Atentati ndaj Dervishit, në prokurori 15 vetë

Eksplozivi ishte montuar më pak se 24 orë para se të gjendej nga gardistët në Kryeministri
Rreth 15 persona janë marrë në pyetje, në cilësinë e personave që kanë dijeni për vënien e 200 gramëve C4 eksploziv, në makinën e prefektit të Vlorës më 13 dhjetor. Emrat e tyre mbeten mister, pasi janë pjesë e hetimeve. Mësohet se në listën e personave të marrë në pyetje është edhe drejtori i antikorrupsionit në Kryeministri, Ergys Hoxha. Sipas informacioneve paraprake nga grupi hetimor, është dalë në konkluzionin se lënda eksplozive është vënë në qytetin e Vlorës dhe jo në kryeqytet. Prefekti ka udhëtuar me tritolin poshtë këmbëve nga Vlora në Tiranë, ndërsa vinte për një takim pune. Dyshohet se ka mundësi që ai të jetë vënë nga persona profesionistë, duke vështirësuar zbulimin e autorëve nga ana e hetuesve. Ndërkaq sipas ekspertëve, aparati telefonik celular, i lidhur me dy detonatorë me lëndën plasëse C 4, përveç thirrjes telefonike, mund të aktivizohej edhe me anë të një mesazhi. Dërgimi i tij arrinte të përcillte rrymën e nevojshme për shpërthimin e automjetit të prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Celulari i lidhur me eksplozivin ishte i karikuar plotësisht, për të garantuar ndoshta ekzekutimin prefektit. Ndërkaq hetuesit nuk janë në gjendje të thonë nëse autorët e krimit kanë pasur si qëllim ekzekutimin e Dervishit dhe prisnin momentin dhe vendin e caktuar për të vepruar, apo nëse kanë të bëjnë vetëm me një kërcënim. Duke qenë se në tritolin C4 i llojit pluhur, ishin instaluar dy detonatorë, do të thotë se autorët, apo autori kanë marrë masa që shpërthimi të realizohej patjetër.
Karta SIM e kompanisë AMC, e cila është gjetur në telefon, ka rezultuar e dëmtuar dhe ajo nuk aktivizohet me celularë tjetër. Mosfunksionimi i saj ndoshta ka bërë që eksplozivi të mos realizojë shpërthimin. Ajo i është dërguar kompanisë për të identifikuar një kod disashifror, për të gjetur përdoruesin e saj, procedurë e cila do të orientonte prokurorinë drejt identifikimit të autorit. Prokurorët e Krimeve të Rënda janë duke verifikuar celularin e llojit Samsung, me të cilin ishte lidhur tritoli, për të parë se çfarë kartash telefonike janë përdorur më parë në të. Kjo do të arrihet të zbardhet me anë të sistemit IMEI. Ndonëse telefoni Samsung është i dëmtuar në pjesën e ekranit, kjo nuk do të sjellë probleme për zbardhjen e të dhënave të kërkuara. Plasaritja e tij dyshohet të jetë bërë nga ekspertët e xhenios, gjatë çaktivizimit. Përveç seksionit të antiterrorit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në hetime është përfshirë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Pistat hetimore
Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë me dije se janë ngritur një sërë pistash hetimi, në lidhje me atentatin që për pak sa nuk shkaktoi një tragjedi. Hetuesit po i mëshojnë më shumë pistës së konflikteve për shkak të detyrës së Besnik Dervishit, firmosjen e disa dokumenteve që miratojnë shembjen e objekteve në bregdet, të cilësuara si informale, lëvizjet e fundit bërë në administratë, e deri te çështjet personale të tij. Sipas hetuesve Dervishi ka vetëm dy muaj që drejton Prefekturën e Vlorës dhe gjatë kësaj kohe është përballur me një sërë problemesh të mprehta. Pas ardhjes në pushtet, qeveria “Rama”, ku bën pjesë edhe Besnik Dervishi, ka deklaruar hapur se do të zhdukë të gjitha objektet në bregdetin e Vlorës, të ndërtuara në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu projekti Lungomare në Vlorë, i cili do të përfshijë ndërtimin e një rruge pedonale për qytetarët dhe turistët e këtij qyteti, përgjatë vijës bregdetare nga Pylli i Sotës dhe deri në zonën e Ujit të Ftohtë, do të përballet me prishjen e ndërtimeve të parregullta. Projekti është parashikuar që të jetë gati brenda sezonit turistik të vitit 2015. Pista e dytë e hetimet është ajo për shkak të detyrës. Sapo Dervishi ka ardhur në krye të Prefekturës së Vlorës, nuk ka humbur kohë që të bëjë ndryshime në institucionin që iu besua për të drejtuar. Dyshohet se ai ka shkarkuar mjaft punonjës dhe si pasojë e kësaj mund të ketë pasur konflikte, që fillimisht janë dukur jo shumë serioze. Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke shqyrtuar listën e personave të shkarkuar nga puna. Pas kësaj pritet që ata të merren në pyetje. Gjithsesi Besnik Dervishi nuk është në gjendje të thotë nëse eksplozivi është vendosur për këtë motiv, apo jo. Ndërkaq nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe pista e problemeve personale që prefekti i Vlorës ka pasur në të shkuarën. Burimet thonë se prefekti ka dëshmuar se nuk ka pasur probleme gjatë jetës së tij. Ai është i bindur se tentativa e vrasjes mund të jetë për shkak të detyrës së re që ka marrë para dy muajsh. Silvana Muça
Të dhëna
Celulari
Celulari ishte i lidhur me dy detonatorë me lëndën plasëse C4, nëpërmjet të cilit jo vetëm nga një thirrje telefonike por edhe me një mesazh mund të përcillej rryma e nevojshme për të shkaktuar shpërthimin
Karikuesi
Celulari ishte i karikuar plotësisht, çka do të thotë se eksplozivi ishte i fiksuar me letër natriban poshtë sediljes së shoferit minimalisht një ditë përpara se të zbulohej
Akuza
Hetuesit presin përgjigjet për IMEI-n e telefonit Samsung, për të parë se çfarë kartash telefonike janë përdorur më herët. Mënyra e vendosjes, sipas hetuesve, është profesionale
Dëshmia
Prefekti i Vlorës ia lë në dorë drejtësisë zbardhjen e atentatit: Nuk vura re asnjë gjë të dyshimtë
“Një natë më parë shkova në Tiranë, makina është në pronësinë time personale”
Një ditë pasi në automjetin e tij personal u gjet rreth 200 gramë C4, që u dyshua do të përdorej për një atentat ndaj tij, prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi, dje ka marrë pjesë në aksionin e shpërthimit të kompleksit ‘Jon’, në bregdetin e Vlorës. Gjatë gjithë kohës ai është dukur i qetë. Ndonëse mediat janë treguar të interesuara për eksplozivin që i ishte vënë poshtë automjetit të tij personal, Dervishi nuk ka dashur që të japë shumë komente në lidhje me ngjarjen. “Nuk kam koment për ngjarjen e djeshme, kam besim tek institucionet e shtetit dhe prokuroria do ta zbardhë sa më shpejt. Kjo nuk është replikë, por detyrë e institucioneve”, është shprehur Besnik Dervishi. Gjithsesi ai ka treguar disa detaje nga ngjarja e së premtes. “Në orën 8:00 të mbrëmjes së 12 dhjetorit jam nisur në Tiranë pasi më morën në telefon dhe më thanë që duhej të isha në Tiranë. Deri në orën 19:00 kam qenë në zyrën time. Kam qenë vetëm në makinë. Detajet t’ia lëmë prokurorisë. Makina është në pronësinë time personale, me targa të rregullta. Ne shtetin e kemi marrë të rrënuar, prandaj përdor dhe makinën time”, u shpreh ai. Prefekti i Vlorës është mjaftuar duke thënë se ngjarja i përket së shkuarës dhe se është ai është i prirë që të shikojë drejt së ardhmes. Në fjalët e pakta që ka thënë për mediat, Dervishi shprehu mirënjohje për mbështetjen që i është dhënë. “Në radhë të parë, do të shpreh mirënjohjen për të gjithë ata miq që personalisht më shprehën solidaritetin. Falënderoj dhe institucionet, Kryeministrin zv.ministrat, deputetët që kanë qëndruar pranë meje. Ju orientova në drejtimin e së ardhmes së qytetit të Vlorës. Së bashku me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit inspektuam shëtitoren. Ndihem mirë në Vlorë dhe në mes të vlonjatëve”, e mbylli komentin Dervishi.
Dëshmia në prokurori
Ndërkaq prefekti i Vlorës ka dëshmuar para grupit hetimor të gjitha lëvizjet e fundit. Ai ka deklaruar se mbrëmjen e 12 dhjetorit, ka qenë duke punuar në zyrën e tij te Prefektura e Vlorës deri në orën 20:00 të së enjtes. Rreth orës 19:000, e kanë marrë në telefon, për t’i thënë se duhej të ishte në Tiranë, për një takim zyrtare. Pasi kishte mbaruar punë, Dervishi ka zbritur nga zyra për të marrë automjetin e parkuar poshtë godinës dhe më pas është nisur drejt kryeqytetit. Ai ka pretenduar se gjatë rrugës çdo gjë ka qenë e qetë dhe nuk ka vënë re asgjë të çuditshme. Të nesërmen është paraqitur në godinën e Kryeministrisë, sepse kishte lënë një takim me Ergys Hoxhën, shefin e antikorrupsionit në këtë institucion. Meqë nuk kishte gjetur vend për të parkuar automjetin, të cilin e përdorte vetë prej më shumë se një muaji, ai ka kërkuar që ta fusë në ambientet e Kryeministrisë. Aty është ndeshur me gardistin, Dritan Doko, i cili i ka kërkuar dokumentin e identifikimit. Ky i fundit i kishte kërkuar që të zbriste nga makina, për të bërë procedurën e kontrollit. Gardisti ka vendosur një pasqyrë poshtë automjetit dhe ka vënë re një gjë të dyshimit. Sipas burimeve Dritan Doko është trembur nga ajo që ka parë dhe shqetësimin ia ka shprehur edhe prefektit të Vlorës, duke i thënë se poshtë automjetit kishte parë pako katrore, të veshur me letër ngjyrë kafe, duke dyshuar për eksploziv. Doko pa humbur kohë ka njoftuar eprorët e tij dhe policinë, ndërkohë që Dervishi qëndronte në këmbë me Ergys Hoxhën. Ai ka thënë para grupit hetimor se pas konstatimit të dyshimit nga gardisti, është alarmuar dhe gjatë gjithë kohës, në mendje i shkonin shumë mendime. Më pas aty kanë ardhur forca të shumta police, të cilët kanë bërë spostimin edhe të pronarit të automjetit, ndonëse ai ka parë edhe momentin e çaktivizimit të lëndës eksplozive. Ndër të tjera ai ka thënë se nuk është kërcënuar asnjëherë dhe se nuk ka pasur konflikte në jetën e tij, duke theksuar faktin se nuk ka dijeni për motivin e asaj që ndodhi.
Shqip
Add new comment