Vendi pasurohet, qytetarët varfërohen?

Në dhjetëvjecarin e fundit, ekonomia shqiptare është rritur mesatarisht me 5.5 deri në 6 për qind në vit (sipas shifrave zyrtare), në dukje një nga normat më të larta në rajon. Por a ka mjaftuar ky ritëm i zhvillimit, të rrisë mirëqënien e shqiptarëve njëlloj si fqinjët e tyre në Ballkan? Të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, tregojnë sa janë rritur të ardhurat për frymë në rajon sipas standardit të fuqisë blerëse krahasuar me vitin 2000, dhe në Shqipëri, edhe pse me shifrën më të lartë të rritjes ekonomike, qytetarët pasurohen më ngadalë se sa fqinjët e saj (veç Bosnjës së zhytur në konflikte etnike dhe destabilitet të zgjatur politik). Sipas FMN-së, disa nga vendet fqinje kanë mundur që gjatë këtij dhjetëvjecari të rrisin mirëqënien e qytetareve të tyre deri në dy herë më shumë se Shqipëria edhe pse kanë patur rritje më të ulët ekonomike. Ekspertët thonë se e vetme, shifra e rritjes ekonomike nuk e tregon gjithë të vërtetën dhe ky fenomen, në dukje paradoksal, ka disa arsye.
Së pari është niveli i ulët i të ardhurave fillestare. Shqipëria doli nga komunizmi si vendi më i varfër, me të ardhurat për frymë që ishin vetëm 800 dollarë. Së dyti, mirëqënia e shqiptarëve gërryhet nga rritja e cmimeve, e cila është më e lartë se ajo e rajonit.
Ndërsa arsyeja e tretë lidhet me ritmet e rritjes së popullsisë. Duke përfshirë këta faktorë, një grup profesorësh në fakultetin e ekonomisë ndërmorrën një studim, ku gjetën se rritja 6 për qind e lë mbrapa Shqipërinë. Sipas tyre, që qytetarët shqiptarë të pasurohen njëlloj si fqinjët në rajon duhet që rritja ekonomike të jetë të paktën mbi 7 për qind. 20 vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria që doli nga izolimi si vendi më i varfër në rajon vazhdon të jetë sërish e fundit, dhe sipas FMN-së do të mbetet e tillë të paktën edhe për një dekadë tjetër.
Nga Top-channel.tv
Add new comment