Partitë e vogla në luftë për mbijetesë

Partitë e vogla janë bërë tok sot paradite me synimin për t’u marrë vesh lidhur me kodin zgjedhor që u vjen sipas midesë atyre përpara se të fillojë diskutimi në terma konkretë. Kodi aktual, i hartuar dhe i miratuar pas një marrëveshjeje PD-PS, ka qenë në dëm të partive me ndikim modest elektoral. Dhe fakti është këto parti të vogla ose kanë mbetur jashtë parlamentit, ose përfaqësohen atje me kryetarin e tyre. Vetë Ilir Meta, kryetari i partisë më të madhe ndër të voglat, hoqi shumë për të futur në xhep mandatin e deputetit, duke ngjallur dyshime se ai mandat ish produkt marifetesh të sekondës së fundit.
Nuk është arritur të vihen pikat mbi “i”, por mendja ta thotë se të gjitha këto parti janë të interesuara për adoptimin e një sistemi proporcional me prag të ulët. Befasia e takimit të sotëm ishte Meta, i cili ka rinxjerrë nga arkivat tezën e listave të hapura të kandidatëve. Sipas këtij varianti, nuk ka rëndësi renditja fillestare e kandidatëve, por ka rëndësi renditja e tyre në fund të procesit të numërimit mbi bazën e votave të fituara. Ky variant penalizon afirmimin programor e ideologjik të kandidatëve, dhe e shndërron garën elektorale në një garë pasanikësh. Do të shënohej një zhvillim negativ po të bihej dakord.
M.N.
Add new comment