Deshi të shikonte ndeshje të meshkujve (volejbolli), “shpërblehet” me një vit në burg!

Iraniania, Ghoncheh Ghavami (25), e cila u diplomua në Universitetin e Drejtësisë në Britani, u dënua me një vit burg, pasi u përpjek që të shikojë një ndeshje volejbolli në Teheran.
Rasti u përshkrua nga Amnesty International si i "tmerrshëm". Në shenjë proteste, Ghavami, ka hyrë në grevë urie, pasi padia ndaj saj është konfirmuar si "përhapje e propagandës anti-regjim", një formulim i përgjithshëm, i cili shpesh përdoret nga gjyqësori iranian.
“Ajo është në një grevë urie që prej ditës së shtunë. Nuk ushqehet dhe nuk pinë lëngje”, konfirmoi vëllai i saj, Iman Gavami, në një prononcim telefonik për agjencinë AFP.
Ghoncheh Ghavami u arrestua më 20 qershor, pasi deshi të shikonte ndeshjen e volejbollit, përkatësisht ekipin kombëtar iranian të meshkujve kundër Italisë, në palestrën “Azadi” të Teheranit.
Zyrtarët më pas deklaruan se ajo u ndalua për arsye sigurie dhe se nuk ka të bëjë me ngjarjen sportive, ndërsa u lirua shpejt nga paraburgimi. Por, ajo sërish u arrestua , kur u kthye që të marrë gjërat e saja dhe u dërgua në burg.
Ndërkaq edhe Ministria e Jashtme Britanike ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e gjyqësorit dhe ka bërë të ditur se do të ndjek këtë rast, gjer në zbardhjen e së vërtetës.
Kujtojmë se femrave në Iran i ndalohet të marrin pjesë në ndeshje të volejbollit dhe futbollit, pasi sipas Teheranit zyrtar, kështu mbrohen prej sjelljeve të pahijshme të meshkujve.
Add new comment