit përfundimtar të ODIHR-it për vendin tonë.

“Është kënaqësi të rikthehem në Shqipëri, pasi kam qenë këtu gjatë muajve maj-qershor për përgatitjen e zgjedhjeve. Kthehem për disa ditë për të rishikuar rekomandimet e bëra nga raporti përfundimtar i ODIHR-it. Ne kemi monitoruar 11 procese zgjedhore në vendin tuaj, kemi ardhur për të riparë rekomandimet me përfaqësues të partive të përfaqësuara në Kuvend dhe me grupet e interesuara të shoqërisë civile. Ne po punojmë që të identifikojmë prioritetet e nevojshme, që zgjedhjet e ardhshme të jenë edhe më të mira. Ne do të vazhdojnë takimet me aktorët kryesorë të interesuar për zgjedhjet”, u shpreh ajo.

Ndërsa ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, shprehu gatishmërinë e qeverisë për vijimin e reformave. “Në emër të qeverisë e falënderova zonjën McComack, për punën që ODIHR ka bërë në Shqipëri, në kuadër të procesit të monitorimit të zgjedhjeve. E falënderova edhe për raportin që është publikuar para pak javësh për zgjedhjet, që vlerëson progresin e arritur në zgjedhjet e 23 qershorit, por evidenton edhe fushat ku duhet të ndërhyjë Shqipëria në mënyrë që të garantohet një proces zgjedhor edhe më i plotë dhe në përputhje me standardet evropiane. Jemi gati për të vijuar reformat në bazë të rekomandimeve për t`i paraprirë në kohë zgjedhjeve vendore dhe zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Mora gatishmërinë e ODIHR-it për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë proces”, tha Bushati.

Delegacioni i ODIHR-it do të zhvillojë një vizitë dy ditore në Tiranë, ku do të zhvillojë takime me aktorët politik në vend.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.