Me çfarë ka lidhje dorëheqja e Arben Seferajt?

Postuar në 01 Dhjetor, 2014 16:03

Sa të papritura aq edhe të çuditshme arsyet që u thanë nga  Ministria e Energjetikës për dorëheqjen nga detyra të kreut të OSHEE-së, Arben Seferaj, i emëruar në këtë post nga LSI. Shfaqja e tij në konferencat të përnatshme të policisë për ndalimin e vjedhësve të energjisë, nuk kanë lënë idenë se Seferaj po kryente detyrën në kushte të sforcuara, ndërsa edhe rezultatet e prezantuara në aksionin e “hajdutëve” të energjisë, siç etiketohet ky operacion në komunikatat e policisë, kanë marrë vlerësimet maksimale të qeverisë  dhe kryeministrit Rama. Po ashtu qeveria ka pranuar se puna e bërë nga Seferaj për reduktimin e humbjeve të energjisë dhe arkëtimet e kompanisë kanë përmbushur ambicjet e shpallura për nxjerrjen e OSHEE nga gropa financiare që u krijua pas privatizimit të CEZ.

Arsyet e dorëheqjes së Seferajt mund të jenë personale dhe nuk duhen paragjykuar, por ato vijnë pas 3 rasteve, ku drejtorët rajonalë të OSHEE-së janë arrestuar ose denoncuar për vjedhje të energjisë elektrike dhe për shkaktimin e një dëmi prej miliona lekësh arkës së shtetit. Rasti i parë u shënua pak ditë më parë me drejtorin e OSHEE në Lushnjë, i dyti një ditë më parë me drejtorin e OSHEE në Kukës, ndërsa rasti i fundit që lidhet me drejtorin e OSHEE-së në Tropojë u denoncua nga opozita këtë të hënë. Përfshirja e vetë drejtorëve të OSHEE-së në vjedhjen e energjisë elektrike kompromenton rëndë vetë aksionin e qeverisë që po përpiqet të krijojë besimin të qytetarët se ka vendosur në krye të institucioneve individë të përkushtuar për të zbatuar ligjin dhe jo persona të ngjashëm me “të paprekshmit” e djeshëm që e shfrytëzonin postin për përfitime personale. Është ende herët për të folur lidhur me përgjëgjësinë që ka Seferaj në emërimet e këtyre personave në krye të drejrorive të OSHEE-së, por si titullar i kompanisë në fjalë edhe formalisht përgjëgjësia i takon atij.

Ka diçka të ngjashme në mënyrën sesi drejtues të institucioneve, enteve apo agjencive shtetërore të emëruar nga Aleanca për Shqipërinë Europiane janë larguar nga posti vetëm pak muaj pasi kanë marrë drejtimin e këtyre institucioneve apo kompanive. Ndodhi para pak muajsh me drejtorin e Postës Shqiptare, Ardit Çela i emëruar nga LSI, për dorëheqjen e të cilit u dhanë po ashtu arsye personale. A është kjo një arsye që duhet ta besojmë apo një mënyrë për të fshehur dhe mbuluar “zullumet” e pushtetarëve të rinj këtë mbetet ta vërtetojnë organet ligjzbatuese që kanë marrë përsipër të luftojnë korrupsionin dhe shkeljen e ligjit nga zyrtarët e lartë. Ajo që mund të perceptojmë tani për tani, është se arsyet personale, nuk janë ndoshta edhe aq personale. 

Leonard Mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.