Ipeshkvijtë katolikë apelojnë për pjesëmarrje në zgjedhje; dhe ngrenë zërin kundër blerjes së votës

“Është e njohur se në shumë zona të Shqipërisë vota shitet, blihet apo rrëmbehet nën kërcënim. Të dashur vëllezër, shitblerja e votës është shitblerja e lirisë. Me anë të votës qytetari zgjedh atë që e qeveris dhe jo një blerës që bëhet pronari i lirisë së tij. Një i zgjedhur që vjen në pushtet me një votë të vjedhur apo të blerë nuk e meriton atë vend. Po ashtu ai që shet votën shet dinjitetin e tij dhe me këtë votë sjell në pushtet dikë që ia blen këtë dinjitet: e gjithë kjo është në dëm të përbashkët. Përveç votës së blerë një fenomen i rëndë është vota nën kërcënim, sidomos lidhur me premtim të vendit të punës. Prandaj është me rëndësi të mos përfshihet administrata publike vendore apo qendrore në këtë proces e aq më pak të kërcënohen me privimin e vendit të punës persona që duan të votojnë ndryshe apo kanë një bindje ndryshe nga forca politike që i ka futur në punë. Kjo është shkelje e hapur e të drejtave të njeriut dhe të punësuarit që me këtë punë mban familjen e tij.”
Të kujt janë frazat e mësipërme? Të ndonjë intelektuali publik? Të ndonjë gazetari a opinionisti? Jo, janë fraza të marra nga një letër që ipeshkvijtë katolikë ua dërgojnë besimtarëve katolikë dhe njerëzve me vullnet të mirë (kështu thuhet qysh në titull: njerëzve me vullnet të mirë).
Kemi marrë vesh se një letër e tillë në prag zgjedhjesh është një praktikë rutinore e ipeshkvijve, por kjo letër ndryshon disi, ngaqë së pari është publikuar më shumë se një muaj para ditës së votimit, e ngaqë së dyti bëhen ca nënvizime, në fakt denoncime, të forta.
Letra mbyllet në stilin ekleziast: T’i lutemi Zotit për një Shqipëri që di të garantojë zgjedhje të lira dhe demokratike e për një mbarëvajtje të procesit zgjedhor të 23 qershorit 2013. Dhe nënshkruhet: Selia e Konferencës Ipeshkvore e Shqipërisë më 8 maj 2013l.
Letrën e plotë mund ta lexoni në linkun http://hermesnews.org/articoli/attualita.asp
Re.Pu.
Add new comment