Kuvendi, hetim veprimtarisë ekonomike të Bujar Leskajt

Jo vetëm Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do t’i nënshtrohet kontrollit parlamentar. Kjo pasi sot, Kuvendi ka programuar të miratojë në seancë plenare projektvendim “Për fillimin e procedurave parlamentare për kontrollin e veprimtarisë ekonomike të KLSH”. Nisma në fjalë është ndërmarrë nga komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe e cila ka marrë pëlqimin e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për t’u futur në rendin e ditës së seancës së sotme. Të kontaktuar nga MAPO, deputetë të opozitës nuk kanë qenë në gjendje të thonë në mënyrë konkrete se çfarë përmban ky projektvendim, pasi nuk ishin njohur me përmbajtjen e tij, megjithëse kanë qenë në dijeni të ndërmarrjes së kësaj nisme, pasi si procedurë ishte miratuar më parë në komisionin e Ekonomisë. Gjithsesi, burime nga mazhoranca kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një procedurë krejt ligjore, që bazohet së pari në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë por edhe në ligjin organik “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”. Dhe pikërisht kërkesa bazohet në nenin 3 të këtij ligji, i cili në mënyrë konkrete përcakton se “Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet çdo vit të përgatisë llogaritë e tij në përputhje me ligjin për buxhetin. Llogaritë e tij kontrollohen nga një organizëm i pavarur, i caktuar nga Kuvendi Popullor (Kuvendi i Shqipërisë) dhe raporton te ky”. Dhe siç mësohet nga të njëjtat burime, hetimi apo kontrolli i KLSH-së do t’i përmbahet këtij rregulli. Kështu, në projektvendimin e sotëm përcaktohet vetëm nisja e procedurës së kontrollit, ndërsa autorizohet komisioni i Ekonomisë që të kontraktojë një kompani të pavarur, qoftë kjo edhe e huaj, për të bërë auditin e mënyrës sesi KLSH ka shpenzuar apo përdorur paratë që merr nga buxheti i shtetit. Për këtë nismë mësohet se është vënë në dijeni dhe vetë kreu i KLSH-së, i cili mësohet se ka dhënë pëlqimin e tij përsa kohë një gjë e tillë parashikohet në ligj. KLSH është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në Republikën e Shqipërisë, duke patur si objekt të punës së saj të gjitha institucionet shtetërore, por pa përfshirë veten e saj. Ndaj legjislatori ka parë si zgjidhje në këtë rast që edhe vetë KLSH t’i nënshtrohet kontrollit, që këtë audit ta bëjë Kuvendi nëpërmjet një organi të specializuar. Gjithsesi, duhet theksuar në këtë rast se kjo është praktika e parë që zhvillohet në këtë drejtim. Kjo pasi pavarësisht se një gjë të tillë e parashikon ligji, Kuvendi deri më tani nuk e ka ushtruar asnjëherë këtë të drejtë. Burime të tjera nga mazhoranca kanë bërë të ditur se kontrolli në fjalë pritet të nisë në muajin dhjetor dhe ai do të përfshijë kryesisht periudhën 2013. Në fund kompania që do të kontraktohet do të dalë me një raport, i cili në bazë të ligjit do t’i dorëzohet Kuvendit dhe ky i fundit duhet ta bëjë publik. Gjithsesi, në bazë të rezultateve të tij pritet që të bëhen dhe rekomandimet përkatëse. Në rast të shkeljeve të mëdha financiare, Kuvendi mund t’i referojë ato edhe tek organi i akuzës për ndjekje penale. Por natyrshëm, ky raport mund të shërbejë edhe si bazë për të ndërmarrë një nismë për shkarkimin e kreut të KLSH-së.
Mapo
Add new comment