Një ceremoni shtetërore për një fitore personale

Postuar në 15 Nëntor, 2014 10:32

Nëse Daniel Godelli dhe Romela Begaj nuk do të kishin kaluar nga “Shën Kozmai” i Athinës  ndoshta nuk do të kishin arritur këtë sukses që i ngjiti në majat e peshëngritjes botërore. Nuk bëhet fjalë as për ndonjë falje në kishë dhe as për ndonjë liturgji konspirative, por për një fakt të thjeshtë sportiv. Pak kush e di se dy kampionët e botës tashmë, Daniel Godelli e Romela Begaj, u stërvitën për më shumë se dy muaj në palestrën olimpike të Athinës që ndodhet në zonën e “Shën Kozmait” në kryeqytetin grek, para se të merrnin pjesë në kampionatin Botëror të Kazakistanit. Siç e tha edhe Romela Begaj në konferencën për shtyp në aeroportin “Nënë Tereza”, falenderimi për këtë sukses i shkon Luan Shabanit, shqiptarit që drejton ekipin grek të peshëngritjes, i cili mundësoi stërvitjen e sportistëve shqiptarë në palestrën olimpike të Athinës, aty ky stërvitet edhe ekipi grek. Me pak fjalë shteti shqiptar ka zero kontribut në suksesin e dy peshëngritësve shqiptarë në kampionatin botëror të Kazakistanit, e megjithatë ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, nuk e humbi rastin të shfaqet përkrah dy sportistëve në ceremoninë e pritjes në Rinas, duke thënë se tashmë është hapur një faqe e re për sportin.  Të përdorësh arritjet personale të Danielit dhe Romelës për të thënë se ky sukses është fryt i një politike të re për sportin është më e pakta e pamoralshme. Kjo sepse sa i përket përgatitjes sportive asgjë nuk ka ndryshuar në krahasim me të kaluarën e afërt. Sakrifica personale e Daniel Godellit, Romela Begajt dhe sportistëve të tjerë nuk mund të jenë fletë lavdërimi as për ministren dhe as për qeverinë që nuk humbasin rastin të dalin në tribuna kur bëhet fjalë për arritje të sportistëve. Peshëngritësit e thanë fjalën e tyre në pedanë, aty ku edhe e ngritën flamurin shqiptar në vendin e nderit të Kampionatit Botëror. Ndaj edhe ceremonia e aeroportit dhe gëzimi me flamur që inskenohet aty për aty, nuk i duhet askujt, përveçse lojës së vockël të imazhit të qeveritarëve që deri tani vetëm kanë premtuar një palestër të re.  

Leonard Mitro 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

<p>T e lumte lapsi, mos shkruaj me. I ke vene pikat mbi &quot;i&quot;!</p>

Submitted by Anonymous (not verified) on

<p>Po sikur u tha qe qeveria u kishte dhene peshngritesve nja 100 mije euro per kete pergatitje...Po ne Greqi ku i gjeten paret keta? Apo ua falen Shabani me shoke....pffff. Bravo Luanit qe mundesoi stervitjen dhe trajtimin, mbase edhe palestren pa qera, por akomodimi, ushqimi kane qene me parate e shtetit shqiptar</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.