Artan Shabani: Në Kuvend 3 vepra rezultojnë të humbura

Vetëm pak javë kanë kaluar që kur Galeria Kombëtare e Arteve nisi procedurat për rikthimin e 120 veprave, të cilat ndodhen në institucionet publike e shtetërore shqiptare, si p.sh, Kuvendi i Shqipërisë, Presidenca, Ministria e Jashtme, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Biblioteka Kombëtare etj. Një ndër veprimet e para të Artan Shabanit si drejtues i Galerisë Kombëtare të Arteve është dhe rikthimi i këtyre veprave në fondin e Galerisë. Ende pa përfunduar ky proces, drejtori Shabani bën publik faktin se ka vepra të humbura dhe se për këtë do t’i drejtohet prokurorisë.
Sipas inventarit, sa vepra kanë dalë nga fondi i Galerisë?
Janë 120 vepra që ne kërkojnë t’i rikthejmë në GKA për t’iu bashkuar fondit prej 5 mijë veprash arti që ka kjo Galeri.
Sa keni rikthyer deri tani?
Veprat e para që kanë hyrë janë ato që ndodheshin në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që ky është një projekt që vazhdon dhe mendoj se në të ardhmen edhe shumë vepra të tjera që ndodhen në këto institucione do t’i rikthehen fondit.
Rikthimi i këtyre veprave sapo ka filluar dhe ju keni deklaruar se ka vepra të humbura. Si keni dalë kaq shpejt në këtë konkluzion, kur deri tani vetëm nga Kuvendi i Shqipërisë kanë nisur procedurat e dorëzimit të veprave që ndodhen në mjediset e këtij institucioni?
Sipas skedave të arkivit; me emrat e artistëve, veprave, teknikën, titullin e veprës, vitin që është realizuar dhe me datat kur këto vepra i kanë kaluar Kuvendit të Shqipërisë, rezulton se janë 10 vepra që duhet të gjenden në këtë institucion. Deri tani janë rikthyer 5 vepra dhe jemi në pritje për të marrë edhe 2 vepra të tjera. Pra, gjithsej kemi 7 vepra nga Kuvendi i Shqipërisë, që i rikthehen fondit të GKA-së. Ndërkohë, 3 vepra nuk i kemi gjetur ende në mjediset e Kuvendit. Zyrtarisht, unë nuk mund të konfirmoj se këto vepra janë të humbura, derisa nuk kam një njoftim zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë, por është e vërtetë që ato nuk gjenden në mjediset e Kuvendit. E rëndësishme është që të gjitha institucionet që përmenda më lart, të cilave u jemi drejtuar zyrtarisht që të na rikthejnë veprat e fondit të GKA-së që ata kanë, i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë.
E keni përgatitur një dosje dhe, a do të bëni kallëzim penal në prokurori?
Në këtë moment nuk do të ishte korrekte, pasi ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga institucionet që u jam drejtuar. Në momentin që këto vepra do të kthehen në GKA, ne si institucion do të bëjmë thjesht një bilanc për veprat që janë kthyer dhe ato që mungojnë, për të nxjerrë një statistikë të saktë të veprave të humbura. Për momentin ne jemi akoma në procesin e mbledhjes së këtyre veprave. Pasi të ketë përfunduar ky proces, GKA do të njoftojë zyrtarisht Prokurorinë, Interpolin, Ministrinë e Kulturës, Qendrën Kombëtare të Inventarizimit për numrin e veprave të humbura, imazhet e këtyre veprave, dimensionet, emrat e autorëve, teknikën, vitin e realizimit dhe fotografitë përkatëse. Do të jenë institucionet përkatëse të shtetit shqiptar që do të vihen në kërkim të tyre që ato t’i rikthehen Galerisë.
Në fondin e Galerisë ndodhen rreth 5 mijë vepra arti, ndërkohë që gjithmonë e më shumë hapësirat në fondin e Galerisë vijnë dhe ngushtohen. A ka një ekspertizë për vlerësimin e veprave që ndodhen në fondin e GKA-së, që të mund të shërbejë në njëfarë mënyre edhe për të bërë një seleksionim të asaj që vlen të jetë pjesë e fondit dhe asaj që nuk vlen?
Vlera e një vepre ose e veprave në tërësi të një autori, normale që nuk mund të jenë të gjitha të një niveli. Ka vepra shumë të mira, të mira, ashtu siç ka vepra të diskutueshme. Që Galeria Kombëtare e Arteve të krijojë një ekonomi nëpërmjet kulturës dhe pasurisë së saj dhe të mos i ruajë këto vepra si një sarkofag, ato mund të jepen me qira dhe mund të ekspozohen në muzetë e Europës dhe të botës. Nëse ne duhet të evidentojmë periudhat tona të zhvillimit të artit figurativ, të prezantojmë pjesën më të mirë dhe më të kuruar, është normale që në këtë këndvështrim të ketë një selektim. Një nga projektet që do të fillojë në muajin janar të vitit që vjen është dhe rivlerësimi monetar i çdo vepre të fondit të GKA-së. Do të ishte absurde që një vepër që konsiderohet me një vlerë 40-70 mije euro të sigurohet për vetëm 1200 euro. Për këtë do të ngrihet një komision serioz, që të ketë autoritetin por edhe informacion për sistemin e tregut të artit, se si arti jep dhe merr, në mënyrë që t’i jepet një vlerë reale. Pra ne duhet të dimë realisht se çfarë vlere kanë veprat që ndodhen në fondin e GKA-së.
Fondi i GKA-së është i dixhitalizuar i gjithi apo pjesërisht?
Të dhënat teknike të fondit janë të dixhitalizuara në masën 100%, ndërsa imazhet janë 90% të gjithë fondit të dixhitalizuar.
Si është gjendja e pesë veprave që i janë rikthyer GKA-së?
Veprat ishin në gjendje të mirë. Nuk janë të dëmtuara. Kjo nuk do të thotë se nuk kanë nevojë për një pastrim, rifreskim dhe restaurim të lehtë apo të pjesshëm. Pasi të kemi rikthyer veprat që na janë marrë, ato do t’i ekspozojmë në Galerinë Kombëtare për publikun, i cili nuk ka patur mundësi t’i shohë këto vepra.
Po gjendja e veprave që ndodhen në fondin e GKA-së, si është në përgjithësi?
Ka vepra që janë në situatë jashtëzakonisht kritike, ka vepra që janë në gjendje normale, shumë të mirë, dhe të diskutueshme. Janë tre faktorë që duhen patur parasysh kur marrim përsipër të kthejmë një vepër në identitet; mundësitë ekonomike, energjitë njerëzore dhe koha.Që ju nuk i keni…?
Ne i kemi të gjitha. Nëse është entuziazmi dhe dëshira e mirë për të bërë punë, puna bëhet.
Angazhimi juaj për të drejtuar Galerinë Kombëtare të Arteve ju ka shkëputur nga krijimtaria juaj artistike?
Po, 100 për qind. Por përderisa kam pranuar, do të thotë se më apasionon kjo punë dhe le të jetë ky edhe një moment refleksioni për punën time krijuese.
Mapo
Add new comment