Rama: Plan emergjent për çarmatosjen e vendit

Kryeministri i kërkon opozitës të mos e politizojë ngjarjen tragjike të Shkozetit
Fatjona Mejdini
Qeveria do të ndërmarrë një plan emergjent për çarmatosjen e popullsisë shqiptare. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi nismën më të re të qeverisë që ai drejton, i cili synon çmilitarizimin e popullsisë duke paraqitur në Kuvend një paketë ligjore për mbajtjen dhe përdorimin e armëve të zjarrit. Në fjalën e mbajtur dje në Parlament, Rama theksoi se ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së një adoleshenti në Shkozet, ishte një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë dhe përgjigjja e qeverisë ndaj ngjarjeve të këtij lloji duhej të shtrihej në disa dimensione. Sipas Ramës, trashëgimia e armëve nëpër shtëpitë e shqiptarëve do të mund të zhdukej vetëm përmes një baze të fortë ligjore dhe më pas punës së vazhdueshëm të Policisë së Shtetit. Por, nga ana tjetër, Rama theksoi se duheshin masa sociale për sa i përket ndërtimit të një marrëdhënieje të shëndetshme midis mësuesve e fëmijëve dhe prindërve në shkollat shqiptare.
Masat për armët
Kreu i ri i qeverisë theksoi se kishte ardhur momenti të merreshin disa masa ligjore të forta për çështjen e armëve pa leje. Sipas Ramës, kjo e kishte ndalur deri tani Policinë e Shtetit të ndërmerrte kontrolle intensive për këtë çështje. “Ne, padyshim e kemi shumë të qartë që duhet ndërhyrje energjikisht për të çarmatosur Shqipërinë. Shqipërinë që sot, për shkak të pasigurisë ekstreme të jetës dhe të pronës që u krijua vit pas viti është armatosur për të mbrojtur shtëpinë, për të mbrojtur pronën, për t’u vetëmbrojtur nga e keqja dhe ende më keq akoma është armatosur për të sulmuar ata që janë më të pambrojtur. Në radhë të parë nuk vendosim një bazë të re ligjore dhe nuk bëjmë një punë intensive komunikuese përpara sesa të fillojmë në mënyrë kapilare kontrollin për armët dhe ndëshkimin për armëmbajtjen e paautorizuar. Plani duhet të nisë dhe do të nisë shumë shpejt, në një bazë të re ligjore për mbajtjen dhe përdorimin e armëve”, deklaroi Rama në fjalën e tij në Kuvend.
Masat sociale
Rama paralajmëroi dje ngritjen e qendrave komunitare nëpër shkolla për të forcuar marrëdhënien e domosdoshme mes prindërve, mësuesve dhe fëmijëve. “Do të ngrihen kudo ku ka fëmijë dhe kudo ku ka prindër. Marrëdhënia mësues-prindër-qeveri do të ngrihet dhe do të forcohet ditë për ditë, si një marrëdhënie e domosdoshme në një vend të qytetëruar, për të pasur një mjedis shkolle ku nuk flitet vetëm për mësime, por ku flitet për shoqërinë dhe ku garantohet bashkëjetesa, që i kthen njerëzit nga qenie të vetmuara, të egra, në qenie sociale dhe në qenie bashkëpunuese. Ky është projekti!”, theksoi Rama. Kryesocialisti, duke iu kundërpërgjigjur akuzave të së djathtës, kërkoi që opozita të mos ta politizojë ngjarjen e dy ditëve më parë, ku humbi jetën 15-vjeçari në shkollën e mesme profesionale në Shkozet të Durrësit. “Enver Hoxha ka bërë me siguri shumë të këqija, pa asnjë dyshim. Njëra nga të këqijat është që i la peshqesh lëvizjes demokratike një kloun, i cili tani që është edhe në një moshë që ka bërë të vetën, vjen këtu e përdor këtë podium si oturak për të kryer nevojat personale dhe ikën. Ikën, nën duartrokitjet tuaja, që ngjajnë si duart që mbajnë oturakun. Ndërkohë e vërteta e dhimbshme është që, në fakt, jo vetëm një njeri, por një opozitë e tërë e lindur nga një nevojë historike për t’i dhënë këtij vendi diçka krejt tjetër, sot është kthyer mbrapa më shumë se asnjëherë tjetër. Megjithatë, ndryshe nga vitet e shkuara, kur me shumë më tepër vetëpërmbajtje dhe shumë me tepër dëshirë për të parë përtej ngjarjeve të panumërta tragjike që kanë ndodhur, unë nuk dua t’i them askujt, nga ata që dje, sot, përdorën fjalën për të shfrytëzuar atë që ndodhi, për të goditur Policinë e Shtetit, se po bëjnë politikë me vdekjen”, tha Rama.
Rama për Berishën
“Enver Hoxha ka bërë me siguri shumë të këqija, pa asnjë dyshim. Njëra nga të këqijat është që i la peshqesh lëvizjes demokratike një kloun, i cili tani që është edhe në një moshë që ka bërë të vetën, vjen këtu e përdor këtë podium si oturak për të kryer nevojat personale dhe ikën. Ikën, nën duartrokitjet tuaja, që ngjajnë si duart që mbajnë oturakun”
Armët e paligjshme
Ministria ngre dy grupe pune për draftet dhe zonat e nxehta
Burime të sigurta të Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se janë ngritur dy grupe pune prej afro një muaji, me qëllim hartimin e ligjit për përdorimin e armëve. Komisionet janë të përbëra nga ekspertë të kriminalistikës dhe armatimeve. Ata janë duke punuar intensivisht për hartimin e projektligjeve, që do të sjellë më pas edhe çarmatosjen e shoqërisë. Mësohet se grupet e punës po verifikojnë zonat më të nxehta që kanë trashëguar municione luftarake gjatë viteve ’97 dhe më pas pritet ndërhyrja. Burimet kanë qenë të rezervuara për detaje më të zgjeruara, duke thënë se draftet janë ende në fazën e hartimeve. Ato do të bëhen publike vetëm kur t’i kalojnë Këshillit të Ministrave. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi dje, gjatë seancës parlamentare, se së shpejti do të çojë për votim një projektligj për armët dhe një tjetër për përdorimin e tyre. Sipas tij, kjo do të sjellë ulje të kriminalitetit në vend, duke i dhënë fund edhe përdorimit të armëve nga qytetarët, të cilat i kanë trashëguar ato nga trazirat e vitit 1997, kohë kur u shpërthyen depot e municioneve në të gjithë vendin. Çmilitarizimi i shoqërisë, pas miratimit të ligjeve, është një nga detyrat që Tahiri do të përpiqet të bëjë gjatë ushtrimit të funksionit të tij, në krye të Ministrisë së Brendshme.
SHQIP
Add new comment