Financimi i rrugës së Arbrit, diçka më shumë sesa një projekt

Postuar në 16 Dhjetor, 2014 10:18

Memorandumi i firmosur të hënën (16 dhjetor 2014) mes bankës kineze "Exim Bank" dhe qeverisë shqiptare me shumë gjasë se do t’i hapë rrugë dhënies me koncesion të një segmenti të caktuar të Rrugës së Arbrit. Ky duket se ka qenë kushti kryesor i palës kineze për të marrë përsipër financimin e këtij projekti të shumëdebatuar.
Vetë qeveria shqiptare është treguar shumë e rezervuar lidhur me detajet e këtij memorandumi që ka marrë firmën si të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe atij të Transporteve, Edmond Haxhinasto.
Zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve e kontaktuar nga "ResPublica" është shprehur se nuk është e autorizuar për të dhënë asnjë informacion pa mbërritur më parë në Tiranë shefi i saj Haxhinasto, ndërsa zv/ministri Ylli Manjani i kontaktuar nga mediat është shprehur se nuk kishte dijeni për çfarë bëhej fjalë dhe se ai nuk është marrë fare me këtë çështje.
Burime nga Ministria e Financave thanë për “ResPublica” se autoriteti i kontraktuar për këtë vepër publike do të jetë Ministria e Transporteve dhe forma e kontratës do të jetë e partneritetit publik privat, çka nënkupton dhënien me konçesion të pjesës së tunelit të Qafë Murrizit, i cili kërkon investime të mëdha. Në këtë rrugë aktualisht janë duke u kryer punime nga Autoriteti Kombëtar i Rrugëve që ka mbuluar rreth 2 km të investimit.
Sipas të njëjtave burime, do të jetë Banka kineze "Exim Bank" që do të nënshkruaje me kompanitë e interesuara kushtet e financimit. Nga Ministria e Transporteve mësohet se studimi i fizibilitetit për segmentin që do të jepet me koncesion është gati nga qeveria e kaluar dhe se tani pritet vetëm vendimi i Këshillit të Ministrave që do të formalizojë dhënien me konçesion të një segmenti të kësaj rruge, në mënyrë që Ministria e Transporteve si autoriteti kontraktues bashkë me Komisionin e Konçesioneve të hapë garën për kompaninë fituese.
Po sipas të njëjtave burime, miratimi i kontratës koncesionare pas shpalljes së fituesit nuk do të kalojë në procedurë parlamentare pasi ndryshimet e bëra në ligjin për koncesionet i lejojnë Ministrisë së Transporteve miratimin e kontratave për nivele të caktuara financimi.
Financimi nga "Exim Bank" mendohet të jetë në shifrat e 200-300 milionë dollarëve që nevojiten për ndërtimin e tunelit të Qafë Murrizit dhe të një ure përgjatë këtij segmenti.
Miqësi bujare
Memorandumi me palën kineze, përveç interesit ekonomik të qeverisë shqiptare, fton për një koment të natyrës politIke. Depërtimi i Kinës në Europë është një proces që po shoqërohet me shqetësim nga Brukseli. Mjafton të sjellim këtu në vëmendje faktin, se edhe dje(datë 15 dhjetor)” media gjermane, “Deutsche Welle” i kushtonte një editorial Samitit të Beogradit, duke vlerësuar se kjo prani në rritje e Kinës në Europën Lindore është shqetësuese. Eksperti gjerman Frank Sieren, pasi bën një prezantim të investime e të mëdha kineze në rajon, shton faktin se “5 nga 16 vendet pjesëmarrëse në takim, nuk janë anëtarë të BE-së”. Mes tyre është edhe Shqipëria dhe pikërisht për këtë arsye, këto vende vijnë në vështrim të posaçëm. Më tej, i njëjti ekspert përfundon se: “Frika po rritet se investimet e Pekinit do t’i sigurojnë mundësinë e influencës politike dhe në finale do ta ndajnë Europën”. Natyrisht Shqipëria është një pikë në këto lëvizje, por është pozicioni që i jep asaj disa mundësi. Marrëveshja që përmbylli qeveria shqiptare për Rrugën e Arbrit, është bërë me një bankë që zotërohet nga shteti kinez dhe që është e vetmja që ka të drejtën për të dhënë kredi koncesionare. Ka edhe dy momente që e vendosin qeverinë e Edi Ramës në pozitat e një pale të interesuar për investimet kineze. Së pari është hapja e institutit “Konfuci” ku mori pjesë vetë kryeministri dhe së dyti janë tratativat për t’u dhënë kinezëve me koncesion portin e Shëngjinit. Më tej akoma, vizita e kryeministrit Edi Rama në Kinë, u sponsorizua nga ambasada kineze, që i vuri në dispizicion Edi Ramës edhe çarter. Së fundmi, që ndoshta është më e rëndësishmja, është leximi i vazhdueshëm i raporteve të dikurshme si një bazë e qëndrueshme për një miqësi që forcohet nga interesat. Një gjë të ngjashme kanë bërë edhe vendet fqinje, që shohin te investimet kineze, atë “Plan Marshall” që nuk erdhi nga Perëndimi. Kështu nëse i hedhim një sy përmbajtjes së Protokollit të Bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani, do të vëmë re një sërë klauzolash shtrënguese që e vënë palën shqiptare përballë detyrimeve që lidhen me disa standarde. Marrëveshjet me Kinën nuk kanë nga këto “shqetësime”. Në një editorial të vetin, Arben Rrozhani, kryeredaktori i gazetës “Shekulli, gazetë që zotërohet nga deputeti socialist Koço Kokëdhima, një promovues i investimeve kineze në Shqipërinë e pas Berishës, shkruante ndër të tjera për një element të memorandumit që duhet marrë në konsideratë: “Për herë të parë në historinë e marrëveshjeve të Shqipërisë me investitorët e huaj, nuk kërkuan as garancinë sovrane të shtetit shqiptar”, shkruan Rrozhani që e quan Kinën “ekonomia e parë në botë”. Nuk ka asgjë të keqe te pragmatizmi, por mbetet e paqartë sesi do të realizohet ky bashkëpunim ekonomik, duke shmangur kthimin e vendit në atë që eksperti gjerman, Frank Sieren e quante Porta e Pekinit në Europë, e ku përfshihet i gjithë rajoni. Aq më tepër kur klasa politike ka dështuar në thithjen e investimeve të qenësishme nga BE-ja, që sikurse u kërkua edhe në Konferencën e Berlinit, i kushtëzon ato me bashkëpunim rajonal, me standarde ligjore dhe me një klimë që i ka lënë pas sherret dhe rivalitetin në mikrokozmosin ballkanik.
l.m/s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.