Shënim: Gazetat flasin për duele kandidatësh, por në të vërtetë gara është mes listave

Një numër të përditshmesh kanë filluar prej ditësh të spekullojnë me emrat e kandidatëve për deputetë të partive e të koalicioneve, e sidomos me emrat e eksponentëve më të rëndësishëm të politikës. Në fakt, kodi elektoral, duke qenë se e shndërron garën në një garë listash, e jo individësh, nuk lë shumë vend për kureshtje të tipit: Ku do kandidojë Rama? Po Berisha? Po Meta? Kudo që të kandidojnë, ata do jenë të parët në lista.
E megjithatë, nuk ka ditë që të mos jepen lajme mbi këtë argument. Gazeta Dita jepte lajmin që Rama do të kandidojë në Vlorë (duhet besuar, pasi kjo gazetë ka treguar se ka akses në lajme që kanë të bëjnë me PS-në), por gazeta të tjera flisnin sot për një duel midis Ramës e Berishës, që do të zhvillohet në Durrës. Mirëpo, fjala duel është pak e egzagjeruar. Nuk do të ketë asnjë duel mes tyre (kuptohet, sikur lajmi i kandidimit të tyre në Durrës të ish i vërtetë). Ata do të mbajnë një çikë përgjegjësi më shumë si kryesues të listës në një qark të caktuar, por nuk mund të flitet për një duel në kuptimin e njimendtë të fjalës. Prandaj, “scoop-e” të tilla janë disi të kërkuara.
M.N.
Add new comment