CEZ, në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit (por nuk përjashton "një marrëveshje pajtuese jashtë gjyqit")

Postuar në 16 Maj, 2013 17:07

Grupi çek CEZ ka nisur dje zyrtarisht procedurat ligjore ndaj qeverisë shqiptare në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Përmes një njoftimi zyrtar CEZ bën të ditur se ka njoftuar qeverinë e Tiranës mbi vendimin e saj dhe shton se baza ligjore e padisë është traktati ndërkombëtar i energjisë, i firmosur si nga Çekia ashtu dhe nga Shqipëria. (traktati i negociuar në vitin 1995 përcakton disa rregulla ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve në sektorin energjetik). Megjithatë kompania çeke sqaron se nisja zyrtare e procesit nuk parandalon që të dy palët “të mund të arrijnë një marrëveshje pajtuese jashtë gjyqit”. Në shkurt të këtij viti CEZ njoftoi zyrtarisht qeverinë shqiptare se kishte në plan ta padiste atë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit pas vendimit të ERE-s, që i hoqi licencën mbi rrjetin e shqiptar të shpërndarjes. Pas mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të gjata mes palëve, në 21 janar Enti Rregullator vendosi të heqë licencën e CEZ me argumentin se kompania nuk po përmbushte kushtet e marrëveshjes së privatizimit, duke e rikthyer atë sërish në administrim shtetëror. Kompania CEZ bleu 76 për qind të aksioneve të ish-OSH në në vitin 2009 me një vlerë prej 102 milionë euro. a.n.

 

Foto LSA: Administratori i ri i CEZ Said Dollapi dhe kryeministri Sali Berisha

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.